Gjylameti: Opozita do pushtetin në tavolinë, ja ç’mund të ofrojmë

Aktualitet Kryesore Politikë

Deputetja socialiste Blerina Gjylameti deklaroi sot në News24 në rubrikën “Opinion” se opozita kërkon pushtetin në tavolinë e rrjedhimisht cenimin e Kushtetutës.

Gjylameti tha se nuk ka precedentë për atë çfarë do opozita dhe se mbështetja për PS ka qenë falë reformave të ndërmarra.
“Sot kërkohet të ndahet pushteti në tavolinë. Të shkelim demokracinë dhe funksionimin e parlamentit pasi nuk mund të vijnë në pushtet me votë. Më shqetësojnë shumë thirrjet e dhunës.
Nuk besoj se ka precedent në botë që të kërkohet pushteti në tavolinë. Nga 2013 deri në 2017 mbështetja për PS ka qenë falë reformave të ndërmarra. Nuk janë pak arsyet që sot nuk duhet të krijojmë këtë lloj precedenti”, u shpreh ajo.

E pyetur nëse ajo çfarë po ndodh përbën edhe një shqetësim për qytetarët, Gjylameti u shpreh se është më shumë rreth parlamentit dhe se maxhoranca do vazhdojë angazhimin e saj.

“Mendoj se e gjithë situata që ndodh është përreth parlamentit. Nuk e shoh në të gjithë Shqipërinë. Ne do vazhdojmë angazhimin tonë. Nuk mendoj se duhet të ndërpresim rrugëtimin tonë që të arrijmë ëndrrën e çdo shqiptari dhe të përshpejtojmë procesin e integrimit në BE”, tha Gjylameti.

Përveç kësaj, ajo u shpreh e zhgënjyer nga disa kolegë të opozitës që mund t’i kishin thënë ‘jo’ vendimeve të marra.
“Prisja shumë që disa kolegë të opozitës të dilnin jashtë rreshtit për t’i thënë jo një politike që sjell vetëm kaos. Për ne si PS angazhimi ynë është që duhet të vazhdojmë mandatin legjitim për të qeverisur vendin deri në 2021. Ne jemi të hapur për dialogun. Përballja duhet të jetë në tempullin e demokracisë.
Është tërësisht e paprecedentë. Si mund të ndërpritet kontrata me ata që na votuan? Edhe për PD me ata që e kanë votuar. Sovrani ka votuar subjektin politik jo kryetarin. Shqetësimi i qytetarëve shqiptar është të kenë rend, qetësi, ekonomi të qëndrueshme, turizëm që sjell vende pune. Nuk besoj se është shqetësimi i qytetarëve se çfarë do bëjnë tre liderët e politikës”, tha ajo.

Sipas deputetes së PS, reformat duhet të vazhdojnë sepse qytetarët shqiptarë kanë votuar për të parë vazhdimësinë e tyre. “Nuk mund të vendosë vullneti i pakicës mbi shumicën. E kanë njohur rezultatin zgjedhor. Nuk besoj se një qytetar voton sot që të ndahet pushteti në tavolinë e për t’u cenuar Kushtetuta e Republikës”, tha ajo.

E pyetur se çfarë mund t’i ofrojë maxhoranca opozitës, Gjylameti deklaroi: “Çdo gjë që ka të bëjë me përmirësimin e sistemit zgjedhor për sa i përket zgjedhjeve të ardhshme. jemi të hapur të dialogojmë jo të negociojmë për pushtetin. Mendoj që është një përballje politike dhe jo një krizë e vendit”.

Share: