Abuzuan me tenderat e ministrisë së Drejtësisë, arrestohen katër zyrtarë

Aktualitet Kronikë

Katër ish-zyrtarë të ministrisë së Drejtësisë janë janë vënë në pranga, pasi akuzohen për shpërdorim detyre.

Arrestimi i tyre është bërë pas një hetimi të Prokurorisë së Tiranës për periudhën kohore 2016-2017, ku u zbulua dhe abuzimi i tyre me tenderat e ministrisë së Drejtësisë.

Sipas news24, në pranga kanë rënë Juliana Hoxha ish sekretare e Pergjithshme, Aurel Lamçe, drejtori i Sherbimeve Mbeshtetese dhe dy specialiste IT, Lysien Ali dhe Arlind Alikaj.

Në hetimet e Prokurorisë janë përfshirë 12 persona të cilët po ashtu dyshohen se kanë shpërdoruar detyrën.

Prokuroria e Tiranës hetoi në 5 tendera, konkretisht:

1.Mirëmbajtja dhe mbikqyrja e sistemit ICMIS në 7 Gjykatat Administrative

2.Përmirësimi i sistemit të mbikqyrjes elektronike në fushën penale

3.Përmirësimi, Zhvillimi dhe Mirëmbajtja e Regjistrit Noterial Shqiptar

4.Sistemi i Monitorimit me kamera për burgun e Lezhës dhe Fushë Krujës

5.Përmirësimi dhe mirëmbajtja e sistemit elektronik të çështjeve të përmbarimit

Shkeljet janë evidentuar fillimisht nga grupi i inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë, e më pas dhe nga grupi i inspektimit të Ministrisë së Financave.

Siç bëhet me dije, “hetimet kanë nxjerre në pah shkeljet e evidentuara të shoqëruara me pasoja të mëdha për buxhetin e shtetit. Disa nga sistemet objekt të këtyre procedurave të prokurimit në një pjesë të madhe nuk janë funksionale”.

Për këtë çështje janë dhënë masa për ish-sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorin e  Shërbimeve Mbështetëse si dhe specialistët e IT.

Hetimet kanë pasur në fokus funksionarët publik që kanë qenë pjesë e njësive të prokurimit, komisioneve të verifikimit të ofertave dhe komisioneve për mbikqyrjen e zbatimit të kontratave.

Share: