Nga Enver Robelli
Më 6 prill 1941 Astrid Lindgren shkroi në ditarin e saj: “Trupat gjermane sot në mëngjes depërtuan në Jugosllavi dhe Greqi! E pritshme. Që nga puçi i Mbretit Petar gjendja u tensionua gjithnjë e më shumë”. Por suedezja e re besonte se në Ballkan gjermanët nuk do ta kishin aq lehtë si në Norvegji, Holandë, Belgjikë apo Francë. Në botën mbarë Astrid Lindgren nuk do të bëhej e njohur me ditarin e saj, por me një libër që mban datën 26 nëntor 1945 – “Pipi Çorapegjata”. Vajza që i thyen rregullat. Vajza që nuk ngurron të thotë atë që mendon dhe të bëjë atë që dëshiron. Vajza që e do lirinë. E pakufishme.
Kur Pipi Çorapegjata hyri triumfalisht në botën e njerëzve, pjesa më e madhe e Evropës ishte një fushë me rrënoja. Miliona të vdekur, miliona të çrrënjosur nga lufta, miliona të plagosur, miliona pa shtëpi. Viktima dhe vrasës. Nazizmi e fashizmi ishin mposhtur, komunizmi i tipit stalinist po fillonte fushatën e re të përndjekjes së atyre që i konsideronte të padenjë për të jetuar në “demokracitë popullore me punëtorë e bujq”. Në atë botë të errët koncepti i të drejtave të njeriut ende nuk ishte etabluar. Në vitet në vijim të drejtat e njeriut në shumë vende e përjashtonin gruan. Vajzat duhej të ishin të dëgjueshme, “grua shtëpiake”, njëri prej komplimenteve me helm që dëgjohet edhe sot (jo vetëm aty-këtu në viset shqiptare), pra një grua që mbarështon e qeveris shtëpinë, amvise. Megjithatë, Pipi Çorapegjata me kryeneçësinë e saj fantastike ka ndikuar në çlirimin e vajzave dhe grave nga prangat e patriarkalizmit.
E heshtur, e dashur, e bukur, vetëmohuese. Këto ishin pritjet e jo pak prindërve nga vajzat e tyre. Për fatin e tyre vendosnin prindërit. Në cilën shkollë do të shkonin. Me kë do të dilnin. Kur do të dilnin. Dhe kur duhej të ktheheshin në shtëpi, nëse fare lejoheshin të dilnin. Nga ana tjetër: djemtë duhej të ishin të fortë, të pamposhtur, të patrembur dhe mobilë. Pa kufizime. Kështu ka qenë Evropa.
Si askund tjetër, prapambetja vërehet te e drejta e votës. Zvicra është kampione në këtë drejtim. Tek në vitin 1971 gratë në këtë vend fituan të drejtën të votonin. U mbajt një referendum nacional dhe u vendos që gratë të jenë të barabarta me burrat në kutinë e votimit. Shumica e kantoneve e pranuan rezultatin. Por kishte edhe kantone kryeneçe. Zvicra lindore dhe ajo qendrore, më saktë burrat e kësaj pjese të Zvicrës në kantonet St. Gallen, dy Appenzellët, Thurgau, Glarus, Schwyz, Obwalden dhe Uri thanë: gruaja e ka vendin te magjja, jo te kutia e votimit.
Më së shumti qëndroi kantoni Appenzell Innerrhoden: tek më 1990 burrat kapitulluan dhe pranuan që edhe gratë mund të votojnë. Nuk u dorëzuan me dëshirë, por pas një vendimi të Gjykatës Federale të Zvicrës. Shqipëria në krahasim me Zvicrën mund të quhet progresive. Më 1920 u miratua e drejta aktive e votës, ndërsa menjëherë pas Luftës së Dytë gratë fituan edhe të drejtën pasive të votës. Para Luftës së Dytë Botërore në asnjë parlament shqiptar nuk kishte asnjë grua deputete. Edhe në Kosovë tek pas Luftës së Dytë Botërore gratë fituan të drejtën e votës.
Pipi Çorapegjata ishte personazhi revolucionar. Nuk ishte princeshë si vajzat te përrallat e Vëllezërve Grimm. Ose si Heidi (Hajdi) e shkrimtares zvicerane Johanna Spyri, e cila ishte shkulur nga vendlindja dhe duhej të duronte karaktere të mërzitshme grash në qytet. “E lumtur dhe radikalisht e çliruar nga frika, Pipi jetonte pa prindër në një vilë, e gëzuar, pa gajle, e dashuruar në veten e saj dhe me shumë dashuri për të tjerët. Për dallim nga shumë lexuese dhe lexues të saj të parë të vegjël, ajo nuk kishte vuajtur kurrë nga uria, nuk kishte kaluar asnjë natë në bodrum për të shpëtuar nga bombat, nuk e dinte çka është lufta dhe nuk kishte prindër apo arsimtarë të dhunshëm”, shkruan gazeta gjermane “Die Zeit”.
Te Pipi Çorapegjata gjithçka është me bollëk. Hapësirë, natyrë, para, ushqim, ëmbëlsira. Një botë përrallore me një komandante: Pipi. Ajo dhe shpikësja e saj, Astrid Lindgren, mund të konsiderohen ndër feministet më me ndikim. Pipi është një Simone de Beauvoir për fëmijë që duan të rriten të lirë.