Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë ritmi i përhapjes së COVID-19 është përshpejtuar. Një ditë më parë janë raportuar 150 mijë raste të reja në të gjithë botën, numri më i lartë ditor deri tani.
Kreu i OBSH-së në një deklaratë për media në Gjenevë u shpreh se bota ndodhet në një fazë të re të rrezikshme. Ai u bëri apel të gjitha vendeve dhe njerëzve që të tregojnë shumë kujdes, të ruajnë distancat, dhe ata që ndihen keq të qëndrojnë në shtëpi. Ai theksoi se duhet mbajtur maska kur gjykohet e domosdoshme dhe të lahen duart sa më shpesh.
Ndërsa qeveritë e vendeve sipas tij duhet të vazhdojnë të përqendrohen tek gjetja, izolimi, testimi dhe kujdesi i çdo rasti dhe kontakteve të tij.