Nga Skënder Minxhozi
Hapja e hetimit penal ndaj presidentit kosovar Hashim Thaçi ka zgjuar, siç pritej, reagime politike dhe emocionale në të gjitha anët e botës ku flitet shqip. Me të drejtë kjo aferë juridike e fundit ndaj një zyrtari të lartë të Kosovës, shihet si një shkelje e syrit e rradhës që i bëhet asaj pale që në vitin 1999 etiketohej si e keqja e Evropës. Me të drejtë gjithashtu, ky hetim ndaj Thaçit shihet si një tendencë ‘a posteriori’, për të bërë një balancë të keqe dhe hileqare mes serbëve e shqiptarëve, në lidhje me një epokë kur ishte fare e qartë se cili qe vrasësi dhe cili qe viktima.
Perëndimi vijon të përtypë kompleksin e vjetër që ka krijuar tek shumë kancelari, fakti që dikur Klintonit dhe Blerit ju është dashur të hedhin bomba mbi Beograd. Në 20 vitet që pasuan, u profilua e qartë se perëndimorët nxituan të kërkojnë një ndjesë të heshtur ndaj serbëve, e cila është shfaqur në shumë forma. Mes tyre, sindroma e shtëpisë verdhë të Dik Martit, thënë ndryshe e fajësimit të palës kosovare për krime lufte, është ndër më flagrantet dhe më të shëmtuarat. Shpikja e klinikave të transplanteve të organeve nëpër malet e shkreta të Matit ka qenë dhe mbetet apogjeja e kompleksimit të Perëndimit nga ajo çka bëri me duart e tij në vitin 1999, por edhe në trysninë e përhershme ruso-serbe për të pasur “më shumë balancë kriminelësh” në lidhje me atë luftë. Qëllimi i qartë: Serbia nuk ka qenë aq e keqe sa dukej, shqiptarët nuk kanë qenë aq viktima sa dukeshin! Një makijazh historik i ulët në kohë paqeje!
Vdekja e Sllobodan Millosheviçit në Hagë dhe dërgimi atje më pas i shumë prej kasapëve serbë të kohës së shpërbërjes së Jugosllavisë, ka zgjuar me kalimin e kohës nevojën e brendshme tek vendet e Perëndimit, për një lloj “ekuilibri qelish”, mes shqiptarësh e serbësh. Hashim Thaçi ka rënë, pas Ramush Haradinajt e Fatmir Limajt, në kurthin e kësaj taktike shpërndarjeje të fajit, e cila në kohë negociatash mes Serbisë e Kosovës, bëhet në mënyrë të kuptueshme, edhe më e fortë e konkrete.
Presidenti i Kosovës e ka ndjerë me kohë këtë risk pas shpinës. Vullneti i tij për të ndërmarrë në mënyrë të ethshme një rol protagonisti në marrëveshjen mes palën serbe, duke u kacafytur me ekzekutivin e parlamentin kosovar në lidhje me rolin drejtues në proces, ishte veç të tjerash edhe pasqyra e nevojës së Hashim Thaçit për të siguruar imunitet afatgjatë për të ardhmen e tij politike e personale. Kush të guxonte të hetonte firmatarin e paqes së madhe me Serbinë?!
Por ja që jo gjithmonë ata që bëjnë luftën, bëjnë edhe paqen. Ka vlejtur dikur ky parim për figura si Arafati apo të tjerë në pjesë të ndryshme të botës, por në Evropë është e vështirë t’i jetosh në paqe të dyja gjendjet. Lidershipi politik në këtë kontinent është rregullisht i goditur nga rreziqet e hetimeve, akuzave dhe selektimit të ashpër në bazë të standarteve ligjore e politike strikte. Dhe problemi i Thaçit është se do ta ketë të vështirë të shpjegohet në këtë terren të paqëndrueshëm, ku ndërthuren rigoroziteti shpesh i verbër i drejtësisë evropiane, me lojrat e pista diplomatike të nënujshme, që nisin në Moskë, Beograd, kalojnë nëpër Berlin, Paris e Londër, e përfundojnë në Uashington.
Marrëveshja Serbi-Kosovë tregoi edhe një herë se pala kosovare ka nevojë urgjente për një lidership të pakapur nga litarët e kalbur të së shkuarës. Sepse edhe sikur presidenti i Kosovës të marrë, siç ka gjasa, pafajësinë ndaj akuzave që i bëhen sot, ai mbetet i paragjykuar në planin ndërkombëtar përballë një pale që nuk pushon se punuari, publikisht dhe pas perdeve, kundër tij dhe kryesisht të shkuarës së tij.
Kosovës i duhet një imazh solid e bashkuar në tryezën me Vuçiçin, për të marrë maksimumin nga marrëveshja finale me Beogradin. Lojrat me shkëmbime territoresh e skema të tjera, u pa se nuk japin imunitet të pakufizuar personal, ndërkohë që liderët kryesore të vendit nevojitet t’i kenë duart e lira dhe vështrimin të kthjellët, kur të flasin me serbët. Akuzat ndaj Thaçit i kanë krijuar një problem personal jo të vogël atij vetë, por i kanë lënë në derë Kosovës një patate të nxehtë edhe më të rrezikshme, sesa halli i presidentit me Specialen. Të negociosh në kushte të tilla, do të thotë të hedhësh potencialisht hapa të kushtëzuara rrezikshëm nga rrethanat e disa orëve, por që pasojat do t’i kenë më pas me shekuj…/javanews.al