Zhgënjimi nga Basha vjen ngaqë nuk po na tregon shtetin e tij të nesërm!

Analizë Opinion

Nga Ben Andoni

Amerikanizimi i emrit, që i bëri orët e fundit ambasadorja Juri Kim kreut të opozitës, ka qenë i mjaftueshëm për ta vënë të mikluar në gjumë Bashën. Por, jo thjesht Lulzim Bashën por edhe entuziastët e tij. Shpresa se SHBA tashmë prej ambasadores së re është më afër opozitës dhe normaliteti me të cilin po sillet ajo, e tregon shumë më të afërt me mëtonjësin për kryeministër. Veçse, kjo, e ka përgjumur PD-në, e cila nga ana tjetër është zbutur dhe plotëson të gjithë detyratnë tryezën zgjedhore dhe ngado me apatinë e saj. Veçse tashmë problemi s’është më Edi Rama, që ka zgjedhur të jetë indiferent dhe madje as presidenti Meta, që nuk po e ndan dot staturën e presidentit të vendit me politikanin, por vetë PD, në letargjinë e saj para tollovive të panumërta nga kryeministri dhe presidenti i vendit, ku ky i fundit, jo pak herë ka artikuluar dhe problematika reale. Në fakt, shqetësimi më i madh dhe topitja e përgjithshme e publikut, veç pasojave të mëdha të tërmetit dhe izolimit të detyruar nga Covid-19 është realisht vetë opozita dhe tollovitja e brendshme e saj. Duket që ka regjistra të ndryshëm mes anëtarëve të saj, ndërsa përpjekja për ta vendosur LSI-në në opozitë gati me të drejta të barabarta si PD duket një minus i madh. Jo thjesht se PD-LSI është aliazh i vështirë porse flitet për një parti, që mjafton një shkelje syri dhe ndërron krahë.

Për Bashën problemi më i madh është se në të gjithë kohë, duke “ia harruar” përbërjen e shkuar të listave, mënyrën sesi e sheh Reformën në Drejtësi, qëndrimin ndaj koncesioneve, qëndrimin ndaj Trashëgimisë etj., etj., ka një problem më të madh dhe kjo fillon nga demokracia e brendshme dhe paqartësia e artikulimit të shtetit të tij të nesërm. Që do të thotë: qytetari, nuk e sheh dot sesi do jetë funksionalizimi i duhur i shtetit të tij, njerëzit, strukturën e emërimeve, diasporën, përballjen me rajonin etj., elementë që do të na bënin të besonim se e ardhmja do të jetë ndryshe me Bashën si kryeministër. Në vend të kësaj, një përpjekje e vakët për të imituar Ramën dhe duke e parë me kujdes pushtetin e tij, që nuk është çudi, ai mund ta administrojë në të njëjtën mënyrë dhe po me të njëjtën efikasitet.

Çështja e Teatrit dhe prishja e Godinës historike na mësoi shumë. Mënyrën sesi zgjidhen njerëzit e Këshillit Bashkiak, bindja e paepur e shumë syresh por mbi të gjitha: emërimet e dikastereve dhe strukturave të  Kulturës, që kanë pjellë aq dasi ngado, ashtu si edhe arrogancën e pushtetarëve lokalë, bash ata që sot cedojnë kudo dhe e kanë rënduar shtetin me njerëz, që janë thjesht zgjatime të nomenklaturave të kryeministrit. Të mjafton të shikosh inspektimet e tij dhe t’i kupton nga gjuha e trupit se çfarë fuqie kanë ministrat dhe zyrtarët lokalë. Si dy pika uji vepron dhe Basha, me kokën sipër dhe krejt indiferent me vartësit e me artikulime të vakëta. Shpesh, edhe ai, pa as edhe më të voglin respekt për të tjerët, ata që mbajnë realisht peshat e mëdha të kohës në partinë e tij. Ky është pra zhgënjimi ndaj tij, bash, që njerëzit nuk e shikojnë dot shtetin e të nesërmes, atë që mezi po e presin të gjithë, nga Mr. Luli Basha, siç u shpreh ambasadorja amerikane. (Javanews)

Share: