Qeveria e Kosovës hoqi reciprocitetin ndaj Serbisë

Aktualitet Kryesore Politikë Rajon/Botë

Qeveria e Kosovës vendosi të shtunën shfuqizimin e vendimeve të ish qeverisë së Albin Kurtit për masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, duke hapur kësisoj rrugën për rifillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë të pezulluara që nga nëntori i vitit 2018.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e cilësoi votimin e sotëm si një veprim të bashkërenduar me partnerët ndërkombëtarë ndërsa bëri thirrje që pala serbe të veprojë njëlloj duke hequr pengesat e saj.

“Kemi një dakordim me miqtë tanë ndërkombëtar që presioni i tyre të jetë edhe karshi Serbisë që ata të heqin pengesat për dialog dhe pasi që të hiqen ato pengesa për dialog ne do të ulemi në tavolinën e bisedimeve. Këto vendime vijnë si rezultat i bashkërendimit të punës tonë me partnerët tanë ndërkombëtar. Zotimet që kemi marr ne si qeveri janë që ne t’i heqim këto pengesa t’i japim mundësi zhvillimit të dialogut dhe përmes saj të zgjidhim të gjitha çështjet që kemi me Serbinë”, tha kryeministri Hoti, duke theksuar se “ne ruajmë të gjitha të drejtat tona, si shtet sovran, që të vendosim të gjitha masat e nevojshme, për të ruajtur sovranitetin tonë, në koordinim me partnerët tanë”.

Në nëntor të vitit 2018 qeveria e ish kryeministrit Ramush Haradinaj vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërvënieje ndaj qasjes së Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Procesi i bisedimeve u pezullua meqë Beogradi kushtëzoi kthimin në tryezën e bisedimeve me heqjen e tarifave. Qeveria e Kosovës i rezistoi trysnisë ndërkombëtare për heqjen e tyre.

Më 31 mars të këtij viti ish kryeministri Albin Kurti vendosi heqjen e tarifave dhe zëvendësimin e tyre me masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, një vendim që u kundërshtua nga Shtetet e Bashkuara që kërkonin heqjen tërësishme të pengesave për rifillimin e bisedimeve.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e mirëpriti vendimin e qeverisë së për heqjen e të gjitha pengesave, që siç tha ai, “Serbia deri më sot i ka përdorur si pretekst për bllokimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Tani presioni ndërkombëtar duhet të drejtohet nga Serbia me qëllim që pa humbur kohë të rifillojë dialogu, i cili duhet të përfundojë me njohje reciproke ndërmjet dy shteteve”, shkroi ai.

Vendimi i mirëprit nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak. “Heqja e shpejtë e pengesave për rifillimin e bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian, dëshmon përkushtim të qartë të Kosovës për t’u kthyer në tryezën e bisedimeve pa vonesë”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Miroslav Lajčák

@MiroslavLajcak

I welcome today’s decision of the government in Kosovo to remove the recent reciprocity measures. The swift removal of obstacles to the resumption of the ??-facilitated Dialogue shows a clear commitment of Kosovo to get back to the table without delay.

32 people are talking about this

Ish kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se qeveria e re është “edhe e paligjshme në Kosovë, edhe në shërbim të Serbisë”. Në një postim në llogarinë e tij në facebook ai shkroi se “edhe të shtunën punojnë e mbajnë mbledhje vetëm dhe vetëm që ta heqin reciprocitetin ndaj Serbisë. Kosova ka pa numër probleme sociale dhe ekonomike, por ato nuk mund të kenë prioritet krahasuar me kërkesat e Serbisë. Kjo pra është qeveria e paligjshme e Kosovës”.

Zoti Kurti i cili më 31 maj forcoi masat e reciprocitetit, përmendi faktin se nga ajo ditë mallrat nga Serbia hynë me dokumente në të cilat Kosovës i referohen me emrin e saj kushtetues. “Por, pas vendimit të sotëm, nuk do të kenë më nevojë. Hoti ka deklaruar që i ka hequr pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë. Në këtë mënyrë, ai ia ka mveshur Kosovës fajin për mungesën e deritanishme të dialogut. Një këso shërbimi të mirë Serbisë nuk ka mundur as vetë Beogradi ta mendojë. Përveç që dialogu do të jetë asimetrik sepse me reciprocitet të braktisur nga ana e Kosovës, aty pala kosovare hyn si fajtore për vonesën në rifillimin e dialogut. Historikisht shqiptarët i kanë pasur dy rryma politike varësisht nga qëndrimet e tyre karshi Serbisë. As sot nuk është ndryshe, por, si rrallë herë më parë situata është qartësuar”, shkroi ai.

Kryetarja e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani, në një postim në llogarinë e saj në facebook shkroi se “ta quash reciprocitetin ‘pengesë’ do të thotë që barazinë e konsideron pengesë. Do të thotë që nuk e don vendin tënd të trajtuar të barabartë me të tjerët. Ta quash reciprocitetin pengesë do të thotë që ti nuk beson se ke të drejta sovrane, të pavarura e të barabarta, siç janë të parapara në Deklaratën e Pavarësisë e në Kushtetutën e vendit. Të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar i barabartë do të thotë të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar sovran si Republikë e Kosovës”, shkroi ajo./VOA

Share: