Gazetarja Erisa Zykaj e sheh si të pamundur hapjen e negociatave të anëtarësimit në muajin qershor për Shqipërinë në kushtet që ndodhet vendi. Në një lidhje direkte në “A show” në News24, Zykaj tha se do ketë një ndërmjetësim nga BE mes Ramës e Bashës, duke përmendur një “Krokodil” të dytë.
“Është e pamundur sepse para protestës së opozitës dhe para djegies së mandateve kishte një skepticizëm të vendeve anëtare. Është shumë e vështirë për t’i bindur vendet anëtare se Shqipëria i ka përmbushur standardet. Kur ka një kreshendo të protestave. Djegia e mandateve mund të kthehet në precedent për vendet e BE, prandaj duhet një zgjidhje patjetër”, tha ajo për çështjen e anëtarësimit. Gazetarja e njohur theksoi se në BE është e detyruar për një ndërmjetësim mes dy liderëve në vend. “Po janë të detyruar. Siç e bënë tek Krokodili. Nuk i intereson asnjërit që të ketë kaq tension në një vend në Ballkan”, u shpreh ajo.
Erisa Zykaj tha se Shqipëria është përfaqësuar me zëvendësministrin e jashtëm Sokol Dedja në institucionet më të larta në BE, ndërkohë vendet të tjera të Ballkanit janë përfaqësuar në nivele shumë të larta siç janë ministri i jashtëm e zëvendëskryeministri.