Jeta e tij

Analizë Opinion

Nga Enver Robelli

Marcel Reich-Ranicki ishte një personalitet shekullor jo vetëm si kritik letrar në Gjermani. I lindur më 2 qershor 1920, ai sot do të mbushte 100 vjet. Një përkujtim

Sot, më 2 qershor 2020, Marcel Reich-Ranicki do t’i mbushte 100 vjet. Kush ka qenë Marcel ReichRanicki? Hebre i Polonisë, i mbijetuar i getos së Varshavës, kritiku më i madh letrar në Gjermani pas Luftës së Dytë Botërore. Papa i letërsisë – kështu e kanë quajtur mediat gjermane. Mes viteve 1973-1988 drejtoi rubrikën e letërsisë të “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ishte kritik letrar në “Spiegel” dhe “Die Zeit”, anëtar jurish, kolumnist, yll televiziv me emisionin “Kuarteti letrar”, autor (kujtimet e tij “Jeta ime” janë monumentale, për këtë më shumë në fund të këtij teksti). Tani, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Marcel Reich-Ranickit, “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” ka botuar disa letra që kritiku letrar u ka dërguar shkrimtarëve. Ishte koha kur shkruheshin letra, kur nuk kishte email. Në këto letra lexuesi njihet me kritikun letrar që herë është i hareshëm, herë i ashpër. Në vijim po sjellim letrën që Reich-Ranicki ia dërgonte shkrimtarit Wolfgang Koeppen, më 3 nëntor 1989, si shembull i elegancës gjuhësore dhe respektit për një shkrimtar.

“I dashur zoti Koeppen, më në fund dua t’ju bëj vizitën time me shkrim për t’u njohur me ju. Nuk njihemi dhe për këtë më vjen shumë keq. Sepse, natyrisht, edhe unë, si çdokush që ka pak haber për letërsinë, jam një adhurues dhe dashurues i veprave tuaja. Shumë kam qejf t’jua them këtë gjatë një bisede. “Rinia” (roman i Koeppen, v.j.) është një nga përvojat e mëdha letrare që kam bërë në letërsinë bashkëkohore gjermane. Me xhelozi e trishtim të madh po e shoh se ju dikur keni shkruar herë pas here për “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Xhelozi e trishtim për shkak se që një kohë të gjatë nuk e keni bërë këtë për ne. A guxoj, i dashuri zoti Koeppen, t’ju pyes nëse ju ndoshta keni diçka që ne do të mund të publikonim, qoftë kjo ese apo tregim. Ose: a ka ndonjë libër për të cilin me qejf do të shkruanit një recension për ne? Më kallëzoni në çdo kohë. Duhet ta dini se ne përherë jemi këtu për ju.

Ju përshëndes me shumë përze mërsi, i Juaji MRR”.

Në një letër tjetër Marcel ReichRanicki e njoftonte shkrimtarin Martin Walser se do të botonte recensionin e Walserit mbi një poezi të një shkrimtari. Por, shtonte ReichRanicki, poezia është e mjerueshme. Me fjalë të tjera: Reich-Ranicki e përqeshte shijen letrare të Martin Walserit. Poeten Hilde Domin, kritiku Reich-Ranicki e qortonte ashpër: “Pse përherë po shkaktoni probleme?” Një jetë e kaluar në fabrikën kulturore gjermane – kjo ishte jeta e Reich-Ranickit. Para se të vdiste më 18 shtator 2013, ai mbajti madje një fjalim në Bundestag, në Parlamentin gjerman, një fjalim me rastin e ditës përkujtimore të viktimave të Holokaustit. Në 100-vjetorin e lindjes së tij, në Gjermani janë botuar disa libra të rinj mbi Reich-Ranickin. “Marcel Reich-Ranicki – një jetë” nga Thomas Anz; “Unë shkruaj palodhshëm gjatë gjithë jetës – Biseda me Marcel Reich-Ranickin” (edituar nga Paul Assall); “Dueli. Historia e Günter Grassit dhe Marcel Reich-Ranickit” nga Volker Weidermann. Reich-Ranicki ka qenë, në radhë të parë, njohës i thellë i letërsisë gjermane. Ironia e tij është legjendare. Për shkrimtarin zviceran Max Frisch kishte thënë se është autor i rangut të dytë – por në mesin e autorëve të rangut të dytë “ai është më i miri”. Autorë të rangut të parë Reich-Ranicki i konsideronte Thomas Mannin e Franz Kafkën. Për shkrimtarët nga Ballkani, Reich-Ranicki nuk ka pasur ndonjë mendim të veçantë. Për Ivo Andriqin kishte një mendim të qartë dhe jo pozitiv. Në mars të vitit 1960 Reich-Ranicki botoi në gazetën “Die Welt” një recension me titullin: “Çka na intereson neve Vishegradi?” Recensioni i kushtohej romanit të famshëm të Ivo Andriqit “Ura mbi Drinë”. Për dallim nga gazetat e tjera gjermane, të cilat e kishin pritur kryesisht pozitivisht romanin, Reich-Ranicki mendonte të kundërtën. “Ky libër është bukur monoton”, shkruante kritiku i ri mbi librin e jugosllavit Andriq. ReichRanicki lavdëronte disa fragmente të romanit, duke i quajtur “joshëse, të freskëta dhe drejtpërdrejta”, por ai kritikonte fanatizmin e Andriqit pas detajeve dhe konceptin narrativ, në qendër të të cilit gjendet një urë. “Meqë mbi këtë urë si në një treg zhvillohej jeta e qytetit Vishegrad, që gjendet në kufirin boshnjakoserb, në kronikën e tij është e logjikshme të reflektohet jeta e tërë qytetit. Po mirë, çka na intereson neve Vishegradi?” Bazuar në librin e tij të kujtimeve “Jeta ime” është xhiruar edhe një film mbi rrugëtimin jetësor të ReichRanickit, të lindur më 1920 në Wloclawek të Polonisë. Gjimnazin ai e ndoqi në Berlin, por pak para maturës u deportua në Varshavë dhe më 1940 përfundoi në geto. Si hebre ai nuk gëzonte të drejtën e studimit. Në geto ai gjeti dashurinë e jetës së tij: Teofila Langnas. Pjesa tjetër është tragjedi. Prindërit e Marcel Reich-Ranickit, vëllai i tij dhe nëna e Teofilas u deportuan në kampin e shfarosjes. Më 1943 Marceli dhe gruaja e tij arritën të iknin nga getoja dhe të kalonin në ilegalitet. Në vitet 1950-të ata bënë një hap tjetër: ikën nga Polonia dhe gjetën një vatër në Gjermani.

Share: