“Njëqind vjet vetmi” nga Gabriel Garcia Marquez do të vijë së shpejti si një serial në Netflix

Kryesore Kulturë Libri Reportazh / Profil Shkencë & jetë

Javën e kaluar Netflix bëri një njoftim të rëndësishëm ku tregoi se kishte blerë të drejtat për të zhvilluar ndoshta romanin më të famshëm të Gabriel Garcia Marquez, “Njëqind Vjet Vetmi” , në një projekt kinematografik. Më shumë se 50 vjet pasi u publikua libri, kjo do të jetë përshtatja e parë që do ti bëhet në ekran një nga romaneve më të njohur në botë.

Fakti që kurrë nuk ishte realizuar në ekran nuk ka qenë për shkak se mungonte interesi, por pasi vetë autori Marquez ishte i shqetësuar se romani nuk do të përshtatej mirë në një film, apo dhe në dy apo tre filma. Të paktën kështu tregojnë djemtë e tij, Rodrigo Garcia dhe Gonzalo, të cilët do të jenë producentë ekzekutiv të serialit të ri. Gjithashtu ata thanë se babi i tyre kishte marrë shumë oferta, por kishte refuzuar edhe pasi donte që historia të trajtohej vetëm në spanjisht dhe asnjë nga projektet që i ishin prezantuar nuk ja kishte plotësuar kërkesat.

Por çfarë bëri Netflix që i mbushi mendjen djemve të fituesit të çmimit Nobel për letërsinë, për ti shitur të drejtat e librit? Assgjë më shumë se sa i prezantoi statistikat e platformës së filmave dhe i shpjegoi atyre faktin që serialet dhe seritë e limituara të një historie në këtë moment janë më popullore se kurrë tek publiku. Gjithashtu sipas Franciso Ramos, zv.presidentit të Netflix për filmat në spanjisht, suksesi i filmit “Roma” dhe serialit “Narcos”, projekte tërësisht në gjuhë spanjolle dhe me yje latinë, ishin thelbësorë në prezantimin që ata bën.

Për ata që e kanë lexuar romanin, me siguri historinë e kujtojnë shumë mirë, ndërkohë për të tjerët jua përmbledhim me pak fjalë. “Njëqind Vjet Vetmi” tregon jetën përgjatë një shekulli të familjes Buendia, patriarku i së cilës, Jose Arcadio Buendia, themeloi qytetin kolumbian të Macandos. Historia tregon në fakt 100 vjet nga historia e formimit si shtet të Kolumbisë, duke nisur që nga kolonizimi, lindja e qyteteve, diktatura e gjithcka tjetër, nëpërmjet jetë, lindjeve e vdekjeve në familjen Buendia, Konsiderohet një kryevepër e letërsisë latine dhe botërore dhe libri që i dha famën që ka sot realizmit magjik. Që nga publikimi libri ka shitur më shumë se 50 milionë kopje në të gjithë botën dhe është përkthyer në 46 gjuhë.

Është ende herët për të ditur se cilët do ta zhvillojnë serialin, pra skenaristët, regjizorët dhe producentët e tjerë, por e sigurtë është që Netflix është zotuar të punojë me talentet më të mëdhenj të Amerikës Latine për këtë projekt gjigand dhe do të xhirohet i gjithi në Kolumbi. Detajet financiare të marrëveshjes ende nuk janë bërë publike.

Share: