Mos prisni mirëkuptim nga SHBA e BE, kur kanë vdekur njerëz në rrethana të dyshimta

Analizë Opinion

Nga Enver Robelli*

Kush shqetësohet tani, është dashur të shqetësohet kur vitin e kaluar Gjykata Speciale i dërgonte ftesë madje edhe ministrit të Drejtësisë të Republikës së Kosovës, i cili nuk është figurë e luftës.

Kush shqetësohet tani, është dashur të shqetësohet për njoftimet se në një pyll apo në një fushë u gjet kufoma e këtij apo atij personi që mund të ketë qenë dëshmitar apo mund të ketë pasur informata për ndokënd. (Pse gati kurrë këto raste në Kosovë nuk sqarohen nga drejtësia?)

Kush shqetësohet tani, është dashur të shqetësohet edhe kur ambasadori amerikan në dhjetor 2017 thoshte: “Kosova po na e fut thikën në shpinë” (i referohej dramës për zhbërjen e Gjykatës Speciale).

Kush shqetësohet tani, është dashur të shqetësohet edhe kur gjykatat e misioneve të huaja dënonin njerëz për torturim të të burgosurve në burgje ilegale në veri të Shqipërisë.

Kush shqetësohet tani, është dashur të shqetësohet për rreth 60 vrasje të aktivistëve të LDK-së pas luftës. Pothuaj asnjë prej tyre e zbuluar, thua se i vrau rrufeja këta njerëz.

Kush shqetësohet tani, është dashur të shqetësohet kur Këshilli i Europës në një raport të vitit 2011 thoshte se gjëja më e rrezikshme në Kosovë është të jesh dëshmitar.

Kush shqetësohet tani, është dashur të shqetësohet edhe kur në vitin 2011 politikanët e nivelit më të lartë të Kosovës i thoshin shtypit perëndimor: merrni ju dhe mbroni dëshmitarët, sepse ne këtu nuk mund ta bëjmë këtë. Kush e thotë këtë, e pranon kapitullimin, e pranon paaftësinë shtetërore për të garantuar minimumin e funksionimit të ligjit: mbrojtjen e dëshmitarëve.

Kush shqetësohet tani, është dashur të shqetësohet kur dilnin njerëz në rrugë dhe me pankarta bënin publik emra dëshmitarësh të mbrojtur.

Kush shqetësohet tani, është dashur të shqetësohet kur “shokët e luftës” gjatë gjithë këtyre viteve përpiqeshin t’ia bënin gropën njëri-tjetrit për të shpëtuar veten (“ti e ke vrarë atë”, “jo, ti e ke vrarë këtë”, thua se bëhej fjalë për patate). Dhe krejt këto muhabete morbide zhvilloheshin drejtpërdrejtë në media, në Kuvend, në Facebook.

Kush shqetësohet tani, është dashur të shqetësohet edhe kur gjykatësit vendorë u kërkonin falje të akuzuarve për shkak se duhej t’i dënonin për ndonjë vepër.

Kush shqetësohet tani, është dashur të shqetësohet kur në Kuvendin e Kosovës deputetët akuzonin njëri-tjetrin për zhdukje të shokëve të luftës.

Kush shqetësohet tani, është dashur të shqetësohet kur njëri nga krerët e një partie të krahut të luftës e akuzonte kryetarin e një partie tjetër të krahut të luftës se kishte krijuar pasuri marramendëse, madje se kishte edhe vila në Dubai. Pas luftës shansi për pasurim disa çlirimtarëve ua verboi sytë.

Kush shqetësohet tani, është dashur të shqetësohet edhe kur një luftëtar i thoshte tjetrit: “Ktheju kosës e leje politikën”, si pjesë e polemikës se kush kë po e shantazhon me incizime nga koha e luftës.

Kush shqetësohet tani, është dashur të shqetësohet kur vriteshin Haki Imeri, Smajl Hajdaraj, Ismet Rraci, Ekrem Rexha (Komandant Drini), Xhemail Mustafa.

Kush shqetësohet tani, është dashur të shqetësohet kur “drejtësia” reduktohej në takime odash me përbetime pas 40 apo 100 pleqve.

Kush shqetësohet tani, është dashur të shqetësohet edhe kur në vitin 2014 prokurori Clint Williamson, i pyetur se kush mund të akuzohet, thoshte se nuk duhet fantazi e madhe, kryesisht ata që janë përmendur me emër në raportin e Këshillit të Europës.

Kush shqetësohet tani, është dashur të shqetësohet për shumë gabime, lëshime, krime, afera e skandale që e kanë shoqëruar Kosovën qe 20 vjet.

Kush shqetësohet tani, është dashur të shqetësohet shumë më herët, sepse kjo Kosovë e tillë siç është sot, në qorrsokak politik, nuk është krijuar për një ditë.

Kush shqetësohet tani, është dashur të shqetësohet kur është tentuar të sabotohet drejtësia.

Kush shqetësohet tani, është dashur të shqetësohet kur me vite të tëra çështja e të zhdukurve shqiptarë në Serbi nuk ka gëzuar prioritetin e duhur në punët tona shtetërore.

Kush shqetësohet tani, është dashur të shqetësohet edhe kur aktivistët për të drejtat e njeriut shpalosnin akuza të rënda ndaj oficerëve serbë dhe Kosova prapë vazhdonte të simulonte bashkëbiseduesen qëllimmirë në Bruksel.

Kush shqetësohet tani, është dashur të shqetësohet edhe kur politikanët tanë shqiptarë me inferioritetin e tyre ndikuan në “normalizimin e jonormales” duke e marrë si diçka krejt të zakonshme që bashkëbisedues nga pala serbe ishin persona që në fund të viteve 90-të qenë shtyllat e regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Kush shqetësohet tani, është dashur të shqetësohet kur para se të ndriçohet fati i mijëra njerëzve Kosova nënshkruante “marrëveshje historike” për fusnota e dredhi të tjera në Bruksel.

Kush shqetësohet tani, është dashur të shqetësohet kur zyrtarët e Kosovës e shihnin si të arritur nacionale vardisjen ndaj zyrtarëve serbë të kohës së Sllobodan Millosheviqit sa për të marrë ndonjë kompliment nga diplomatja injorante italiane Federica Mogherini.

Kush shqetësohet tani, është dashur të shqetësohet kur merreshin vendime që mund të dëmtojnë rëndë kredibilitetin e shtetit të Kosovës – për shembull zgjedhja e njerëzve në pozita të larta duke e ditur se mund të kenë probleme me ligjin.

Por shqetësimi (edhe po të ndodhte) nuk ka mjaftuar dikur, s’mjafton as sot. Sepse pas shqetësimit, duhet të pasojë veprimi. Nuk është vepruar në shmangien e shumë të këqijave. Shpesh interesat personale apo grupore kanë qenë më të rëndësishme se interesat shtetërore.

Për shtetin e Kosovës gjithsesi është njollë e madhe që për dy dekada kryeministri, kryetari i parlamentit dhe kryetari i shtetit ballafaqohen me akuza nga drejtësia ndërkombëtare.

Një pjesë e shoqërisë së Kosovës (një pakicë, për fat të keq, sepse skena politike më 1999 nuk ishte më pak e përçarë se sot) e ka parë atëbotë të udhës që luftës së imponuar nga regjimi serb i terrorit t’i përgjigjet me pushkë. Kjo ka qenë dhe mbetet një e drejtë legjitime. Një betejë legjitime, në të cilën bashkësia ndërkombëtare, Perëndimi, u bë shok i armëve me shqiptarët e Kosovës. Amerikanë e gjermanë, francezë e spanjollë, italianë dhe holandezë. Dhe shumë të tjerë. Kjo nuk duhet të harrohet kurrë – e sidomos sot në një situatë delikate për Kosovën, kur me të drejtë vlojnë shumë emocione, por edhe ka jo pak adhurues të teorive të komplotit.

Tash të përmendurit si cak i mundshëm i drejtësisë është mirë të koncentrohen në heqjen e “reve të zeza” që kanë qëndruar mbi Kosovën qe sa vite. Kur është miratuar në parlament ndryshimi i Kushtetutës dhe themelimi i Gjykatës Speciale, përkrahësit e saj kanë thënë se kjo po bëhet për heqjen e “reve të zeza” mbi luftën çlirimtare. Që në vitin 2015 njëri nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në gazetën zvicerane “SonntagsZeitung” thoshte: “Pas luftës kemi bërë gabime të tmerrshme”. Ai tregonte se shokët e tij të luftës ndërkohë janë aq të fuqishëm financiarisht, saqë asnjë opozitë nuk mund ta ndryshojë këtë demokraci që ka vetëm fasadë – për të ndërtuar pastaj një shtet funksional. “Na duhet”, thoshte ky insajder, “një forcë e re politike, e cila e do këtë vend të pasur me pasuri nëntokësore dhe është e gatshme ta shporrë në mënyrë radikale këtë kastë politike dhe për këtë gëzon përkrahjen masive të Perëndimit”.

Para se në tastierat e kompjuterëve dhe të telefonave mobilë të shlyhen shkronjat duke shkruar mesazhe kinse patriotike që në vitin 2020 s’kushtojnë asgjë, do të ishte mirë të mendohet për një kategori që s’mund të flasë më: viktimat. Sepse pa viktima nuk do të ishte themeluar asnjë gjykatë. Viktimat ekzistojnë, kanë emra, mbiemra, familje, i përkasin etnive të ndryshme. Në jetën publike duhet të ketë hapësirë për kujtim të së kaluarës, sidomos për viktimat, por, natyrisht, edhe për heronjtë.

Duhet të ketë drejtësi për viktimat! Dhe kjo çështje duhet të gëzojë prioritet edhe në negociatat e ardhshme me Serbinë. 11 mijë të vrarë – ky është tagri i gjakut që ka paguar Kosova përballë makinerisë kriminale të Beogradit. Sa i përket Kosovës: asnjë grup shoqëror nuk mund ta rrëmbejë hapësirën publike dhe historinë me një narrativ ekskluziv. Faji është individual dhe nuk mund të kolektivizohet dhe t’i vishet tërë Kosovës apo historisë së saj. Shteti është mbi individët. Askush nuk mund të sillet si pronar i shtetit. Apo si grabitës i tij. Duhet përgjegjësi, urtësi dhe patriotizëm konstitucional. Glorifikimi i një narrativi dhe heshtja e të vërtetave të tjera shoqëruese të këtij narrativi e shpalos një shoqëri pa ndjeshmëri për viktimat. Si mund të jetë e mirë një shoqëri nëse nuk ka ndjeshmëri për viktimat, mes tyre edhe bashkëkombës?

Nuk mund të flitet me vite për vrasje të pasqaruara, të bëhet politikë e të mblidhen poenë elektoralë, por njëkohësisht të mos bëhet asgjë për t’u përballur me këtë kapitull, sepse përherë nga një pjesë e madhe e shoqërisë është shpresuar se këtë kapitull eventualisht mund ta ndriçojnë vetëm të huajt, siç quhen në Kosovë europianët perëndimorë dhe amerikanët.

Mund të ketë përpjekje për zhbërjen e të gjitha gjykatave, por kjo vetëm do t’i çel rrugë bashkësisë ndërkombëtare që Gjykatën Speciale me seli në Hagë ta legalizojë si gjykatë të OKB-së. Profesorët e drejtësisë që janë gjykatës në Gjykatën Speciale thotë se kjo është e mundur sipas shembullit të Libanit. Atëherë në atë gjykatë do të kishte edhe prokurorë, gjykatës dhe hetues rusë e kinezë. Këso ide ka pasur qëmoti, por europianët dhe amerikanët kanë qenë kundër edhe për interes e Kosovës dhe të Perëndimit, fundja në themelimin e këtij shteti Perëndimi ka dhënë kontribut thelbësor, ndonëse çmimin më të shtrenjtë për liri e kanë paguar shqiptarët. Por prej askujt, as prej europianëve, as prej amerikanëve që besojnë në drejtësi dhe sidomos në drejtësinë tranzicionale nuk mund të pritet se do të kenë mirëkuptim nëse një grup saboton drejtësinë, ndërsa herë pas here vdesin njerëz në rrethana krejtësisht të panjohura dhe pastaj merret vesh se mund të kenë qenë dëshmitarë apo figura me shumë informacion mbi anët e errëta të së kaluarës.

*Titulli origjinal: Për çka duhet të shqetësohemi

Share: