Kujdes! Sëmundja vdekjeprurëse që vjen nga qentë e rrugës

Sociale

Leishmanioza, sëmundja vdekjeprurëse, ka prekur në masë qentë e rrugës dhe jo vetëm. Tek njeriu ajo transmetohet nëpërmjet mushkonjave. Veterineri Martin Toro tregon se vetëm brenda dy muajve, brenda klinikës së tij 10 qen janë prekur nga sëmundje:

“Kohët e fundit kemi pasur një rritje të kësaj sëmundjeje, 1 në 4 raste kanë qenë të diagnostikuar me leshmania. Kryesisht janë qentë e rrugës, të pambrojtur, pasi nuk kanë masa parandalimi siç është rripi antiparazitar që mban larg mushkonjat”.

Janë mushkonjat ato që transmetojnë sëmundjen e leshmaniozës nga qeni tek njeriu, pavarësisht kësaj, sipas veterinerëve, ka një zgjidhje dhe ajo është vaksinimi në kohë i kafshëve të vogla.

“Në tregun shqiptar ekziston një vaksinë, pothuajse është e domosdoshme që të futet në skemën e vaksinimit. Në ditët e sotme ka edhe mjekime që bëhen pasi kafsha jonë është prekur nga kjo sëmundje parazitare. Por kafshët bëhen mbartës gjatë gjithë jetës të këtij paraziti”, shpjegon Toro.

Ndërkohë, sipas mjekut infeksionist pranë pavionit të infektivit në vit paraqiten 30 pacientë të prekur nga leshmanioza, e nëse kurimi i kësaj sëmundjeje nuk bëhet në kohë, atëherë përfundimi është fatal.

Pëllumb Pipero shprehet: “Leshmanioza në rast se nuk mjekohet është sëmundje vdekjeprurëse, ka vdekshmërinë mbi 95% ndryshe nga shumë smëundje të tjera infektive të cilat ne i konsiderojmë të kufizuar apo vetëshëruese”.

Por, si dallohet leishmanioza?

“Përgjithësisht, sëmundja dominohet nga temperatura, rënia në peshë dhe anemia. Shpesh ka dhe rritje të nyjeve limfatike, zmadhim të mëlçisë dhe të shpretkës, për këtë arsye shumë herë kjo sëmundje ngatërrohet me sëmundjet e gjakut”, tregon Pipero.

Ata që preken më lehtë nga sëmundja e leshmaniozës janë fëmijët, edhe pse kjo quhet si sëmundje e së shkuarës duket se ajo vazhdon t’i përkasë të tashmës, pasi pranë infektivit të QSUT-së në çdo vit regjistrohen dhjetra pacientë.

Share: