Meta dallon gërmat, aty ku opozita shikon mur të bardhë

Analizë Opinion

Nga Skënder Minxhozi 

Në darkën e 2 marsit, kur bulevardi qëndror i Tiranës mbushej nga përkrahës të PD të kamufluar me petkun e çuditshëm të “protestuesit presidencial”, shumëkush në Shqipëri ishte i sigurt se opozita kishte gjetur liderin e ri: Kryetarin e shtetit Ilir Meta. Të gjithë ishin në këmbët e tij, Lulzim Basha, Sali Berisha dhe Monika Kryemadhi. Aq sa atë s’e mbajti mallëngjimi dhe u përgjunj para tyre duke bërë gjestin e shqiponjës.

Ishin orët kur Shqipëria po zbulonte anën më të errët të njërit prej politikanëve më jetëgjatë, që tashmë kishte vendosur të kthehej në një shoumen të shëmtuar dhe të dalë nga vetja. Ishin gjithashtu orët kur një armik i padukshëm, koronavirusi, vërtitej në turmën e protestuesve, por për të nuk pyeste askush. Ishte gjetur udhërrëfyesi i ri i opozitës dhe kaq mjaftonte për oborrin e atyre që donin rrëzimin e Ramës një orë e më parë.

Por tamam si në ato ëndrrat e bukura të mëngjesit, që mbarojnë me një zgjim zhgënjyes, edhe kjo e Ilir Metës kryetar opozite rezultoi një flluskë sapuni. Sepse Meta nuk ka ndërmend të shkojë askund. Aq më pak të marrë në dorë karrocën pa rrota dhe me kuaj të plakur të opozitës shqiptare.

Shpërthimi i pandemisë përmbysi gjithçka. Tashmë dy marsi duket si një ngjarje e viteve ’90, kurse Ilir Meta ka pësuar një transformim që duket se është produkt i thelbit të tij si njeri dhe si politikan. Kush e njeh mirë Ilir Metën, e di se ai egzaltohet, por edhe kthjellohet në momente të forta vështirësish e stresi. Përtej gafave si ajo e dy marsit, megjithë bishtat që e shoqëruan atë moment çmendurie politike, instikti i brendshëm i Presidentit duket se po e ndihmon edhe një herë të shohë gërmat, aty ku Lulzim Basha shikon thjesht një mur të bardhë.

Në ndryshim nga opozita, e cila po vijon të luajë me të njëjti regjistër, si në kohët normale, Meta ka kuptuar unikalitetin dhe specifikën e këtij momenti që po jetojmë. Një kohë e çmendur që kërkon masa të çmendura.

Ai e di se bilanci i ulët i viktimave dhe të infektuarve në Shqipëri, nuk jep material për një fabul opozitarizmi kundër qeverisë. Ashtu siç nuk japin material as shashkat e zakonshme, me akuza për keqmenaxhim e korrupsion, të cilat përdor sot Basha, Berisha dhe “ushtari” i ikur në drejtim të paditur, Petrit Vasili.

Meta e ka kuptuar se e vetmja kartë fituese në momentin kur bota është mbuluar me vdekje dhe kob, është ajo e dorës së fortë ndaj përhapjes së virusit. Përvoja e tij e ndihmon të ndjejë dhe të lexojë frikën dhe shokimin që kanë pësuar shqiptarët, kur shohin të vdekurit në Itali e Spanjë. E di se kjo frikë merr përpara dhe shkel me këmbë çdo instrumentalizim apo politizim të krizës. I sheh me të njëjtin dyshim si Basha e Berisha monologjet kërcënuese të Edi Ramës ndaj atyre që dalin jashtë shtëpive në orarin e karantinës, por e ka mençurinë të kafshojë buzën e të mos flasë. E di mirë se po doli në anën e të dobtëve në këtë moment, është i humbur politikisht.

Megjithëse ka vijuar të kthejë, si edhe më parë, ligjet që miraton parlamenti, Presidenti e kaloi paketën e ndryshimeve në Kodin Penal për koronavirusin. Një hap i cili, nëse shihet i varur në ajër, vërtet krijon përshtypjen e një hapjeje krahu ndaj Ramës. Por që në realitet është kontributi që Ilir Meta, kryetari i shtetit shqiptar, po reklamon në momentin aktual, në përballimin e krizës së koronavirusit. Ai e di se kjo krizë do të lerë një vragë të thellë kujtesën e shqiptarëve dhe nuk dëshëron aspak të kujtohet si njeriu që i futi shkopa në rrota procesit të përballimit të pandemisë.

Duke ju bashkangjitur linjës së fortë dhe duke i parë me shpërfillje kuisjet e opozitës për menaxhimin e krizës, Meta ngriti jo vetëm kreditet e veta politike (jo ato të Edi Ramës, por të vetat!), por edhe vendosi një linjë të qartë dallimi mes vetes dhe kursit të paqartë të opozitës zyrtare, në lidhje me pandeminë.

Ilir Meta nuk ka bërë asnjë pakt me Edi Ramën. Ai ka bërë pakt vetëm me Ilir Metën. Këta dy persona ka kohë nuk mund të bëjnë më pakte afatgjata mes tyre. Kanë ecur shumë thellë në armiqësinë dhe rivalitetin që i ndan, që të mund të kthehen më pas sikur s’ka ndodhur asgjë.

Në rastin më të mirë, nëse nuk do të ndodhë ndonjë nga zhvendosjet tektonike të papritura që kemi parë të shfaqen mes tyre, Meta dhe Rama po bëjnë së bashku vetëm një copë rrugë: pandeminë e koronavirusit. Të gjitha shenjat thonë se ky është një armëpushim krejt i përkohshëm dhe kalimtar. Një “aleancë” që mbahet gjallë vetëm nga raporti i përditshëm mbi numrin e të infektuarve. Ditën që shifrat do të rrafshohen, bëhuni gati për avazin e vjetër…/javanews.al

Share: