Dialogu mes qeverisë e opozitës u sugjerua nga faktori ndërkombëtar si e vetmja rrugë për të dalë nga kriza politike, ku është futur Shqipëria, pasi deputetët e opozitës hoqën dorë nga mandatet e tyre parlamentare.
Të pazakontë krizën politike të saposhfaqur e bën pespektiva e paralizës së jetës parlamentare dhe potenciali i protestave për të destabilizuar vendin. Me heqjen dorë zyrtarisht nga mandatet parlamentare, opozita e zhvendosi debatin dhe luftën politike nga parlamenti në rrugë. Thirrjet e aleatëve strategjikë të Shqipërisë, BE dhe SHBA, për të mos djegur mandatet e saj parlamentare mbetën pa u dëgjuar. Ambasadori i Delegacionit të BE, Luigi Soreca, e cilësoi të premten hapin e paprecedentë të opozitës “një vendim që e ka futur vendin në një fazë pasigurie të lartë politike dhe që minon vazhdimësinë e hyrjes së Shqipërisë në BE”.
Edhe Zv/Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën, Matthew Palmer, i quajti “dorëheqjet e koordinuara dhe në masë të deputetëve të opozitës nga parlamenti, dëmtim të përpjekjeve për reforma dhe të një institucioni të rëndësishëm të demokracisë”, Parlamentit.
Gjermania, mbështetësja e fuqishme e Shqipërisë në reformat për progres në integrimin europian, është në të njëjtën linjë. Në deklaratën e deputetit gjerman, Florian Hahn, theksohet, se ”deputetët e partive tona partnere në Shqipëri i bënë autogol qëllimit të tyre, nëse nëpërmjet dorëzimit masiv të mandateve do të shkaktojnë një stanjacion politik dhe do të nxisin protesta të dhunshme”.
Pse dalin në protestat e opozitës qytetarët?
Stanjacioni politik është në prag. Zhvillim i protestave edhe me incidente dhune nuk përjashtohet. Kryetari i PD, ish-deputeti Lulzim Basha, tha të premten,( 22.02) se “do të vazhdojë aksioni qytetar pas djegies së mandateve me protesta lokale dhe kombëtare si edhe me përgatitjen e PD për zgjedhje”. Monika Kryemadhi , kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim, (LSI) pjesë e opozitës së djathtë, tha pas protestës së opozitës para Parlamentit se nuk përjashtohen edhe “shpërthime tritoli”. Opozita kërkon rrezimin e qeverisë Rama pa mbyllur mandatin e saj të dytë, në 2021, pasi sipas saj ajo është „e korruptuar, e lidhur me krimin dhe e ardhur në pushtet me vota të vjedhura”.
Presioni qytetar ndaj qeverisë Rama 2, muajt e fundit është shprehur me protesta këmbëngulëse. Banorët e Astirit, një zonë e Tiranës, ku është projektuar të kalojë Unaza e Re, janë në protest prej disa muajsh, të drejtuar nga opozita pasi projekti prek banesat e tyre. Por opozita kërkoi rrëzimin e qeverisë, kur plasi një skandal korrupsioni: kur tenderin e ndërtimit të një segmenti të unazës së re e fitoi një kompani fantazëm, me dokumenta të falsifikuara, që mori 18 milionë euro nga fondet shtetërore dhe menaxheri i saj nuk gjendet nga organet e drejtësisë që po hetojnë skandalin. Opozita e quajti skandalin “vjedhje nga qeveria”. Në dhjetor pasuan protestat e studentëve që kërkuan tarifa më të ulta për shkollim dhe kushte më të mira jetese në konvikte. Ndërkohë largimi i njerëzve, sidomos i rinisë, nga Shqipëria për shkak të papunësisë, varfërisë, mungesës së perspektivës është një shkak tjetër i pakënaqëesisë nga qeveria Rama.
“I papunë” – shqetësimi kryesor i protestuesve
Edhe pse Shqipëria ia doli mbanë të ketë në 2018, një rritje ekonomike më të madhe se një vit më parë, duket qartë se jo të gjithë shqiptarët e shohin rritjen në jetën e tyre të përditshme. Ylli Kapa, protestues nga Tirana, thotë për DW: “Protestoj kundër kësaj qeverie dhe kryeministrit Rama se jam i papunë që prej 5 vitesh, jam mekanik, kam qënë i punësuar në ndërmarrje shtetërore.” Një tjetër protestues, nga Erseka merr pjesë në protestën e opozitës në Tiranë për të njëjtën arsye. „Protestoj për të drejtën time që të punoj. Jam vetë i pestë në shtëpi, asnjë nuk punon, shkoj emigrant me punë sezonale në Greqi. Jetojmë duke shitur bimë medicinale që i mbledh gjithë familja në mal”.
Kryeministri Rama, pranoi pas përfundimit të protestës para Parlamentit që “nuk është i pagabueshëm”. Por protestat e opozitës i sheh të frymëzuara nga frika e saj për humbjen e zgjedhjeve lokale, në qershor të këtij viti, dhe fillimi i funksionimit të Strukturës së Posacme Anti Korrupsion dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, që do të hetojnë korrupsionin e politikanëve të lartë, që sipas kryeministrit Rama do të ndajnë ”akuzat nga krimi”.
/DW