Opozita ka goditur sistemin, jo Edi Ramën

Analizë Opinion

Nga Skënder Minxhozi

Retorika dhe ndarja në kampe e debatit politik në Shqipëri, ka bërë që me kalimin e ditëve të fillojë të krijohet një përshtypje se ajo që ndodhi me ikjen e opozitës nga parlamenti është diçka normale, se gjëra të tilla kanë ndodhur edhe më parë, se opozitës i kishte ardhur shpirti në majë të hundës etj etj.

Ky balancim “të drejtash” është një fenomen fals dhe që ka të bëjë me rreshtimin politik të debatuesve, opinionbërjes dhe mediave.

E vërteta është se edhe pasi opozita e ka vulosur tashmë ikjen e saj nga Kuvendi, akti i saj mbetet po aq i panatyrshëm, destruktiv dhe i rrezikshëm sa ditën e parë kur u njoftua nga Lulzim Basha.

Të gjithë ata që sot flasin për tronditje dhe delegjitimim të pushtetit aktual të Edi Ramës për shkak të dorëheqjes kolektive të opozitës, janë në fakt duke thënë vetem një pjesë të të vërtetës. Përtej boshllëkut real që opozita ka lënë në bangot e parlamentit, duke e vënë në pozitë të vështirë institucionin më të rëndësishëm të vendit, PD dhe LSI kanë mbjellë farën e paragjykimit dhe destabilizimit të sistemit për shumë vite të ardhme.

Dy janë viktimat reale të djegies kolektive të mandateve: sistemi dhe procesi i dialogut. Dorëheqja kolektive nga detyra e përfaqësimit të zgjedhësve e deputetëve shqiptarë, ka provokuar një valë reagimesh (që të gjitha negative), nga institucionet kryesore dhe qeveritë e huaja që ndjekin ngjarjet në Shqipëri. Është një reagim i pritshëm edhe nga vetë demokratët, të cilët kanë deklaruar se i kuptojnë qëndrimet e ndërkombëtarëve.

Por këta të fundit e kanë të pamundur ta kuptojnë përsenë e një gjesti të tillë. Sistemi parlamentar i përfaqësimit, është një mekanizëm i kolauduar prej kohësh që s’mbahen mend në botën demokratike perëndimore. Ai ka ardhur në statusin aktual pas dramash e luftrash të përgjakshme, si mekanizmi më i mirë e më demokratik i qeverisjes.

Përmbysjet revolucionare dhe devijimet e skajshme ndaj kësaj forme organizimi të shtetit dhe institucioneve, ku bën pjesë edhe refuzimi për të marrë mbi vete përgjegjësinë e përfaqësimit të votës, janë tabuja e madhe dhe e paprekshme për të gjitha qeveritë dhe organizmat që rregullojnë botën e sotme demokratike. Deklarimet e sotme të amerikanëve e europianëve po na thonë se opozita shqiptare ka shkelur pikërisht këtë “buton” tabu.

Është tejet e vështirë që të gjesh sot, nga bregu tjetër i Atlantikut, e deri në kufinjtë e Kaukazit, një qeveri, politikan apo përfaqësues normal të votuar, që të bjerë dakord me heqjen dorë nga mandati që populli i ka dhënë përfaqësuesve të vet. Është njëlloj si të biesh dakord me rënien e sistemit, mbi të cilin ndërtohet e gjithë superstruktura e shoqërive të sotme demokratike.

Prandaj nuk duhet të habitemi kur dhjetë ditë pas vendimit të opozitës shqiptare për të djegur mandatet parlamentare, nuk ka ende as edhe një deklarim të vetëm solidarizues apo aprovues, nga asnjë vend, parti aleate apo organizëm ndërkombëtar.

Viktima e dytë e djegies së mandateve opozitare është dialogu dhe hapësira për parashtrimin dhe rezultatin e tij final. Opozita ka mbyllur derën dhe ka hedhur çelësin nga dritarja. Ajo ndodhet tashmë në pamundësi ligjore për t’u rikthyer eventualisht në parlament dhe kërkon qeveri teknike e zgjedhje të parakohshme.

Nga këto rrethana, ajo më e rëndësishmja, rikthimi në parlament pas një kompromisi eventual, është tashmë formalisht e pamundur. Dhe është gjesti që më së shumti është kritikuar e sulmuar nga ndërkombëtarët. Edhe sot Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës i bënte thirrje opozitës të rikonsiderojë qëndrimin e të kthehet në parlament. Paralelisht me këtë deklaratë, mësojmë se KQZ ka shpallur vakancat për zëvendësimin e deputetëve të dorëhequr. Pra, KE dhe gjithë të tjerët me të, janë tashmë vonë.

Çfarë dialogu mund të ketë mbi këtë bazë? Si do dialogosh kur njëra palë ka dalë vullnetarisht jashtë sistemit dhe ka marrë në dorë shishet me lëndë djegëse?

Thirrjet e ndërkombëtarëve për dialog janë një pozicion fillestar për uljen e tensionit dhe kjo është e kuptueshme. Dialog duhet të ketë në çfarëdo rrethane. Por kur premisat e një kompromisi janë të djegura qysh në krye të herës, atëhere dialogu mbetet thjesht retorikë shterpe, pa asnjë rezultat bindës.

Ka nisur një krizë e gjatë për sot dhe për nesër. Madje më shumë për nesër, sesa për sot. Me krijimin e premisës së përmbysjes së pushtetit sa herë që njëra nga palët nuk pëlqen të rrijë në opozitë, krijohet një precedent që shkon shumë përtej rëndësisë që ka maxhoranca e Edi Ramës.

Opozita i ka hapur vetes, më shumë sesa kundërshtarit, derën e arbitraritetit për dekadat që do të vijnë, sepse do të dalë përherë dikush që s’do ta pëlqejë faktin që ajo, pra opozita e sotme, do të jetë në qeveri, ndërsa të tjerët në rrugë.

Djegia e mandateve është një traumë e të ardhmes, më shumë sesa një plagë e hapur dhe e rrezikshme e të tashmes. Këtë bën sikur s’e kupton Lulzim Basha, i cili ka hallin të djegë sot Edi Ramën. Le të bëhet nami nesër…

Share: