Mjeku i njohur, Pëllumb Pipero, ka folur nga Vlora për shifrat e larta të koronavirusit, duke dhënë edhe këshillat për qytetarët që kanë nisur apo do shkojnë me pushime.
“Natyrisht jemi ende brenda pandemisë në vendin tonë. Shifrat ndryshojnë dita ditës. Më shqetësojnë rastet që shtrohen në spital jo vetëm për ne por edhe për familjet, do të thosha midis tyre rastet e rënda e sidomos humbjet e jetëve. Fakti që një 43 vjeçar pa sëmundje shoqëruese ka humbur jetën do të thotë se ky virus në vetvete mund të shkaktojë dëmtime serioze madje mund të marri jetën edhe në rastet kur nuk kanë sëmundje kronike edhe kur nuk janë të moshuar. Dua të përsëris kujdesin që duhet të kemi kudo, maskën që duhet ta kemi kudo”, shprehet Pipero.
I pyetur nga “TCH” se çfarë duhet të bëjë një pushues kur ndjehet keq ne plazh dhe dyshon se mund te jetë i sëmurë me Covid, mjeku përgjigjet:
“Duhet që çdo pushues, nëse ka shenja klinike, veçanërisht temperaturë, do këshilloja të qëndroj në shtëpi. Nëse ndodh që kur është me pushime të ketë shqetësime mjaftoj të komunikoj me 127 dhe shërbimin shëndetësor do ta ketë në dispozicion. Tamponi nuk është procedurë që të shëron por procedure diagnostikuese që ju ofrohet të gjithë qytetarëve qoftë shqiptarë apo të huaj. Kam një këshillë për operatorët turistikë, jo vetëm t’i ftojnë pushuesit por para se t’i rekomandojnë akomodimin t’i pyesin nëse kanë shenja klinike dhe të mos i rekomandojnë të vijnë nëse kanë shenja klinike. Shqipëria, bregdeti, malet tona për pushuesit janë shumë të sigurta, me kushtin që si pushuesit edhe ne qytetarët të respektojmë protokollet dhe masat e domosdoshme siç është maska dhe distanca. Kaq mjafton për të qenë të sigurt edhe në bregdet edhe në mal”.
Mjeku, i cili ndodhej në plazhin e Vlorës tregon se sa respektohen masat atje.
“Tavolinat dhe çadrat janë në distancën e duhur. Dy tre qytetarë që kam shkëmbyer ishin me maskë të vendosur. Maska është e domosdoshme, qoftë edhe maska e thjeshtë është e rëndësishme për të qenë të sigurt kudo”.