Arkivat, të dhëna për gramatikat e para të shqipës në Kroaci, që në vitin 1776

Kulturë Reportazh / Profil

Nga Mark Palnikaj

Studjuesi Don Frrok Zefi me shërbim për një kohë të gjatë në Kroaci, në studimet për shqiptarët dhe për traditat e tyre, ka zbuluar kontributin jashtëzakonshëm të Don Pal Zogajt për shkrimin e gjuhës shqipe. Emri i vërtetë i këtij kleriku, siç merret vesh nga arkivat e Universitetit Urbaniana të Vatikanit, shkruar me dorën e tij ishte Pal Brija, por mbasi ky ishte nga fshati Zogaj i Tropojës, ai prezantohej si Don Pal Zogaj, siç ishte zakoni për shumicën e klerikëve të asaj kohe, sidomos të atyre me kombësi italiane që në 99 për qind të rasteve, në praktikën kishtare, përdornin si mbiemër të tyre fshatin e origjinës.

Pal Zogaj më datë 20 shtator 1752, mbas përfundimit të studimeve në Universitetin Urbaniana të Vatikanit në degët e gramatikës, filozofisë dhe teologjisë, bëri betimin në gjuhën latine dhe shkroi “… Dëshmoj se jam Pal Bria nga Zogaj”. Në përmbyllje të studimeve vlerësimi i tij nga eprorët ishte “Djalosh shumë i talentuar dhe me sjellje të mirë, dhe ka qenë gjithnjë shembullor”. Mbasi bëri mëtimin u caktua të punojë në Ipeshkvinë e Shkupit si klerik dhe mbas pak kohe caktohet në Janjevë ku shumë vite më parë ishte hapur shkolla shqipe për përgatitjen e studentëve për të vazhduar studimet në kolegjet e Vatikanit në Itali.

 

 

 

Dokumentet që datojnë shtypjen e gramatikës së Zogajt në Kroaci

Me vendim të Komandës kryesore të Sllavonisë në Osijek u vendos që të merren shtatë të rinj shqiptarë për t’u shkolluar në këtë qytet. Urdhri për hapjen e shkollës u formulua në Mitrovicën e Sremit me 18 gusht të vitit 1769 dhe u firmos nga fon Lojtner. Listën me 7 kandidatë, Komanda kryesore e Oborrit e nisi për në Vjenë me 26 gusht, kurse Këshillit luftarak të Oborrit iu paraqit më 4 shtator 1769.

Në shkollën e re u konsiderua e domosdoshme të kishte një mësues që të njohë gjuhën shqipe dhe mbas ndërhyrjes së Oborrit perandorak pranë Kongregatës së Shenjtë për përhapjen e fesë në Vatikan, u përzgjodh Don Pal Zogaj si personi më i përshtatshëm për këtë detyrë. Ky person kishte nivelin e nevojshëm të arsimimit, kishte punuar në zonën e Kelmendit dhe të Rugovës prej nga ishin të gjithë nxënësit e tij dhe e njihte mire gjuhën dhe përveç kësaj, kishte punuar edhe në Janjevë. Me të filluar punë në këtë institucion, Don Pali kërkoi nga Kongregata e Shenjtë në Vatikan një pako me libra për nevojat e shkollës dhe kërkesa iu plotësua menjëherë.

Ai filloi hartimin e një gramatike të gjuhës shqipe për nevojat e shkollës dhe mbas një procedure burokratike shumë të gjatë dhe një kontrolli të imtësishëm nga organet perandorake austro-hungareze, ajo u miratua për botim. Më datën 13 maj 1776, në adresë të Këshillit Mbretëror Kroat, arriti vendimi me shkrim i Mbretëreshës në të cilin bëhej me dije se botuesi i Oborrit Mbretërorë Trattner është i detyruar që në shtypshkronjën e tij në Varazhdin të bëjë shtypjen e Gramatikës Shqipe të Zogajt.

Ne nuk kemi arritur të kemi një kopje të kësaj gramatike, as dorëshkrim, as të shtypur, por me kërkimet e mëtejshme mund të sigurohet kopja dhe të publikohet ky dokument me rëndësi kombëtare dhe gjuhësore për evolucionin e gjuhës shqipe ndër shekuj. Pal Zogaj, sipas dokumenteve që disponojmë deri më sot, është shqiptari i parë që ka hartuar një gramatikë të gjuhës shqipe. Së shpejti do të publikojmë të dhëna më të hollësishme për jetën dhe veprimtarinë e Don Pal Zogajt.

 

/Shqiptarja.com

Share: