Një lajm shqetësues vjen për shëndetin e aktores së madhe Margarita Xhepa, e cila pavarësisht moshës së saj 85-vjeçare vijon të jetë e pashkëputur nga skena, filmi dhe ekrani.
Në një bisedë telefonike të ditës së djeshme për “Shqiptarja.com”, vet aktorja na bënë të ditur se të premten do t’i nënshtrohet një operacioni të vështirë në këmbë.
“Sot mora analizat e gjakut, sepse jam në pritje të operacionit. Jam shumë sëmurë, nuk eci dot dhe nuk lë dot takim për intervistë”, iu përgjigj aktorja e madhe Margarita Xhepa qëllimit tonë të marrjes në telefon.
Megjithëse në gjendje të rënduar, Margarita Xhepa, e njohur për natyrën e saj si grua shumë kurajoze dhe optimiste, u shpreh se “Të premten do të hyj në operacion dhe do Zoti e kaloj me sukses. E pastaj mund të jem në gjendje të flas edhe me ju”.
Vetëm 6 muaj më parë aktorja ka punuar për xhirimet e filmit artistik me metrazh të gjatë “Bolero në vilën e pleqve”, bazuar në romanin e shkrimtarit të njohur Fatos Kongoli. Ndërsa ky film i ka mbyllur xhirimet në muajin shtator, Margarita Xhepa është protagoniste në këtë film që denoncon vrazhdësinë dhe diskriminimin ndaj gruas.
Filmi me skenar të Linda Fejzaj dhe regji të Spartak Pecanit është në pritje të premierës, ndërkohë që Margarita Xhepa ka bërë xhirime në krah të një aktori tjetër të madh, Robert Ndrenikës. Të dy janë role protagoniste.
Urojme që gjendja e saj shëndetësore të përmirësohet dhe operacioni t’i shkojë me sukses!