Gjatë vitit 2018 janë shënuar 1100 raste të bllokimit të personave në ashensorë, vetëm në qytetin e Tiranës. Sipas kronikës së “ABC News”, zjarrfikësit detyrohen të ndërhyjnë mesatarisht tre herë në ditë për të zhbllokuar njerëzit, të cilët jo rrallë herë preken nga frika dhe paniku.
Përgjegjës i Repartit Zjarrfikës, Arif Kullolli, ka thënë për “ABC News” se shumica e bllokimeve shkaktohet nga luhatja e energjisë dhe mbingarkesa.
“Luhatja e energjisë elektrike, mbingarkesa. Te pazari i ri para gjashtë muajsh kishin hipur pesë persona me çanta në duar”, ka thënë ai.
Ai ka shpjeguar se ka një çelës që shërben për zhbllokimin e ashensorit, por ka raste kur veprohet edhe me forcë.
“Nëse çelësat nuk punojnë, ka dëme materiale por kryesorja është të shpëtohen njerëzit”, është shprehur ai për “ABC News”, duke shtuar se kontrolli i ashensorëve, duhet të bëhet të paktën një herë në muaj.
/Abc News