Dita e fundit e shkurtit ka qenë afati përfundimtar që kandidatët për magjistratë, prokuror gjyqtar dhe ndihmesa ligjor, të paraqesin aplikimet për shkollën e magjistraturës.
Zyrtarisht mësohet se kanë paraqitur interes për t’u regjistruar në këtë shkollë mbi 300 juristë, interesim që sipas drejtorit të shkollës ishte i lartë. Drejtori i shkollës së Magjistraturës, Sokol Sadushi për Ora News thotë:
“Në muaj prill do të organizohet testimi dhe fituesit duhet të jenë sipa kuotave të përcaktuara nga këshillat, rreth 50 magjistratë nga të cilët 15 prokurorë dhe 15 gjyqtarë, si edhe 25 këshilltarë ligjorë. Është një numër prej 75 kandidatësh që pritet të fillojnë mësimin në muajin tetor nëse e kalojnë suksesshëm e muajit prill.”
Sadushi thotë se tashmë reforma në drejtësi ka nisur të funksionojë dhe brenda 2019 do të jenë ngritur të gjitha institucionet e reja
“Është shumë e rëndësishme të vijojë me ritme të shpejta procesi i vettingut sepse pa filluar procesi i vettingut për kandidatët aplikojnë në organet përkatëse, si në Gjykatën Kushtetuese apo në Inspektorin e Lartë të Drejtësisë sigurisht që vështirësitë do jenë por mendoj se 2019 do jetë një vit që do kemi organe të ngritura.”, thotë Sadushi.
Për Sadushin mungesa e opozitës në parlament nuk e pengon reformën në tërësi por miratimin e disa ligjeve të saj të cilat janë shfuqizuar nga gjykata kushtetuese
“Politika nuk mund të ndërhyjë dot në gjyqësor, të paktën në drejtim të promovimit të gjyqtarëve, të prokurorëve, pra të ndikimit që më parë e kishte për shkak të mënyrës sesi ishin hartuar normat kushtetuese. Tashmë çdo gjë është në dorë të organeve të gjyqësorit.”, thotë Sokol Sadushi.
Shkolla e magjistraturës do të jetë i vetmi institucion që do të furnizojë tashmë sistemin e drejtësisë me magjistratë, të cilët do të zëvendësojnë të larguarit nga vettingu.