Ndërkohë që numri i prokurorëve që kanë kandiduar për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme shkoi dje në 15, Këshilli i Lartë i Prokurorisë zgjati afatin, duke u dhënë edhe dy javë kohë.
Në mbledhjen plenare të djeshme, KLP ka diskutuar në lidhje me kandidimet për të qenë pjesë e Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion, ku gjatë këtyre dy javëve, prokurorët që shprehën interes janë të pakët. Vendimi për zgjatjen e afatit u vendos me 10 vota pro dhe një kundër.
“Në mbledhjen plenare, KLP ka vendosur shtyrjen e afatit për pranimin e aplikimeve për SPAK deri më datën 21 shkurt 2019. Vendimi është marrë me 10 vota pro. Vota kundër e n/ kryetarit të KLP-së, z.Alfred Balla. KLP u bën thirrje prokurorëve të shfrytëzojnë këtë afat dyjavor për të paraqitur aplikimin e tyre”, shkruhet në njoftimin e KLP-së. Gjithashtu, në mbledhjen e djeshme, anëtarët e KLP-së, Alfred Balla, Kostaq Beluri dhe Antoneta Sevdari, propozuan rritjen e pagave për prokurorët e SPAK-ut, edhe më shumë sesa është në ligj, si një mënyrë motivimi për ta. Propozuesit kërkojnë që të rishikohet dhe të ripropozohet ligji për pagën e prokurorëve specialë, që do të hetojnë zyrtarët më të lartë të vendit për çështje korrupsioni.
PROKURORI AMERIKAN
Për ngritjen e Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion, në një intervistë për RadioTelevizionin Publik Shqiptar, ka folur prokurori federal amerikan, Gjon Junçaj, i cili gjatë kësaj kohe ka qenë edhe këshilltar ligjor për antikorrupsionin në ambasadën amerikane. Junçaj u shpreh se funksioni i SPAK është të hetojë korrupsionin e nivelit më të lartë dhe krimit të organizuar. Sipas tij, persona të përfshirë do të mundohen të pengojnë ngritjen e këtij institucioni. “Shtetet e Bashkuara do të mbeten të përkushtuar ndaj këtij misioni. SHBA-të nuk u larguan bashkë me ambasadorin Lu, ky mbetet një prioritet i SHBAve. Ne do të trajnojmë, këshillojmë, do të mbështesim dhe do të vëzhgojmë gjatë gjithë rrugës në lidhje me SPAK dhe Byronë e Hetimit”, u shpreh Junçaj.
SPAK
Ngritja e Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion, do të shkrijë Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe një pjesë e kompetencave të saj do t’i kalojnë gjykatave të rretheve. SPAK nënkupton krijimin e një gjykate dhe prokurorie të dedikuar vetëm për hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e korrupsionit, krimit të organizuar si dhe të gjithë veprave penale nga zyrtarë të kaluar dhe aktualë të nivelit të lartë. Qëllimi i Prokurorisë së Posaçme është pasja e një prokurorie të përgjegjshme dhe të specializuar për të hetuar dhe ndjekur penalisht çështjet e vështira të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe krimet e kryera nga zyrtarë të rëndësishëm, në mënyrë të pavarur dhe pa asnjë ndikim të papërshtatshëm. Me ngritjen e SPAK do të ngrihet Prokuroria e Posaçme dhe Byroja e Hetimit.
KANDIDATËT
KLODIAN BRAHO/ prokuror pranë Prokurorisë për Krime të Rënda
BESNIK MUÇI/ prokuror pranë Prokurorisë për Krime të Rënda
ANTON MARTINI/ prokuror pranë Prokurorisë për Krime të Rënda
ENEID NAKUÇI/ prokuror pranë Prokurorisë për Krime të Rënda
EDVIN KONDILI/ prokuror pranë Prokurorisë për Krime të Rënda
EUGEN BECI/ prokuror pranë Prokurorisë për Krime të Rënda
DOLOREZA MUSABELLIU/ prokuror pranë Prokurorisë për Krime të Rënda
ARBEN KRAJA/ prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme
SHKËLZEN CENA/ prokuror pranë Prokurorisë së Dibrës
VLADIMIR MARA/ prokuror pranë Prokurorisë për Krime të Rënda
DRITAN PRENÇI/ prokuror pranë Prokurorisë për Krime të Rënda
BEHAR DIBRA/ prokuror pranë Prokurorisë për Krime të Rënda
BESIM HAJDARMATAJ/ prokuror pranë Prokurorisë për Krime të Rënda
DORINA BEJKO/ prokurore pranë Prokurorisë së Pogradecit
VATË STAKA/ prokuror pranë Prokurorisë së Shkodrës
\PANORAMA