Frika nga e panjohura

Analizë Opinion

Nga Imer Mushkolaj

Reagime, frikë e pasiguri ka nxitur caktimi i datës 27 qershor për një takim të krerëve të Kosovës e Serbisë në Washington. Që nga spekulimet se në takim mund të arrihet një marrëveshje në dëm të Kosovës, e deri te paralajmërimet se rezultati do të jetë vetëm një marrëveshje ekonomike kanë përshkuar ditët e fundit politikën kosovare dhe më gjerë. Gjithë kjo është shoqëruar me dyshime për rolin e kryeministrit Avdullah Hoti karshi presidentit Hashim Thaçi në dialog dhe vetë deklarimeve të subjekteve politike dhe krerëve institucionalë se në takimin e fundit të qershorit shohin një mundësi për të ecur përpara.

Gjërat i ka komplikuar edhe më “ringjallja” e Bashkimit Europian, nëpërmjet të dërguarit Miroslav Lajçak, që po ashtu kërkon vazhdimin e dialogur për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Por, pse gjithë ky skepticizëm e rezervë karshi iniciativës amerikane për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës e Serbisë? Jo pa arsye, jo pa fajin tonë dhe jo me fajin e Amerikës. E përgjegjësinë duhet kërkuar në radhë të parë te presidenti.

Dy vjet më parë Hashim Thaçi nxori në sipërfaqe idenë e korrigjimit të kufijve me Serbinë që trazoi skenën politike dhe shoqërinë në përgjithësi. Pavarësisht se tash Thaçi po përpiqet ta relativizojë këtë ide, që dikur i mëshonte fort, atëherë ai e konsideronte si zgjidhje për të ecur përpara. Ideja shkaktoi përplasje e paqartësi në skenën politike dhe bllokoi vazhdimin e dialogut. U desh të bien dy qeveri, për t’i hapur rrugë mundësisë së arritjes së marrëveshjes, ndonëse pa garancë se korrigjimi i kufijve, respektivisht shkëmbimi i territoreve është hequr tashmë nga tavolina e bisedimeve.

Situata e krijuar vetëm sa shtoi hezitimin te shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën që të vazhdojnë ta mbajnë atë qëndrim, kurse me ofensivën diplomatikë të Serbisë më shumë se 15 shtete të tjera tërhoqën njohjet. Gjithë kjo me arsyetimin se statusi i Kosovës ende nuk është zgjidhur dhe duhet pritur epilogun e marrëveshjes ndërmjet dy vendeve.

Tjetër situatë do të ishte tash po të mos ishte hedhur në publik korrigjimi i kufijve. Sikurse do të ishte krejt tjetër realitet po të ishte zhvilluar ndryshe dialogu gati njëdekadësh me Serbinë.

* * *

Kosova po i hyn dialogut më e dobët sesa Serbia. Përderisa reciprociteti do të duhej të ishte baza e negociatave që nga viti 2011, nuk ka ndodhur kështu dhe marrëveshjet e arritura deri tash i kanë shërbyer më shumë Serbisë për të avancuar në rrugën e integrimit europian. Së fundi Kosova ka eleminuar edhe reciprocitetin, si shenjë e vullnetit të mirë, ndërkohë që Serbia vazhdon fushatën kundër pavarësisë së Kosovës.

Dialogu ka nisur pas vendimit të GJND’së që i jepte të drejtë Kosovës për pavarësinë, gjë që nuk u shfrytëzua si duhet nga Prishtina dhe tash, një dekadë pas, vendi gjendet një pozitë të dobët negociuese. Shto kësaj edhe mospajtimet në skenën politike, si dhe mospajtimet SHBA-BE, droja dhe skepticzimi janë rritur, e bashkë me të edhe mosbesimi në gjithë çfarë thonë ata që duhet ta përfaqësojnë Kosovën në dialog.

Si t’u besohet deklarimeve se nuk do të diskutohet për sovranitetin dhe integritetin e vendit, kur të njëjtit kanë dhënë prova se dinë ta bëjnë të kundërtën? Marrëveshja për Asociacionin e nënshkruar në Bruksel cenon pikërisht integritetin e vendit, e atëherë thuhej se bëhej fjalë veç për një OJQ.

Si të besohet se marrëveshja e arritur nuk do ta dëmtojë Kosovën dhe se do të dialogohet vetëm për njohje nga Serbia, kur me dhjetëra herë është thënë se Serbia në fakt e ka njohur Kosovën, se fusnota ishte veç një fjollë bore që do të shkrihej shpejt dhe plot përralla të tjera si këto?

Janë të njëjtit politikanë, të cilët dhjetëra herë e kanë premtuar liberalizimin e vizave, kthimin e mijëra hektarëve që pretendohet se i janë dhënë Malit të Zi, pa përmendur këtu premtimet dhe deklarimet që kanë të bëjnë me rolin e Listës Serbe, akuzat e kundërakuzat për njëri-tjetrin e çka jo tjetër.

Si t’i besohet dikujt që në mëngjes thotë se nuk do të bëjë diçka, e pasdite vepron të kundërtën, dikujt që shquhet për mospërmbushje premtimesh, mosrespektim programesh qeverisëse që vetë i voton, si dhe bashkëpunim me ata që i akuzon për krime?

* * * Kosovën dhe të ardhmen e saj nuk mund ta dëmtojnë as SHBA’të, as BE’ja, por vetëm politikanët e papërgjegjshëm. Ata që ndryshe flasin, e ndryshe veprojnë. Ata që nuk e kanë dert të mashtrojnë.

Share: