Ish-ministri i Mbrojtjes i PD-së, Gazmend Oketa, një nga kritikët e ashpër të Berishës në mandatin e dytë qeverisës, thotë se duhet rrëzuar urgjentisht pakti Rama-Berisha i vitit 2008, pasi ato ndryshime i kanë zënë frymën sistemit politik dhe kanë ulur nivelin e parlamentarizmit në kufij injorantësh.
“Po rendis disa arsye të cilat mendoj se na çuan në këtë situatë. Së pari është sistemi politik që është ndërtuar në Shqipëri pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008. Pasojat negative të prishjes së balancave dhe raportit ndërmjet institucioneve të shtetit shqiptar sot po shfaqen fare qartë dhe janë të kuptueshme e të prekshme dhe nga qytetarët e thjeshtë. Shqipëria ka sot parlamentin me përbërjen më injorante dhe më të inkriminuar në të gjithë historinë e parlamentarizmit shqiptar. Ka nevojë ulëritëse për një korrigjim të sistemit dhe të gabimeve të bëra në 2008-ën” – thotë Oketa.
Ai shton se sjellja e kryeministrit e ka rënduar situatën
“Në gjykimin tim, duket sikur z. Rama nuk e ka kuptuar asnjëherë se është kryeministër. Fyen dhe përbuz pa limit kritikët e tij, edhe kur këta të fundit janë të paangazhuar politikisht. Por edhe propagandës më të mirë një ditë i vjen fundi. Qytetarët nuk i ushqejnë dot familjet e tyre me ironi, edhe kur ironia është kryeministrore. Meqënëse z. Rama e quan politikën lojë shahu, me këtë lëvizjen e mandateve atij i është dhënë shah. Lëvizjen me ndryshime në kabinetin qeverisës ai e konsumoi. Tani i ka mbetur të lëvizë veten” – komenton ish-ministri.