Nga Klodian Tomorri
Kur pashë titrat e televizioneve se Ministria e Energjisë dhe Inspektorati Shtetëror Teknik kishin bllokuar 550 tonë karburant jashtë standardeve të cilësisë, në fillim nuk po u besoja syve. Kur në titrat e dyta, pashë që nafta pa cilësi ishte bllokuar në Rafinerinë e Ballshit, nisa të dyshoj.
Pastaj kur mbërriti deklarata zyrtare e ministres dhe kreut të ISHTI-t nisa të qesh. Kjo e bllokimit të naftës pa cilësi ishte një nga komeditë më pa kripë dhe njëkohësisht një nga aktet më qesharake që ka bërë ndonjëherë administrata publike e këtij vendi.
Ministrja tha bllokuam 550 tonë nafte jashtë cilësie, pa përmendur emrin e subjektit kujt i përkiste karburanti dhe mbi të gjitha pa përmendur se çfarë mase ndëshkimore mori shteti për kompaninë. Çfarë gjobe iu vu kësaj kompanisë që iu gjetën 600 mijë litra karburant jashtë cilësie? Asnjë.
Por fjalia që i vuri qershinë mbi torte ishte: Kjo naftë, pasi të ripërpunohet, lejohet të hidhet në treg. Shkurt, e gjitha ishte një shou qesharak dhe një komedi banale, me të cilën mund të qeshë vetëm qeveria.
Të kapesh naftë jashtë cilësie në rafineri është njësoj si të thuash shkova te fabrika e miellit dhe gjeta grurë. Sigurisht që në rafineri ka dhe naftë pa cilësi sepse rafineria atë punë bën, përpunon naftën.
E gjitha kjo histori është njësoj si ajo e Gegës me firot. Që thanë kemi gjetur naftë mangët në magazinën e lirë doganore, e madje e çuan edhe për ndjekje penale pronarin. Një tjetër çmenduri. Magazina e lirë është e paprekshme dhe shteti nuk ka punë fare të hyjë aty. Kur kalon traun, vetëm atëherë autoritetet kanë të drejtë kontrolli.
Tani lërini këto historitë qesharake dhe sqaroni pak qytetarët çfarë u bë me ato 20 tonë naftë që u bllokuan në kantierin e një kompanie ndërtimi, e cila ishte e gjitha e pamarkuar?
Cila ishte kompania e ndërtimit?
Cila ishte kompania furnitore e karburanteve? Sa ishte dëmi në buxhet?
Pse ra heshtja papritur dhe pse nuk u bë publike fare kapja?
Nuk bëhet luftë kundër informalitetit me dy porta.