Nga Moikom Zeqo
Të shkruaj dy fjalë me stil epigramatik in memoriam për poetin Koçi Petriti që sapo mbylli sytë përgjithmonë (sytë e poezisë së tij nuk mbyllen kurrë), për mua mikun e tij të vjetër është gati një sfilitje, -trishtimi është mjaft i dendësuar dhe i rëndë- ndonëse çdo vdekje fizike është absolutisht e pashmangshme.
Edhe fjalët kanë spektaklet e tyre, por vdekja e një poeti nuk ka nevojë fare për asgjë të tillë.
Poetët e vërtetë kanë vdekje konvencionale, pa dyshim.
Ekuacioni i lashtë –gati proverbial “se poeti vdes, por jo poezia” nuk është ngushëllues për njeriun konkret, por i vetëmjaftueshëm dhe fisnikërues për poezinë.
Në ditët e sotme të demonizuara nga politika, poezia ngjan si e harruar.Kjo situatë kontradiktore megjithatë flet për semantikën e ndërlikuar të kësaj të vërtete, shpesh këlthitëse, plot shqetësim, trysni, mediokritet masiv, mpirje të shijes poetike.
Ezra Pound ka thënë se “kur poezia e një kombi pëson rënie, kombi atrofizohet dhe kalbet”.
Këtë gjë duhet ta kuptojmë edhe ne shqiptarët se poezia mund të jetë ekuivalente e kombit, ndonjëherë më shumë sesa politika dhe ekonomia, se ajo që mbetet nga një histori kombëtare nuk janë aq kronologjitë e historisë politike, por strukturat kulturore që në shumicën e rasteve duken si të papërfillshme.
Koçi Petriti është një mjeshtër i veçantë i lirikës shqiptare- kjo jo vetëm që nuk është pak, por përkundrazi iluminon fjalën shqipe dhe krijimi poetik e kapërcen autorin-vdekja është një ndalesë, por poezia një lëvizje që nuk ndal.
56 vjet më parë, Koçi Petriti botoi librin e tij të parë poetik “Lirikat e majit” -një libër i çuditshëm, ftillëzues, -larg strukturave estradeske dhe miteve zyrtare politike.
Tërë krijimtaria e tij e mëpasshme është arketipuar ndjesësisht nga ky libër.
Pse?
Koçi Petriti vendosi të jetë përfundimisht një poet lirik, pra vetvetja.
Ai u shqua si një lirik i hollë dhe i denjë dhe emri i tij u afrohet emrave të De Radës, Serembes, Naim Frashërit dhe Lasgush Poradecit, jo në mënyrë të bujshme dhe pretenduese, por me një modesti vërtet lirike si pakkush.
I lidhur me traditën poetike Koçi Petriti modelon risitë e tij në heshtje, por me vetëdije të qartë.
Ai e di se lirika është “poezia e poezisë”, një distilim, një akuarel që mund të mbijetojë sa edhe skalitjet e mermerit. Lirika e tij projekton peizazhin shqiptar duke e kipcuar me shpirtin, -i hap kufijtë nuk i mbyll,- buron nga ekzistenca pa qenë afishja, posteri i ekzistencës.
Poeti amerikan Eduin Muir ka shkruar se “mendimet dhe ndjenjat e thjeshta nuk janë patjetër të cekëta, ashtu si ato të pazakontat e të mprehtat nuk janë patjetër të thella”.
Kjo kuptimshmëri e shumëfishtë e bën lirikën e Koçi Petritit diçka që ripërtërihet- urën e fjalëve të gjalla, sepse përpara tij humnerat janë vetëm pakuptimshmëri e hirtë dhe e hiçtë.
Ai është poet i natyrës, përherë i mahnitur “nga rënkimi mistik i kaut”, mjedis zanafillon poezi të përjetshme me një kureshtje grishëse të parrëfyer.
Ai e përsosi poezinë me një muzikalitet të rrallë -duke u dalluar nga poetët e tjerë bashkëkohorë në këtë hulli.
Metaforika e tij është e guximshme dhe moderne- figurat janë të befta dhe ndonjëherë sureale -moderniteti i poezisë së Koçi Petritit është diçka e fshehur në brendësi- ai nuk është poet i sipërfaqeve.
Gjatë gjysmëshekulli krijimtari, edhe ai si poet e pati një mekanizëm modifikues, siç e ka quajtur vetë në një rrëfim publik, por jo një përshtatshmëri klienteliste si shumë poetë të socrealizmit.
Ai qe njeri i thjeshtë, fjalëpakët, kishte një kujtesë të çuditshme -mbante mend qindra e qindra vargje- sidomos vargjet e Mjedës -pëlqente ta citonte shpesh.
Tërë vitet e fundit larg vëmendjes së mediave ai qe përherë një hulumtues i vëmendshëm i së bukurës dhe poetikës, pra një murg i urdhrit të stërlashtë të poeteve të ngjashëm.
Poezia nuk është thjesht gjëegjëzë e estetikës, ajo nuk është diçka kalimtare, por kuintesenciale.
Poezia nuk është apendiks, apo tepri e kulturës së përgjithshme, por një stimulim enigmatik i kësaj kulture.
Në lirikën e Koçit është trishtimi i ekzistencës, por edhe besimi utopik për të bukurën dhe njerëzoren- humaniteti nuk shpërbëhet, as pluhurizohet.
Lirika e tij restauron kujtesën e zanafillave, përbën një ekologji shpirtërore të natyrshme, kundër çdo deformimi dhe margjinalizmi banal të jetës -i bën më të ndjeshme shqisat tona për të ndjerë, parë dhe kuptuar botën dhe gjithçka, të ardhmen pa apokalis.
Ky poet ka ringjallur strukturat baladike si asnjë tjetër në poezinë tonë të re. Këto balada ku epizmi e përshndrit dhe e bën më inkandeshente lirikën janë kodet e stërmotshme të shqiptarëve që poeti i përfaqëson dhe i rikoncepton me nderim, përkushtim të pafund.
Poezia e tij ka disa herë dhe nivele më të epërme epike -sidomos kur flet për të ardhmen dhe fatin e Shqipërisë së sfilitur në shekuj -kështu ai pozicionohet midis Lasgushit dhe Nolit. Jeta e tij është ajo e një krijuesi të mirëfilltë.
Puna e tij si kritik letrar është në harmoni me veprën letrare- horizonti i tij kulturor ka koordinata mendore dhe instrumentet konceptuale për të bërë analizat dhe sintezat mbi letërsinë shqipe.
Ai u doktorua mbi veprën e Martin Camajt, qe ca kohë edhe dekan në USHT.
Para ca kohësh isha së bashku me poetin Anton Papleka për ta parë në shtëpinë e tij për herën e fundit, i sëmurë rëndë, i shtrirë në shtrat, pranë së shoqes dhe dy djemve, na pa dhe na njohu, por e kishte të pamundur të fliste, sytë e tij u njomën nga lotët -aty ishin tashmë lirikat, bisedat, takimet tona, diskutimet, shakatë, nderimi reciprok, besimi kultik mbi poezinë, gjithçka e shkruar apo e pashkruar më.
Sepse vdekja është diçka e tretë, midis realitetit dhe imagjinatës.
Koçi Petriti e ka vendin e tij të sigurt në panteonin e lirikës shqipe -ai nuk e kërkoi lavdinë- por vargjet e tij e kanë amshimin brenda, – vdekja e tij na bën edhe ne të tjerëve të vdesim prej kësaj vdekjeje, ashtu si poezia e tij na këndell dhe na e shton jetën -që nuk është njësoj me thjesht ekzistencën. Amen!