Nga paga e luftës te përfitimi nga kriza

Analizë Opinion

Nga Fatos Çoçoli

“Jo çdo e keqe vjen vetëm për keq”, thotë populli. Kjo fjalë e urtë mund të shndërrohet në flori për ekonominë tonë, nëse qeveria dhe sipërmarrësit e kapin momentin. Por çfarë është ky moment? Me ekonomitë më të mëdha evropiane në rënie rreth 10 për qind për këtë vit, financat e shtresës së mesme europiane do të goditen ashpër. Megjithatë, rreth 110 milionë europianë të mesëm të Bashkimit Europian mund të mos i heqin pushimet e këtij viti krejtësisht nga lista e shpenzimeve. Për një pjesë të tyre, zvogëlimi i të ardhurave nga këta dy muaj bllokim aktiviteti dhe një veprimtari të pakësuar për muajt e tjerë do të bëjë me siguri që të zëvendësohen vendet turistike të parashikuara përpara koronavirusit me destinacione të reja më të lira. Me fjalë të tjera, me miliona familje europiane mund të heqin dorë nga pushimet në Spanjë, Kroacinë që është bërë e shtrenjtë, apo në Greqi. Për shkak të kostove që të ardhurat e pakësuara të këtij viti i bëjnë të ngurrojnë. Pikërisht te kostot dhe siguria e turizmit vendi ynë Shqipëria ka një përparësi të madhe që mund të jetë një element vendimtar tërheqës për shumë familje europiane. Kemi brigje detare të bukura dhe relativisht të lira! Nga ana tjetër, një lëvizje e tillë mund të ndodhë edhe me familjet shqiptare me të ardhura të mesme, të cilat ndoshta këtë verë do të jenë edhe të detyruara të bëjnë pushimet e tyre brenda vendit. Pra, këto mund të shihen si mundësi, dhe me strategjitë e duhura, mund të kthehen në avantazh për sektorin tonë të turizmit, i cili në 6-mujorin e dytë të vitit mund të reduktojë disi edhe humbjet e tanishme të buxhetit të shtetit. Një nga avantazhet e tjera për turizmin në këtë periudhë qameti është se kërkesa për punë mund të rritet dhe njerëzit të jenë të interesuar të punësohen, nisur nga vështirësitë e gjetjes punë në sektorë të tjerë. Sado paradoksale të tingëllojë tani, edhe industritë tona me material porositësi(i quajmë fason) mund të përfitojnë. Pavarësisht se tani, me kufirin e mbyllur me Italinë, Belgjikën, Gjermaninë gjithçka duket e errët. Mirëpo pandemia dhe bllokimi ekonomik që ajo ka shkaktuar ka nxjerr në pah varësinë e Europës së zhvilluar nga prodhimet me material porositësi dhe produktet e shumta të tjera nga Kina dhe vendet e tjera aziatike, si Bangladeshi, India, etj. Politikëbërësit europianë kanë relativisht pak aftësi ndikuese mbi politikat ekonomike të këtyre vendeve, gjë që sjell një ndjesi të përhershme varësie ekonomike në zinxhirët e prodhimit. Dhe kjo varësi tani pasigurinë e ka ngritur në kulm. Kjo sidomos për sipërmarrësit europianë të industrive të veshjeve, të këpucëve, etj. Nga ana tjetër, për shkak të ngurtësisë së tregut të punës, tejmbrojtjes së punëmarrësve dhe sistemeve fiskale, vendet e Bashkimit Europian e kanë të vështirë të bindin prodhuesit vendorë të këtyre sektorëve që të kthehen, të investojnë sërisht në Gjermani, Itali, Spanjë, Belgjikë e me radhë. Mbetet një zgjidhje e mesme: investuesit mund të kenë më tepër interes për ta zhvendosur prodhimin e për ta sjellë më afër Europës. Ose ndoshta dhe pikërisht në Evropë, në atë më pak të prekurën nga koronavirusi. Europën Jugperëndimore…Rajoni i Ballkanit është një zonë e përshtatshme për këtë. Strategjikisht jemi edhe ne. Mirëpo brenda rajonit, ne kemi ende barrën më të lartë tatimore, krah pune të pakualifikuar dhe nivel të lartë korrupsioni. Këta tre faktorë nuk është se na përjashtojnë fare nga shansi për të përfituar, por na lënë pas fqinjëve tanë konkurrentë. Është momenti që qeveria jonë ta rimendojë konkurrueshmërinë e Shqipërisë në raport me fqinjët. Ne nuk mund të përmirësojmë brenda dy muajsh kualifikimin e krahut të punës, por mund të punojmë me inkurajimin e investimeve të huaja nga ana fiskale. Shumë shpejt, ndoshta që në fund të qershorit, kufijtë tanë mund të hapen edhe për Gjermaninë ose Belgjikën, apo më vonë për Italinë dhe Spanjën. Ndaj duhet të jemi gati. Kësaj here nuk bëhet fjalë për thjesht rritje ekonomike, por mbi të gjitha për të garantuar mbijetesën ekonomike, e cila gradualisht mund dhe duhet të kthehet në rritje ekonomike. Qeveria jonë e ka mundësinë për ta zgjidhur në mënyrën më të mirë të mundshme këtë, duke krijuar klimë konkurruese për prodhuesit e investitorët evropiane, që sot i tremben Kinës dhe kanë hedhur sytë në horizonte të tjera, edhe ballkanike. Bën shumë mirë që përpiqet të mbajë me asistencë e paga lufte e paslufte të paktën 1 milionë shqiptarë, por nga ana tjetër, është e domosdoshme që qeveria të synojë t’u sjellë punësim përmes nxitjes së sektorit privat. Përmes uljes(më në fund) të tatimit mbi fitimin, që na bën aq pak konkurrues në rajon! Amnistia fiskale dhe liberalizimi i marijuanës mjekësore duken paterica të dobëta për të mbajtur në këmbë ekonominë tonë sot. Rritja e konkurrueshmërisë nuk është patericë, por shans konkret për të përfituar nga kriza e furnizimit me materiale të porositësit në rajone të tjera të botës.

 

 

Share: