Kryeinspketorja e ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Marsida Xhaferllari, ka humbur statusin e magjistratit e për pasojë Komisioni i Vettingut nuk u shpreh me një vendim për shkarkimin apo konfirmimin e saj në detyrë.
Xhaferllari u paraqit në ora 11:00 në sallën e vettingut për tu njohur me vendimin ndaj saj. Por në përfundim ajo u shpreh se do të presë vendimin e zbardhur për të kuptuar çdo të ndodhë me karrierën e ish-kryeinspektores e cila ka firmosur dosjet e vlerësimit profesional për 100 gjyqtarë.
Marsida Xhaferllari, e cila ka nisur karrierën si gjyqtare e Fierit e më pas në administratën e Ministrisë së Drejtësisë dhe në fund në KLD ka aplikuar për tu bërë edhe kreu i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ose anëtare e Gjykatës Kushtetuese.
Ajo çka mbetet për tu kuptuar tashmë nga vendimi i KPK-së, i cili është i pari i këtij lloji, është nëse do të ndikojë apo jo në karrierën e Xhaferrllarit e cila ka aplikuar për dy poste të rëndësishme.
Më herët vettingu shkarkoi për probleme me pasurinë kreun e gjykatës së Tropojës Dritan Seci.
Kjo e hënë kaloi në sitën e vetting edhe kryetaren e Gjykatës së Lezhës Orenela Naqellarin. Për Naqellarin KPK gjeti probleme në anën profesionale ndërsa pasuria dhe integriteti moral ishte në rregull.
Sipas hetimeve të KPK-së rezultoi se Naqellari kishte deklarime të pasakta të adresave të banimit dhe probleme në dhënien e një dëshmie trashëgimie si dhe vërtetim e ndjekjes së praktikës në gjykatën e Lezhës për një oficer policie që nuk kishte qenë asnjëherë në gjykatë.
Ajo kërkoi konfirmim në detyrë ndërsa vendimi për të do të shpallet më 18 mars pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.