Çfarë roli duhet të luajë shteti në rimëkëmbjen ekonomike

Analizë Opinion

Nga Adrian Civici

Aktualisht, kriza e rëndë ekonomike e sociale, e shkaktuar nga pandemia COVID-19, po na përball me domosdoshmërinë e hartimit me urgjencë dhe me cilësinë e duhur të “planeve të rimëkëmbjes ekonomike”.

Mbarimi i karantinës dhe hapja pothuajse e plotë e aktiviteteve ekonomike kërkon me urgjencë strategji e politika konkrete mbështetëse e zhvilluese, qartësi në konceptet dhe format e ndërhyrjes në ekonomi, kërkon njohje të thellë të modeleve të zhvillimit ekonomiko-social, të teorive ekonomike të zhvillimit, si dhe të shembujve të vendeve të suksesshme në këtë drejtim.

Ashtu si në shumë vende të tjera të botës, të zhvilluara apo në zhvillim, edhe në Shqipëri, jemi në momentin e duhur për të përfunduar strategjinë dhe politikat kryesore të rimëkëmbjes ekonomike. Duhet të kemi parasysh që “rimëkëmbja” vlerësohet si faza e tretë, ose si “Paketa 3” në kuadrin e përballimit të pasojave shumë të rënda të kësaj pandemie në jetën sociale e ekonomike.

Tashmë, duket se “skenari” është pothujase standard për të gjitha vendet e prekura: faza e parë e përballimit të krizës u cilësua si “urgjenca sanitare” (karantinë, shërbime mjekësore intensive, distancimi social, mbyllje pothujase totale e aktivitetit ekonomik, fillimi i pagesave për mbështetjen sociale etj.), që në Shqipëri korrespondon me periudhën 10 mars – 10 prill; faza e dytë u cilësua si “mbështetja ekonomiko-sociale dhe fillimi i rikthimit” (ndihma sociale, pagesa për papunësinë, mbështetja e kreditimit, shtyrja apo anulimi i disa detyrimeve fiskale e tatimore etj.), fazë që korrespondon me periudhën 10 prill – 30 maj; dhe faza e tretë që cilësohet si “stabilizimi dhe rimëkëmbja ekonomike (hapja graduale e aktiviteteve ekonomike, mbështetje për aktivitete e sektorë të prekur rëndë, mbështetje dhe nxitje e konsumit, lehtësira fiskale etj.) që korrespondon me periudhat 20 maj – 10 korrik dhe 10 korrik 31 dhjetor 2020.

Ndërsa ringritja e plotë e ekonomisë dhe rikthimi në rritje ekonomike të qëndrueshme, e shoqëruar nga një numër i konsiderueshëm reformash, pritet të ndodhë gjatë viteve 2021 dhe 2022.

Tiparet dhe karakteristikat kryesore të fazës së tretë “stabilizimi dhe rimëkëmbja ekonomike”, referuar dhe asaj çka po bëjnë vendet e tjera në këtë drejtim, nënkuptojnë: rifillimin e aktivitetit normal ekonomik, heqjen e kufizimeve dhe barrierave tregtare, qarkullimin e lirë brenda dhe jashtë vendit, rritjen e investimeve publike, përmirësimin e klimës së biznesit, lehtësimin dhe zgjerimin e kredisë për bizneset, rikthimin e besimit tek ekonomia dhe konsumi, stimulimin e investimeve për teknologji të reja dhe digjitalizim, rikualifikimin masiv të punonjësve, zbutjen e ngarkesës fiskale për bizneset për të paktën një periudhë 1-3 vjeçare, identifikimin e burimeve të reja për rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë etj.

Në debatet e sotme, një nga konkluzionet e rëndësishme në lidhje me tiparet e politikave ekonomike e sociale post-coronavirus është se “në këto momente, por dhe në vitet në vazhdim, duhet të presim një rritje të rolit të shtetit në rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik… një rritje të ndërhyrjes së shtetit në ekonomi…”.

E thënë ndryshe, po krijohet një “mendim i përbashkët” drejt preferencës për “shtetin si përgjegjës dhe shpëtimtar, për të udhëhequr e orientuar ringritjen ekonomike”. Shumë vende të botës janë tashmë në këtë rrugë. Besoj se kjo duhet të jetë në vëmendje edhe në Shqipëri, jo thjesht e vetëm për fazën e “mbështetjes social-ekonomike”, por edhe për fazën e “stabilizimit dhe rimëkëmbjes ekonomike”.

Natyrisht, një platformë e tillë do të përballet me “të kundërtën e saj, rolin e tregut të lirë dhe shtetit minimal si forma më efikase për zhvillimin e ekonomisë”, por, në këtë rast, të paktën për atë çka duket e konsoliduar në mendimin ekonomik e politik në nivel ndërkombëtar, “situata specifike e pandemisë COVID-19, dëmet e jashtëzakonshme të saj në ekonomi, situata në të cilën ndodhen bizneset, vështirësitë dhe paqartësitë për zhvillimet e ardhshme afatshkurtra e afatgjata, etj., e bëjnë të nevojshme një rol aktiv të shtetit dhe qeverive në ringritjen ekonomike.

Vlerësimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe BERZH-it parashikojnë se rënia ekonomike këtë vit do të jetë në intervalin nga -5 deri në -9%, kurse ringritja pritet të nisë vitin e ardhshëm, gjithmonë me rezervën nëse pandemia nuk rrikthehet me një agresivitet më të madh.

Pandemia e COVID-19 ka lënë pas një pyetje të rëndësishme: çfarë mund dhe çfarë duhet të bëjë shteti dhe qeveria për të ringritur ekonominë, stimuluar aktivitetin ekonomik dhe rritjen e qëndrueshme në muajt dhe vitet në vazhdim? Pavarësisht orientimeve politike e ideologjike, në këto momente “specifike”, të panjohura më parë, si “natyra dhe goditja e krizës”, planet e rimëkëmbjes kërkohet të kenë “pjesëmarrjen aktive dhe autorësinë e shtetit”, të paktën si aktorët kryesorë të rimëkëmbjes.

Nga kjo pikëpamje, një “plan rimëkëmbjeje e zhvillimi të qëndrueshëm” për një, dy apo tre vitet e ardhshme do të kërkonte një kombinim të masave e politikave koniunkturore – që synojnë stimulimin dhe mbështetjen afatshkurtër të ekonomisë, me politikat strukturore që krijojnë themelet dhe linjat kryesore të një aktiviteti ekonomik intensiv e të qëndrueshëm.

Mbështetja koniunkturore. Thelbi dhe efektet kryesore të saj qëndrojnë në politikat buxhetore, d.m.th., vendimet qeveritare që kanë të bëjnë me të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore.

Për të filluar shërimin dhe shëndoshjen e një ekonomie “të sëmurë rëndë nga efektet e coronavirusit”, por edhe nga plagë më të vjetra në kohë, siç është p.sh., efekti i tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar, apo dobësitë permanente strukturore, veprimi kryesor duhet të përqendrohet në “rritjen e shpenzimeve qeveritare dhe investimeve publike”, në favorizimin e konsumit, uljen e taksave, krijimin e një fondi të ri garancie për ekonominë, realizimin e një amnistie fiskale efikase, rimodelimin e thellë të sistemit fiskal, mbështetjen me përparësi të sektorëve të prekur më rëndë, sidomos turizmit, shërbimeve dhe sektorit prodhues, zhvillimin e tregut të kapitaleve dhe mundësimin e emetimit të obligacioneve të korporatave si mënyrë efikase për rritjen e qarkullimit të likuiditeteve të lira në ekonomi, shtimin e financimeve nga institucionet dhe organizatat ndërkombëtare në projekte zhvilluese me impakt të gjerë në ekonomi dhe punësim, përmirësime në legjislacionin për tërheqjen e investimeve të huaja, rivlerësime të modeleve të biznesit në disa nga sektorët kryesorë të ekonomisë etj. Në këtë drejtim shkojnë dhe vendimet e Bankës së Shqipërisë për uljen e normës bazë të interesit të lekut, lehtësime të ndryshme për sistemin e kreditimit etj.

Mbështetja strukturore – krijimi i bazave të qëndrushme strukturore afatmesme dhe afatgjata për aktivitetin ekonomik. Thelbi dhe efektet kryesore të “reformave strukturore” duhet të bazohen kryesisht në rritjen e rezistencës së ekonomisë ndaj goditjeve potencialisht të mundshme në të ardhmen, qëndrueshmërinë e indikatorëve makroekonomikë, forcimin e financave publike, rimodelimin e rritjes ekonomike që ajo të jetë e lartë dhe e qëndrueshme, përmirësimin e mjedisit të biznesit, zgjerimin dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve publike, përmirësimin e cilësive të kapitalit njerëzor në funksion të sfidave të reja që shtron revolucioni 4.0., digjitalizimi, teknologjitë e reja e inovacionet, inteligjenca artificiale, rritja e “shërbimeve dhe proceseve online, orientimi drejt energjisë së rinovueshme, ekonomisë qarkulluese, ekonomisë gjelbërt apo blu, rimodelimi i ekonomisë drejt sektorëve prodhues dhe eksporteve, politika industrializuese, rritjes së produktivitetit të ekonomisë, duke pasur parasysh që në këtë aspekt jemi shumë mbrapa krahasuar me vendet e rajonit apo të BE-së, stimulimi dhe mbështetja maksimale për investimet private, vlerësimi i mundësive reale për ngritjen e një Banke Zhvillimi,  institucionalizimin e tregut të lirë dhe iniciativës private, integrim më të mirë në tregjet rajonale dhe ato globale, financim më i plotë dhe më i strukturuar i kërkimit shkencor, konsolidimi i të drejtave të pronësisë dhe zbatimit të ligjit, eliminimi strukturor i varfërisë, zhvillimi i ekuilibruar rajonal etj.

fjala.al

Share: