Raportuesi për Shqipërinë në PE, eurodeputeti Knut Fleckenstein dënoi sërish vendimin e opozitës për djegien e mandate. “Heqja dorë nga mandatet në Parlament është një sinjal i keq ndaj shteteve anëtare të BE-së . Ajo që ndodhi ditët e fundit në Tiranë, kur opozita hoqi dorë nga mandatet në Parlament nuk ndihmon askënd”.
Eurodeputeti apelon që të mos keqpërdoret liria për të demonstruar akte në mënyrë të dhunshme .
“Mendoj se gjëja më e rëndësishme është që asgjë nuk duhet ta pengojë Shqipërinë në rrugën e saj për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit. Për këtë them se protestat janë të rëndësishme dhe një element thelbësor i shoqërisë demokratike, por ato duhet të jenë paqësore. Dhe politikanët që u kërkojnë njerëzve të bëjnë protesta të dhunshme nuk janë produktivë në këtë drejtim.
Duhet të ketë një dialog konstruktiv mes njerëzve, opozitës dhe qeverisë, kështu që Bashkimi Europian kupton se Shqipëria është gati dhe e maturuar si duhet për t’u përballuar me pritshmëritë e mëdha dhe kushtet në procesin e anëtarësimit.
Këshillat e mia janë pra të thjeshta:
- vazhdoni me reformat.
- për parlamentin: ktheju punës!
- Mos keqpërdorni lirinë për të demonstruar duke kryer akte të dhunshme dhe as mos i merrni në konsideratë raste të tilla”, deklaroi eurodeputeti.
Eurodeputeti ripërsëriti apelin për opozitën për t’u kthyer në parlament.
“Parlamenti është vendi ku duhet të punoni për të ndryshuar jetën e njerëzve për të mirë. Dhe natyrisht është gjithashtu një sinjal i keq ndaj shteteve anëtare të BE-së përpara takimit vendimtar të Këshillit në qershor 2019”.
Fleckenstein tha se është koha për të hapur më në fund negociatat
“Këshilli i Europës do të marrë një vendim nëse do të hapë negociatat e anëtarësimit ose jo në qershor 2019. Prisnim që Këshilli ta bënte këtë në qershor 2018 dhe mendoj se tani është koha për të hapur më në fund negociatat”.