Rama, një vizitë e rëndë “plumb”, pa veshur antiplumb

Analizë Opinion

Nga Skënder Minxhozi

Mund të thuhet me një bazë realizmi, se personi i dytë i dëshpëruar, pas Hashim Thaçit, për dështimin e bisedimeve të 27 qershorit në Uashington mes Kosovës e Serbisë, ka qenë kryeministri Edi Rama. Shumë faktorë, që e tejkalojnë vizitën aktuale dyditore në Prishtinë, të çojnë në një përfundim të tillë, sepse procesi që duhej të kulmonte në SHBA, e sheh Edi Ramën si një protagonist të vjetër të rregullimit final mes serbëve e shqiptarëve. Në të gjitha dritëhijet e këtij operacioni gjeopolitik e diplomatik të profilit më të lartë.

Shumëkush që është përpjekur të hulumtojë në kurbën e paqes serbo-kosovare vitet e fundit, është ndeshur qysh në krye të herës me prezencën e Tiranës zyrtare. Prania e Edi Ramës ka qenë gjithnjë e më e madhe, në një proces të vështirë, të bllokuar prej dekadash dhe ku ndërthuren jo thjesht interesat e dy vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe shumë fije të dukshme e të padukshme të SHBA, Evropës e Rusisë. Rama ka qenë prej vitesh “eminenca gri” e këtij projekti paqeje, të fundit kapitull të mbetur hapur nga lufta në ish-Jugosllavi.

Idea kryesore me të cilën pakti i ardhshëm Kosovë-Serbi erdhi e u bë protagonist i mediave e debatit publik, ka qenë ajo e korrigjimit të kufinjve. Padyshim teza më kontroverse dhe e gabuar e një draft-marrëveshjeje, që e ka bërë vetë marrëveshejn më të zhurmshme, por edhe më të diskutueshme. Sidomos për evropianët. Ndërsa shumëkush në dy anët e kufirit shqiptar e akuzonte me gjithfarë epitetesh, Edi Rama është treguar në përgjithësi i kujdesshëm në publik, në lidhje me shkëmbimin e teritoreve mes Serbisë e Kosovës. Eshtë e vështirë të gjenden deklarata të tij publike, pro shkëmbimit të territoreve.

Por njëherësh, të gjithë ata që e kanë ndjekur nga afër këtë histori të dominuar nga insistimi cerebral i Hashim Thaçit për “korrigjim kufitar, pa dhënë asnjë centimetër tokë”, e dinin se Rama nuk ishte kundër kësaj ideje. Kreu i ekzekutivit në Tiranë nuk e ka parë si problematik, ndërrimin e disa komunave shqiptaro-serbe në kufinjtë veriorë të Kosovës, për sa kohë që më pas kjo do të sillte njohjen e Kosovës si subjekt i të drejtës ndërkombëtare dhe do t’i jepte dorë të lirë klasës drejtues në vend, që të vendoste në mënyrë sovrane për fatet e shtetit më të ri të Evropës.

Nuk është e vështirë të kuptohet se ndërsa Hashim Thaçi kërkonte edhe lavdi e imunitet personal në proces, që të dy bashkë me Ramën, liderët politikë të shteteve shqiptare e shihnin dhe e shohin negociatën me Beogradin, si pengesën finale drejt një ere të re, edhe për botën shqiptare. Një epoke që mund të hapë dyert e gjithfarë zhvillimesh për Shqipërinë e Kosovën, që sot kanë mbetur thjesht retorikë patriotike, përfshirë edhe një perspektivë bashkimi.

Rënia graduale (po t’i zesh besë deklaratave publike të amerikanëve) e tezës së shkëmbimit të territoreve, erdhi jo vetëm për shkak të largimit të disa prej sikfterëve të politikës së jashtme të Trump, si John Bolton, por edhe për arsye të reagimit të fuqishëm evropian kundër një zgjidhjeje të tillë.

Kryeministri shqiptar e ka kuptuar herët këtë dualizëm të ashpër SHBA-Evropë për ndryshimin e kufinjve Kosovë-Serbi. Ka arritur të qëndrojë në zgrip të këtij debati, duke u munduar ta shfrytëzojë sherrin, për të forcuar pozitën e tij politike në Shqipëri dhe rajon. Sot, kur një lëvizje e beftë e Speciales, provokoi një thyerje të paparashikueshme të procesit, Edi Rama ka arsye të ndjehet keq për këtë thikë pas shpine që nuk dihet se nga erdhi. Ndërsa është me vend të thuhet se prokurorët kanë ndotur qëllimet e tyre formale për të bërë drejtësi, me publikimin e hetimit ndaj Thaçit, teksa ky udhëtonte drejt SHBA, mund të thuhet gjithashtu se kjo ndodhi kompromenton rëndë imazhin dhe peshën e Kosovës në bisedimet me palën serbe.

Nëse një muaj më parë dikush do të shprehej se Avdulla Hoti do të mbetej figura kryesore në bisedime përballë Vuçiçit, padyshim që do të shihej si njeri i çmendur. Vizita e Edi Ramës në Prishtinë vjen për t’i dhënë peshë dhe forcë reagimit kosovar, ndaj këtij “kastrimi” të dhunshëm që ju bë panelit kosovar, në negociatat me delikate që Kosova do të mbajë që nga krijimi i saj si shtet. Zërat se vizita e kryeministrit shqiptar në Prishtinë vjen edhe si rezultat i vullnetit amerikan që negociatat të mos dështojnë, nëse s’janë të vërteta, janë të gjetura mirë.

Rreshtimi i Ramës pro Thaçit nuk është një fakt formal. Ashtu si Mustafa, Haradinaj e opozita në Tiranë, ai e kupton se goditja ndaj Thaçit në këtë moment, përtej mërive e preferencave personale, krijon një rrethanë të rrezikshme për mënyrën sesi ky shtet i ri dhe i brishtë do të përballet me çeshtjen tejet të komplikuar të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Edi Rama e kuptuar se sistemimi final i punëve në Kosovë dhe marrja prej saj e statusit të shtetit sovran, shënon një fazë cilësisht të re për të gjithë botën shqiptare. Në pozitën e kryeministrit të shtetit amë, ai së bashku me presidentin kosovar Hashim Thaçi e kanë parë këtë si një shans historik për të gjithë shqiptarët, por edhe për karrierat e tyre personale. Këtu s’ka asgjë për t’u skandalizuar. Thaçi dhe Rama e kanë përjetuar këtë takim me historinë, si një tren që kalon një herë të vetme në stacion, e nuk duan ta humbin rastin që ju paraqitet.

Egot personale, karrierat politike, misioni në interes të kombit – janë të gjitha të ngërthyera në këtë llogari të prishur papritmas nga një njoftim burokratik i një gjykate që ka vendosur t’jua marrë nga dora rolin e protagonistit politikanëve shqiptarë. Sesi do të shkojnë negociatat Kosovë-Serbi këtej e tutje, këtë është e vështirë ta kuptosh, nga momenti që garanti i tyre aktual Hashim Thaçi ndodhet në prag të dorëheqjes.

Megjithatë, sa herë që vdes një Papë, zgjidhet një tjetër. Në vakuumin që ka krijuar njoftimi i Speciales për Thaçin, kemi jo vetëm një “paqe të abortuar”, siç e quajti kryeministri shqiptar, por edhe një premisë për një zinxhir dështimesh në negociatat mes serbëve e kosovarëve.

Thaçi dhe Rama kanë kohë që kanë kuptuar se plani i tyre për një rregullim tërësor marrëdhëniesh me Serbinë, gjen kohën më të keqe për t’u përmbushur, në planin ndërkombëtar. Perëndimi është thellësisht i përçarë për halle më të mëdha se Ballkani dhe bisedimet Kosovë-Serbi vetëm sa hedhin edhe pak më shumë benzinë në zjarrin që digjet mes Trump nga njëra anë, e liderëve kryesorë të kontinentit të vjetër nga ana tjetër.

Të ndreqësh një sherr të vjetër e një ndasi të thellë si kjo mes serbëve e shqiptarëve, kur mes Trump, Merkel e Macron marrëdhëniet janë minimumin historik, është diçka komplekse dhe e vështirë. Paneli kosovar pa kokë, është një krijesë amorfe dhe pa ekuilibër. E ardhmja e Kosovës u kryqëzua fatalisht me një aferë juridike të errët të presidentit të saj. Ky incident që ngjan më i sajuar se kurrë, ka bërë që një prokuror deri dje anonim, të bëhet papritur protagonisti i bllokimit të një procesi që mban peng me komplikacionet e degëzimet e tij, jo dy shtete, por të gjithë pjesën perëndimore të Ballkanit e më gjerë. Në këtë aspekt, tirada disaditore patriotike e Edi Ramës, këtej dhe andej pikës kufitare të Morinës, nuk ngjan edhe aq e sforcuar. Një vizitë e rëndë plumb, pa pasur nevojë të vishesh me antiplumb.

Share: