Kancelari austriak takon Trump: Mbështesim shkëmbimin e territoreve Kosovë- Serbi!

Aktualitet Kryesore Politikë Rajon/Botë

Kancelari austriak Sebastian Kurz i cili po viziton Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka zhvilluar nje takim me Presidentin e SHBA-së Donald Trump. Sipas ambasadorit amerikan në Vjenë, Trump tashmë e ka përzgjedhur Kurzin si ndërmjetës për komunikim me Bashkimin Evropian, me të cilin nuk pajtohet rreth çështjeve të tregtisë. Kancelari Kurz, para Trump, sipas mediave austriake, ka thënë se e mbështet korrigjimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë edhe pse e konsideron ide të rrezikshme.

Forumi i Aplbachut në Austri i organizuar nga kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, ka qenë vendi kur për herë të parë ka dalë në publik ideja për korrigjim të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në atë forum, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksander Vuçiq, ngjizën publikisht idenë e tyre të përbashkët për korrigjim të kufijve dhe shkëmbim të territoreve, si një lëvizje e cila do të dërgonte në zgjidhjen finale të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Ai organizim në Alpbach, për shumë njohës të politikës së jashtme, u pa si një përpjekje e Kurzit dhe Austrisë për t’u përfshirë sa më shumë në çështjen e zgjidhjes së konfliktit shekullor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Që nga ajo kohë e deri sot, i vetmi politikan i huaj i cili ka dalë hapur në mbështetje të një ideje për lojë me kufijtë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është kancelari austriak, Kurz. Ai mbështetjen e tij për korrigjimin e kufijve ia ka thënë sot edhe presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, administrata e të cilit ende deri sot nuk është shprehur eksplicit se e përkrah ose jo korrigjimin e kufijve. Gjithçka që është thënë nga SHBA-të, ka qenë që e mbështesin një zgjidhje për të cilën pajtohen Republika e Kosovës dhe Serbia.

Përveç qëndrimit për korrigjim të kufijve, Kurz madje i ka kërkuar Trumpit edhe përfshirje më të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Në Kosovë, SHBA-ja ka një pozitë shumë të fortë, gjë që mund të përdoret pozitivisht”, ka thënë kancelari austriak. .

“Austria e sheh me mjaft pozitivitet dialogun ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, dhe gjithashtu mbështet idenë për shkëmbim të territoreve edhe pse një gjë e tillë konsiderohet si e rrezikshme”, është shprehur Kurz në takimin me Donald Trump, sipas agjencisë së lajmeve austriake ATA.

Sipas tij nëse Kosova dhe Serbia pajtohen për diçka, atëherë askush nga BE-ja dhe SHBA-të nuk duhet t’i pengojë. Megjithatë kjo ide është kundërshtuar nga Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe të gjithë shtetet e Ballkanit.

Kancelarja Angela Merkel eshte shprehur se nuk e mbështet një ide për korrigjim të kufijve, sepse një gjë e tillë do të nxiste tensione në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kundër korrigjimit të kufijve kanë dalë edhe Kroacia e Sllovenia. Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka thënë se marrëveshja finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk duhet të bazohet në parime etnike.

Share: