Tahiri: Idenë për shkëmbim territoresh e solli Rama te Thaçi nga Beogradi

Aktualitet Kryesore Politikë

Ish- kryenegociatorja në bisedimet Kosovë- Serbi, Edita Tahiri, ka thënë se idenë për shkëmbimin e territoreve të cilën e ka shpalosur Presidenti Thaçi gjatë vitit të kaluar, e ka sjellë nga Beogradi në Prishtinë kryeministri shqiptar, Edi Rama. Këtë ajo thotë të ketë zbuluar gjatë kohës sa ishte ende në detyrë për dialogun në mes Kosovës dhe Serisë.

Ish kryenegociatorja këto i tha në një intervistë për KALLXO.com.

“Zbulova pikërisht se z. Rama kur ka qenë në Serbi në tetor 2016 në një vizitë dy ditëshe, i është thanë ideja e shkëmbimit të territoreve, dhe ai në vend se ta prejë këtë rrugë dhe dhe ta kundërshtojë Serbinë, e ka sjellë në Prishtinë te z. Thaçi. Kur e kam kuptuar këtë, i kam kuptuar edhe shumë të tjera që lidhen me takimet që janë mbajtur e të tjera. Ajo që di unë nga angazhimet diplomatike, deri në maj të vitit 2018, as ShBA-ja as BE-ja nuk kanë lejuar këto biseda të ndodhin. Pastaj, se çfarë ndodhi, pse Mogherini këtë anë antievropiane, tregoi gatishmëri të shkelë parimet evropiane, këtë nuk e di dhe nuk mund ta them”.

Tahiri ka folur edhe për taksën që Qeveria e Kosovës ka vendosur ndaj mallrave serbe dhe boshnjake dhe rolin e ShBA-së dhe BE-së në dialog.

Taksa është masa e vetme që pati Haradinaj në dorë për t’ia ndalë rrugën ndryshimit të kufijve. E di që interpretohet si taksë kundër Serbisë, jo, jo, kjo është taksë për ta bllokuar dialogun për ta bllokuar këtë ide të rrezikshme për Kosovën dhe për rajonin”, ka thënë ajo në intervistën për KALLXO.com.

Ish- kryenegociatorja Tahiri ka thënë se Bashkimi Evropian është i ndarë sa i përket Kosovës.

“Tani nuk ka një Bashkim Evropian, janë dy. Një është Bashkimi Evropian i zonjës Mogherini dhe një është i fuqive të mëdha evropiane që marrin vendime për gjëra gjeopolitike. Ka dy BE sepse zyra e Mogherinit dhe vetë ajo nuk e respekton parimet evropiane, përkundrazi i ka shkelur”, ka deklaruar ajo.

Tahiri ka folur po ashtu edhe për ekipin negociator të formuar nga koalicioni qeverisës dhe partia opozitare PSD. Sipas saj, ky delegacion më shumë shihet si shoqërues i Presidentit, ndërsa për PSD-në ajo tha se si parti nuk përfaqëson legjitimitet.

Këtu nuk dihet kush është kush. Në njërën anë është Thaçi që shkon vazhdimisht në bisedime, ky delegacion mund të jetë një mekanizëm shoqërues, apo nuk e kuptoj. E para, vetë përbërja është shumë improvizuese dhe e çuditshme, sepse kjo parti opozitare, PSD, që është e vogël dhe që nuk është e verifikuar si parti sepse ka ardhur me partinë e Vetëvendosjes, nuk ka legjitimitet”, tha ajo.

Share: