Botohet libri biografik për mjekun e mirënjohur Sali Kurti

Aktualitet Kulturë

Pak ditë më parë doli në qarkullim libri “Mjeku që jetësoi çdo ëndërr” kushtuar jetës dhe veprimtarisë profesionale të dr. Sali Kurtit, i cili ka një karrierë të spikatur në fushën e stomatologjisë si mjek dhe si profesor i disa brezave universitarë. Ai është i vetmi mjek stomatolog i dekoruar nga institucioni i Presidencës së Republikës me titullin “Mjeshtër i madh”, për shkak të rezultateve praktike që ka shpërfaqur në fushën e protetikës, por edhe si drejtues i shërbimit stomatologjik prej shumë vitesh.

Libri biografik “Mjeku që jetësoi çdo ëndërr” është shkruar nga shkrimtarja dhe studiuesja Jolanda Lila, e cila ka paraqitur mjeshtërisht të gjithë rrugëtimin e deritanishëm jetësor të kësaj figure të ndritur të mjekësisë shqiptare, i cili njihet veç të tjerash edhe për karakterin e fortë, këmbënguljen, zemërgjerësinë dhe frymëzimin prej së mirës, tipare të cilat dalin edhe në faqet e këtij libri. Autorja qysh në hyrje të librit, e sintetizon kështu jetën e tij: “Një trajektore jetësore me lakadredha, befasi dhe me një hov të përhershëm, hov që nuk u ndal kurrë as përballë shtrëngatave që ngritën përjetë rreth tij dallgët gjëmuese të jetës. Guximi, optimizmi, sinqeriteti, humori i mirë, vullneti, puna e madhe: dashuria për jetën, për natyrën e të bukurën në përgjithësi; ndjeshmëria e thellë për çdo qenie njerëzore, si dhe ndjenjat e forta për familjen, e bënë dr. Saliun që t’i davariste një e nga një retë e stuhishme, të cilat e shoqëruan që në lindje”.

Libri është strukturuar në njëzet kapituj, me 292 faqe në total dhe paraqet momentet kryesore e vendimtare të jetës 75-vjeçare të dr. Sali Kurtit. Veç dëshmive dhe intervistës me personazhin kryesor të librit (ilustruar edhe me dokumente fotografike), janë shfrytëzuar edhe një bazë më e gjerë dokumentare e treguese përmes bisedave me miq, familjarë dhe kolegë ndër vite të doktorit, të dhëna të cilat kanë shërbyer për ta përcjellë më të plotë profilin e tij njerëzor e profesional.

Libri “Dr. Sali Kurti- Mjeku që jetësoi çdo ëndërr” është redaktuar nga studiuesi dhe historiani i shtypit shqiptar, prof. dr. Hamit Boriçi, i cili ka vlerësuar nivelin e lartë të kësaj biografie të letrarizuar, që sipas tij, i kushtohet një prej figurave të shquara të stomatologjisë shqiptare, mjekut iluminist dhe humanist Dr. Sali Kurti. Jetën e këtij mjeku, autorja Jolanda Lila e ka pasqyruar në mënyrë krijuese; e ka shtjelluar përmes analizave të ngjarjeve, përjetimeve dhe veprimtarive të heroit në rrugëtimin e tij shumëvjeçar;  të dukurive e zhvillimeve historike në rrjedhën e viteve deri në ditët tona” – thekson në fjalën hyrëse të librit, prof. dr. Hamit Boriçi.

Njohja me rrugëtimin jetësor të dr. Sali Kurtit është një proces me shumë dimensione dhe me disa linja rrëfimi, të cilat shërbejnë edhe si një leksion motivues praktik, sepse dr. Saliu me modelin dhe kredon e vet jetësore, ndez shpresën brenda shpirtit të gjithkujt.

 

Share: