Nga Ndriçim Kulla
Procesi i rrotulluar dhe që nuk po zgjidhet akoma i reformës zgjedhore është një dëshmi e qartë që klasa politike shqiptare është e dështuar dhe nuk arrin të dakordësohet për një parim themelor të demokracisë.
Pas tri dekadash demokraci, partitë politike nuk kanë lidership të besueshëm jo vetëm për shqiptarët, por edhe për vendet partnere.
Mbajtja fort pas këtij modeli të listave të mbyllura tregon se klasa politike shqiptare është e kapur nga grupe të fuqishme interesash me influencë reale, të cilat kërkojnë që përmes këtij sistemi të infiltrojnë “marionetat” e tyre me forma të ndryshme. Ky sistem u mundëson oligarkëve dhe grupeve të fuqishme të interesave të realizojnë këtë ndikim, sepse e vetmja barrierë për t’u kapërcyer është kryetari i partisë (ndoshta me rrethin e tij familjar!). Roli i organeve të partisë në përcaktimin e kandidatëve është zero!
Me lista të mbyllura nuk bëjnë fushatë më shumë se 15-20% e kandidatëve në listë. Ata që janë në zonën e sigurt thonë “jam i sigurt për deputet dhe s’kam pse bëj fushatë”, ndërsa ata që janë pas zonës së sigurt thonë “nuk kam shans për të fituar dhe nuk kam se pse bëj fushatë”. Prandaj nga 140 kandidatë nuk bëjnë fushatë më shumë se 15-20 veta në të gjithë vendin. Dhe këtë e di mirë çdo kryetar partie i partive të mëdha dhe argumentet e stisura se gjoja me lista të hapura penetrojnë kriminelët nuk i konfirmon arsyeja. Në këto kushte çfarë argumenti ka kryetari i partisë? Si pretendon të fitojë zgjedhjet dhe të jetë parti e parë fituese, një parti e madhe kur praktikisht më pak se 1/5 e kandidatëve të listës bën realisht fushatë dhe grumbullon vota? Nga i pret votat kryetari i partisë? Pret që votat t’i blejnë me para të drogës apo para të tjera të zeza grupet kriminale?!
Lista e hapur i jep mundësi kryetarit të partisë të identifikojë cilët janë 20 politikanët më të votuar të partisë në të gjithë vendin përmes një procesi votimi krejtësisht të pavarur nga partia. Këta 20 deputetë më të votuar me listë të hapur duhet të jenë praktikisht elita drejtuese edhe për partinë. Listat e hapura kontribuojnë në zbutjen e krizës së lidershipit të partisë dhe në rizgjimin e besimit sidomos te shtresa e madhe e mosbesuesve! Personalitetet politike më të votuara direkt nga elektorati të një parti ulin rolin “sundues” të kryetarit të partisë dhe një grupi të preferuar prej tij si dhe të rrethit të tij familjar, dukuri kjo që është bërë e zakonshme në vendin tonë si në të ashtuquajturat demokraci ose gjysmë demokraci të Afrikës së zezë apo të Kaukazit, ku partinë dhe qeverinë e drejtojnë familjet dhe fiset e pasura, por jo politikanët e partisë dhe përfaqësuesit e elektoratit të një partie.
Ndërsa lista e mbyllur e mban partinë një rreth të ngushtë të njerëzve pa investim real politik, profesional apo publik, për ta përdorur partinë si një instrument presioni publik për të mbrojtur interesat e tyre të ngushta dhe të familjeve të tyre (bizneset e tyre). Kjo e bën partinë pa një lidership të vërtetë politik dhe i heq asaj misionin thelbësor: përfaqësimin e interesit të qytetarëve që përkrahin, identifikohen ose simpatizojnë një program politik dhe synojnë që atë ta shndërrojnë në një alternativë qeverisëse, që çon përpara zhvillimin e vendit dhe mishëron interesat e qytetarëve. Listat e mbyllura e dobësojnë partinë, e zvogëlojnë vazhdimisht atë, e shkëpusin nga elektorati deri sa partia bëhet një instrument i një grupi të ngushtë njerëzish për interesa utilitare përfitimi të formave të ndryshme.
Lista e hapur detyron kryetarin e partisë të kandidojë figura të spikatura, që njihen mirë jo vetëm nga elektorati, por edhe nga opinioni publik, jo si militantë, por si njerëz me kontribute profesionale, politike dhe publike, njerëz që kanë talent dhe ngjallin besim. Kryetari i partisë nuk mund të kandidojë individë krejtësisht të panjohur që mbijnë një natë para shpalljes së listave, për shkaqe tërësisht subjektive deri në abuzive. Në këtë mënyrë lista e hapur bën të mundur të hapet dhe të zgjerohet baza e partisë drejt shtresës gri dhe shtresës intelektuale.
Listat e hapura gërshetojnë në dy drejtime paralele interesat e qytetarëve dhe interesat e partive, për të derdhur ujë të rrjedhshëm dhe të pastër në detin e shtetit dhe pushtetit tonë politik. Nëpërmjet zgjedhjeve primare partia përzgjedh kandidatet e saj më të mirë për deputetë, duke filtruar çdo mundësi për të qenë pjesë e listave të kandidatëve jo të përshtatshëm. Në kategorizimin e këtij termi të fundit, i cili përdoret aq shpesh nga ana e politikanëve, për të kryer një hop të ri cilësor, duhet të përdoren kritere të reja jo vetëm profesionale, por kryesisht morale, vizionare, që të njohin kontributin afatgjatë partiak, por edhe lidhjen organike, të vazhdueshme e sistemike të kandidatit jo vetëm me bazën si deri tani, por edhe me gjithë zonën elektorale.