Ja si Donald Trumpi, u vu në lojë nga Kim Jong-un

Analizë Opinion

Nga Josh Rogin

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, shprehet vazhdimisht se dështimi i dekadave të fundit për të pasur një politikë të jashtme me Korenë e Veriut, nënkuptonte se

nuk kishte zgjidhje tjetër, veçse të fillohej gjithçka nga metoda e freskët, personale dhe “madhështore” e zotit Trump.

Por fakt është se tani qasja e Trump ka dështuar, dhe Pheniani po fërkon duart nga përfitime që ka pasur. Dështimi i samitit të fundit në Vietnam, SHBA-Kore e Veriut në Hanoi, është një fitore për udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong-un.

Trump dhe zyrtarët e tij, tashmë e cilësojnë rezultatin si “një barazim”, duke deklaruar se Koreja e Veriut ka premtuar të vazhdojë ndalimin e testimeve, dhe duke pohuar se është bërë përparim i papërcaktuar në bisedime, duke premtuar në fund se negociatat do të vazhdojnë.

Por, duke siguruar një zgjatje të procesit, dhe duke mos lëshuar asnjë të dhënë për denuklearizimin, Kim mund të vazhdojë të përmirësojë aftësitë bërthamore dhe raketore të vendit të tij, të përfitojë nga një regjim sanksionesh gjithnjë e në zbutje, dhe të përfitojë nga statusi i tij i ngritur, si një anëtar i ri dhe i respektuar i bashkësisë ndërkombëtare.

Pyetja reale është:A e kishte planifikuar Kim, se si do të rridhnin gjërat? A e joshi ai Trumpin të shkontë në Hanoi, vetëm për t’i thënë se ai e dinte, se nuk do të mund të pajtohej me kërkesat e SHBA-së? Ka shumë dëshmi se është kjo ajo që ndodhi. Ne dimë shumëçka, pasi vetë Trump e sqaroi atë në konferencën e tij për mediat, para se të shkonte në shtëpi.

Ai tha se, Kim i ishte ofruar të shkatërronte impiantin bërthamor në Jongbjon, por, vetëm në këmbim të lehtësimit të plotë të sanksioneve. “Ata qenë të gatshëm të çmontonim një pjesë të madhe të impianteve që dëshironim ne, por ne s’mund të heqim dorë nga të gjitha sanksionet veyëm për kaq”- tha Trump.

Trump është korrekt; ajo do të qe një marrëveshje e tmerrshme. Jongbjon, përfaqëson vetëm një pjesë të vogël dhe të vjetëruar të infrastrukturës bërthamore të Kim. Por, Trump nuk mund të pretendojë se u habit nga ajo ofertë e dobët. CNN raportoi se zyrtarët e lartë të Trump, e paralajmëruan mbi atë që do të ndodhte.

I dërguari i posaçëm Stefën Biegun, kishte negociuar për javë të tëra me homologët e tij të Koresë së Veriut, por nuk mundi që Koreanët e Veriut të bënin më shumë, qoftë edhe të nënshkruanin një deklaratë mbi atë që ishte diskutuar. Koncepti që Trump, sado karizmatik që është, mund të kapërcente këtë hendek në vetëm disa takime, nuk ishte kurrë i besueshëm.

Në kundërshtim me Trump, ministri i jashtëm i Koresë së Veriut, tha se Kim kishte kërkuar vetëm heqjen e pjeshme të sanksioneve për mbylljen e impiantit në Jongbjon.

Por, edhe kjo do të ishte një marrëveshje e keqe, të paktën sipas Mun Çung-in, këshilltar i Presidentit të Koresë së Jugut, Mun Jae-in. Duke folur në Uashington javën e shkuar, ai tha, se kjo “është një marrëveshje e mirë për Korenë e Veriut, dhe një marrëveshje e keqe për Shtetet e Bashkuara”.

Askush nuk po nxitet më shumë se palët, për një marrëveshje mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut, sesa qeveria e Koresë së Jugut. Nëse SHBA-ja nuk e dinte që s’mund ta pranonte marrëveshjen e propozuar nga Kim, Kim sigurisht që e dinte këtë. Ai është një person i lig, por jo budalla.

Me shumë gjasa, oferta e Kim ishte një karamele e helmuar, që nënkuptonte thjeshte një fleksibilitet të mjaftueshëm për të sjellë Trumpin në Hanoi, por për të siguruar që negociatat të dështonin. Trump shkoi dhe ra direkt në grackën e Kim, dhe duket se ende nuk po e kupton këtë.

Për më tepër, Trump bëri dy gabime të mëdha. Ai nuk pranoi të thoshte se qëllimi i negociatave, ishte denukleraizimi i plotë i Koresë së Veriut. “Unë nuk dua ta vendos veten në atë pozitë, nga pikëpamja e negociatave”’ tha ai. Kjo kundërshton gjithçka që zyrtarët e tij vazhdojnë të thonë, dhe që në fakt e dobëson pozicionin e tij negociues.

Ndërkohë presidenti amerikan, e lejoi Kim të tërhiqej nga kërkesa për hetimin e rastit të Oto Uormbier, studenti amerikan i burgosur për disa javë në vendin komunist, dhe që vdiq disa ditë pasi ishte rikthyer në SHBA nga Koreja e Veriut. Duke pranuar pretendimin e Kim se nuk ishte në dijeni të trajtimit të Uormbier, Trump i besoi sërish një diktatori mbi zyrtarët e tij, teksa minoi çdo përpjekje të ardhshme nga familja e viktimës, për të bërë Kim përgjegjës për vdekjen e djalit të tyre.

Sekretari amerikan i Shtetit, Majk Pompeo, pohoi në mënyrë të përsëritur se në Hanoi pati  përparime në bisedime, por ai dha zero informacion mbi atë që po fliste. Brenda administratës, ka tashmë një Plan B, në rast se përpjekja e Pompeos në fund do të dështojë.

Përveç kësaj, ka edhe një zgjidhje tjetër, për të shmangur shkuarjen në luftë, një përzierje e parandalimit, kontrollit dhe rikthimit në presionin maksimal, të koordinuar me aleatët e Amerikës. Kjo e fundit është më e mundshme, dhe sa më gjatë që presim të vihemi në lojë nga Pheniani, aq më e vështirë do të jetë.

Sikurse u shpreh senatori demokrat Robert Menendez, samiti i Hanoit na tregoi “orën amatore me armët bërthamore në skadencë, dhe kufijtë e diplomacisë televizive”. Trump mund të shohë një përfitim personal tek zgjatja e marrëdhënies së tij të dashurisë me Kim, duke e kolovitur edhe botën në këtë përpjekje sizifiane.

Por, era e keqe e dështimit të këtij samiti, dhe rreziqet e kërcënimit nga Koreja e Veriut, vetëm sa po rriten me kalimin e kohës. Asnjë marrëveshje, është më mirë se sa një marrëveshje e keqe, por Trump po vihet sërish në lojë nga Kim, dhe më keq se më parë.

“The Washington Post” – Bota.al

Share: