Të bëhesh milioner kërkon një punë grupi. Sipas Chris Hogan, autor “Everyday Millionaires: Discover How Ordinary People Built Extraordinary Wealth”, ju nuk mund të bëheni i pasur pa pakëz ndihmë në rrugën tuaj.
Në bashkëpunim me ekipin e kërkimit të Dave Ramsey, Hogan studioi 10.000 milionerë amerikanë (me një pasuri neto të paktën 1 milion dollarë) për shtatë muaj dhe zbuloi se si ata e kanë krijuar pasurinë e tyre me shtatë shifra falë katër marrëdhënieve kyçe.
Le t’i hedhim një sy secilës prej tyre
1.Një ‘coach’ (trajner)
“Ky është një person që qëndron mënjanë dhe ju motivon të vazhdoni të bëni progres”, shkruan Hogan. “Kur ju rrëzoheni ai është zëri që ju dëgjoni t’ju ulërasë për t’u ngritur”. Hogan ua njeh meritën e formimit të tij trajnerëve sportivë, business coach dhe atyre financiarë që e kanë ndihmuar të bëhet njeriu që është sot.
Daniela Corrente, CEO dhe themeluese e aplikacionit për financa personale Reel, mund të dëshmojë rëndësinë e të pasurit të një trajneri. Ajo tha se lëvizja më e zgjuar që ka bërë në karrierën e saj e deri më sot është të punësojë një “business coach”, me të cilin takohet një herë në javë për të diskutuar strategjitë e punësimit, mbledhjen e fondeve dhe krijimin e vlerave të kompanisë. “Njoh shumë njerëz të suksesshëm që kanë një trajner, thjesht nuk e pranojnë domosdoshmërisht dhe nuk e thonë hapur”, thekson Daniela.
2.Një mentor
Në studimin e Hogan, 86% e milionerëve thanë se kishin marrë vazhdimisht këshilla nga një mentor.
“[Një mentor] është dikush që ka bërë atë që do të bësh ti”, shkruan ai. Është në të njëjtën rrugë, por thjesht disa kilometra përpara jush. Hogan këshillon që të mos mendoni shumë për strategjinë e mentorit tuaj; vëzhgoni dikë të cilit i besoni dhe ofrojini një kafe, një herë në dy-tre muaj.
“Përgatisni disa pyetje ndërkohë, në mënyrë që të bëni një bisedë të thellë dhe kuptimplotë kur të takoheni – shkruan ai. – Pyeteni rreth historive të tij, mësoni çfarë e motivon, kërkojini t’ju thotë diçka rreth dështimeve të tij më të mëdha dhe se çfarë ka mësuar prej tyre dhe mësoni sa më shumë të mundni”.
Suzanne Bates, CEO i Bates Communications, thotë se të gjithë drejtuesit e suksesshëm kanë një mentor që i ndihmon të rriten më shpejt në karrierën e tyre.
3. “Cheerleader”
“Ky është një person që beson tek ju dhe është pranë jush për t’ju dhënë kurajë, pavarësisht nga çdo gjë” shkruan Hogan. “Cheerleader” më mirë për dikë që synon të bëhet milioner është ai që ka arritur një pasuri 7-shifrore. “Ata i njohin vështirësitë që duhet të përballeni dhe do t’ju kujtojnë vazhdimisht se mund t’ia dilni mbanë”.
Të kesh pranë një sistem të fortë mbështetje mund t’ju drejtojë përmes sprovave dhe vështirësive në rrugën tuaj dhe të menaxhoni si vështirësitë, edhe sukseset. Sipërmarrësi Randi Zuckerberg thotë se është e nevojshme të keni “një partner të mirë apo një sistem mbështetje në çfarëdo situate për të pasur sukses”.
4.Një mik
“Ju nuk mund ta kaloni çdo moment të jetës duke ëndërruar që të jeni një milioner” tha Hogan. Miqtë që na rrethojnë na kujtojnë se jeta ka vlera që shkojnë përtej pasurisë. Kjo është e vlefshme veçanërisht për miqtë e vjetër, ata na kujtojnë se kush jemi dhe ku do të shkojmë. Mos e nënvlerësoni vlerën e cilësisë së jetës në këtë rrugë. Pasuria nuk ka më shumë rëndësi se marrëdhëniet personale. Miqtë ju ofrojnë më tepër avantazhe se sa thjesht ju mbajnë me këmbë në tokë.
Duke pasur marrëdhënie të qëndrueshme personale – dhe zakone të mira personale – do të thotë të jeni një administrator i mirë i burimeve tuaja tha për William D. Danko, bashkautor i librit të suksesshëm “The Millionaire Next Door”. Kjo është një nga këshillat kyçe për t’u bërë i pasur. Këto lloj sjelljesh do t’ju bëjnë të jetoni më gjatë dhe do t’ju krijojnë më shumë mundësi për t’u bërë i pasur” – pohon Hogan.
Dhe studimi i jep të drejtë. “Studimet tregojnë se miqësia është çelësi për t’u plakur në mënyrë të shëndetshme dhe për të rritur lumturinë tuaj”, thotë Erin Brodwin.
*Hillary Hoffower
Burimi: Business Insider