Opozita do të mbushë sot sërish Tiranën me mbështetësit e saj për të protestuar kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë e për zgjedhje të lira me moton “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. 1700 forca policie do të jenë në terren për të ruajtur rendin dhe qetësinë. Efektivët e policisë janë vendosur gardh rreth Kryeministrisë, ndërsa janë mbuluar me dritaret dhe dyert e institucionit. Kryeministri Edi Rama ka ftuar disa herë kundërshtarin e tij politik në tryezën e dialogut, por lideri i PD-së, Lulzim Basha duket se është i vendosur në kauzën e tij. Në mënyrë të përsëritur shefi i ekzekutivit iu drejtua Bashës me katër letra publike duke i kërkuar dialog pa kushte, pasi siç pohonte mes tjerash kryeministri, koha nuk pret sepse 30 qershori po afron.
Lideri i selisë blu ka mohuar në formë kategorike një dialog në këto kushte, ndërsa ka shtuar se kryefjala e kauzës së opozitës së bashkuar është largimi i kryeministrit Rama dhe krijimi i qeverisë tranzitore. Sipas Bashës, këto janë dy parakushte që do të ndihmojnë në zgjidhjen e krizës politike, e cila prej kohësh në fakt është shoqëruar me argumente dhe akuza të forta në distancë mes palëve.
Ndërkohë ende nuk ka detaje për formën se si do të organizohet dhe sa do të zgjasë kjo protestë, por ndërkohë dje lideri demokrat nga Mati, teksa i ftoi qytetarët të marrin pjesë në protestë i dërgoi një tjetër mesazh kryeministrit se nuk ka asnjë hap pas në synimet e opozitës, pavarësisht thirrjeve të Ramës përmes letrave për dialog pa kushte.
Por duket se ‘ujërat’ politikë në vend disi janë trazuar pas apelit të koalicionit gjerman CDU/CSU, i cili përmes një deklarate për mediat ftoi partitë në Shqipëri të ulen në dialog dhe të diskutojnë për të gjitha temat, pa përjashtuar edhe mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve të 30 qershori.
Në të njëjtën gjatësi valë u vendos edhe presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili dje dha një mesazh të fortë duke theksuar se është i gatshëm të sakrifikojë edhe mandatin, me qëllim që palët të gjejnë zgjidhje për krizën ku ndodhen aktualisht vendi. Gjithashtu kreu i shtetit theksoi se do të jetë i hapur të dekretojë një tjetër datë për zgjedhjet lokale, ndërsa iu bëri apel palëve që të jenë më të përgjegjshme dhe të shohin me përparësi interesat kombëtare të vendit.
Protesta/ Zbulohet plani i FRPD, ja çfarë mbajnë në krahë
Pak minuta para nisjes së protestës, zbulohen detaje të reja nga skenari i opozitës. Gazetari Klajdi Bodlli raportoi për “BalkanWeb” se 300 anëtarë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike do të mbajnë në krahë një shirit të bardhë në shenjë paqeje. Ata do të pozicionohen pra kordonit të policisë për të evituar përplasjes mes protestuesve dhe forcave të policisë dhe dhunës.
PD nxjerr shifrat: Ja sa qytetarë nga rrethet do jenë në protestë
Plot 62 450 protestues nga rrethet janë nisur për në Tiranë për të marrë pjesë në protestën e opozitës. Kjo është shifra që jep Partia Demokratike duke iu referuar të dhënave nga degët e saj në 11 qarqet e vendit përveç Tiranës.
Burime nga PD bëjnë të ditur se “pavarësisht presionit të policisë, ndalimeve të shumta të protestuesve, të gjobave ndaj autobusëve, prania e qytetarëve pritet të jetë madhështore”.
Qarku Shkodër – 9450 qytetarë
Qarku Lezhe – 7300 qytetarë
Qarku Kukës – 3800 qytetarë
Qarku Dibër – 3500 qytetarë
Qarku Durrës – 9800 qytetarë
Qarku Elbasan – 8100 qytetarë
Qarku Berat – 3000 qytetarë
Qarku Fier – 5600 qytetarë
Qarku Vlorë – 5000 qytetarë
Qarku Gjirokastër – 2200 qytetarë
Qarku Korçe – 4700 qytetarë
Një orë nga protesta, ‘blindohet’ kryeministria
Rreth një orë nga nisja e protestës së opozitës së bashkuar, forca të shumta policie kanë bërë gardh, godinën e kryeministrisë. Efektivë të forcave të rendit, janë vendosur në rresht pas gardhit metalik që rrethon godinën.
Forca të shumta policia ndodhen në të katër anët e godinës qeveritare, të cilat duket të jenë më të shumtë në numër krahasuar me protestat e mëparshme.
Opozita e bashkuar pritet të mblidhet sot në protestën e shtatë kombëtare, kundër qeverisë Rama. Pavarësisht ftesave të njëpasnjëshme të kryeministrit Edi Rama, kryedemokrati Basha nuk ka ‘lëshuar pe’ nga qëndrimi i tij, largimi i kreut të qeverisë dhe krijim i një qeverie tranzitore që do të cojë vendin në zgjedhje të lira.
Makinat me protestues nisen nga Elbasani, kontrolle nga policia
Ashtu sikundër nga çdo qark i Shqipërisë, edhe nga Elbasani janë nisur shumë protestues, që do të marrin pjesë sot në protestën e madhe të opozitës së bashkuar. Gazetari Fatmir Popja raporton për “Balkanweb” se autobusë dhe makina janë nisur normalisht nga selia blu në qytetin e Elbasanit.