Nga Preç Zogaj
Në gjithë Europën kurba e pandemisë ka ndjekur në vija të përgjithshme rregullin klasik të a) ngjitjes drejt pikut, b) rrafshimit të saj përgjatë një periudhe të arsyeshme, c) rënies graduale që në disa vende apo rajone të botës ka prekur zeron. Në Italinë fqinje mund të përmendim për ilustrim disa rajone si Kalabria, Umbria, Sardenja, Bazilikata pa asnjë të prekur prej disa ditësh, ndërkohë që në rajonet e tjera vijon çdo ditë numërimin mbrapsht. Kësaj jave mesatarja ditore e të prekurve në mbarë Italinë ka qenë në shifrat katërqind -katërqind e pesëdhjetë, nga rreth pesë mijë në ditë në periudhën e pikut. Duhet të shënojmë se numri i testimeve mbetet në mënyrë konstante i lartë. Pardje raporti ishte një i prekur për njëqind e njëzet e tetë testime.
Cili është rregulli që shpjegon kurbën e pandemisë në vendin tonë? Vështirë të gjendet. Shqipëria edhe në këtë pikë është një rast i veçantë dhe i habit të gjithë me cirkun e numrave të saj.
Nëse do t’u hidhnim një sy këtyre numrave nga fillimi i karantinës deri dje do të shohim se kurba shqiptare ngjan me një vizatim majëmalesh që ngrihen thikë përpjetë përbri njëri tjetrit, zbresin deri afër “nivelit të detit” dhe ngrihen përsëri. Thënë ndryshe, kurba është një zigzag që përsërit vetveten, krejt e paparashikueshme në optikën e “rregullit” botëror, ku nuk gjen gjurmë të qarta të sheshimit të saj, ku piku përsëritet disa herë pas rënies, ku fillimi, vazhdimi dhe fundi në pikëpamje të kohështrirjes së pandemisë dhe numrit të personave të prekur janë pothuajse e njëjta gjë, duke e bërë të paqartë a jemi në fund të saj apo sërish në një fillim rrotullues si në një subjekt kafkian. Rrjedhimisht duke hedhur hije dyshimi mbi atë që qeveria jonë dhe shumë prej nesh bashkë me të e kemi konsideruar një sukses të veçantë.
Gjatë kësaj jave dhe sidomos të mërkurën , të enjten dhe dje numrat e të prekurve në vendin tonë kanë qenë përkatësisht njëzet e tetë, njëzet e gjashtë dhe njëzet e tre. Në harkun e dhjetë ditëve të fundit kurba e të prekurve ka pësuar luhatje jashtë çdo rregulli, duke u rritur shtatë herë, nga katër që ishte një numër shprese në fund të javës së shkuar në njëzet e tetë në mesin e kësaj jave.
Është njëlloj sikur në Itali, fjala vjen, të ndodhë që nga rreth gjashtëqind të prekur të enjten, papritur të nesërmen e pas dy tre ditësh të ketë katër mijë, e pesë mijë si në ditët e pikut. Nëse kjo ndodh, që nuk ka asnjë gjasë të ndodhë, së paku në ketë edicion të parë të koronavirusit, do të ishte një goditje tepër dëshpëruese, për të mos thënë një katastrofë në raport me gjithë investimin dhe sakrificat e deritanishme.
Në Shqipëri ku këto kërcime po ndodhin tashmë, perceptimin e katastrofës e eviton fakti se në numra absolutë këtu luajmë me shifra të vogla. Numri njëzet e tetë i të prekurve i konsideruar një numër paniku kur ishte fjalë për të shtrënguar masat mbrojtëse, nuk është më i tillë kur është fjala për t’i hapur rrugë heqjes së plotë të kufizimeve. Nuk e sjell këtë përqasje për të dekurajuar masat e hapjes, aspak. Dhe as për të vënë në dyshim ashpërsinë e masave mbrojtëse, një temë e kaluar tashmë. Por një analizë e përgjegjshme dhe transparente për lajthitjet e shifrave të pandemisë në vendin tonë duhet. Pesëmbëdhjetë apo njëzet e pesë të prekur në ditë mjaftojnë për të mbajtur vendin në spiralen e një rreziku permanent dhe bllokimi psikologjik. Janë shumë për të njollosur imazhin dhe reklamën e një oazi të pastër e tërheqës me pandemi zero për turistët e huaj, siç po e bën Mali i Zi, për shembull.
Analiza në fjalë do të duhet të shpjegojë qartë dhe me objektivitet nëse këto çoroditje janë pasoja e pakujdesive të rastit, janë episode nën kontroll apo janë jeta e padukshme e virusit në vendin tonë. Në sistemin tonë shëndetësor ka plot mjekë e specialistë me integritet që mund ta bëjnë këtë dhe, më tej, të hedhin dritë mbi dyshimet në qarkullim se “rregulli” shqiptar që shpjegon çoroditjen e shifrave të pandemisë lidhet me një lloj kontrolli politik të tyre nëpërmjet politikës së testimeve ku shohim të kemi një mesatare një i prekur për njëmbëdhjetë-dymbëdhjetë testime. Nuk është fjala për të denoncuar ndonjë komplot, testimet mund të jenë brenda normave, siç na thuhet shpesh, të prekurit dhe jetët e humbura nuk mund të fshihen në fund të fundit. Fjala është për të sqaruar dukurinë në funksion të hapjes .
Duke dëshiruar e mbështetur hapjen e plotë duhet ta dimë se hapja ka një armik që mund të na kthejë prapa: kurbën pa rënie. Praktikisht, Shqipëria po hapet në një lloj kulmi të pandemisë së saj. Ky fakt duhet të shërbejë për një përgjegjësi shumë të madhe nga të gjithë. Asnjë arsye nuk mund të përligjë injorimin e masave dhe protokolleve të hapjes e punës në pandemi. Njeri i lirë në kuptimin demokratik dhe atdhetar të fjalës është ai që di të mbajë në ekuilibër manifestimin e të qenit i lirë me mbrojtjen e vetes , të afërmve dhe mjedisit shoqëror nga virusi. /Gazeta Liberale