Në majë të gishtave, drejt jetës tonë normale

Analizë Opinion

Nga Skënder Minxhozi

Zbritja do të jetë shumë më e ngadaltë sesa ngjitja. Me këto fjalë e përcaktonte pak ditë më parë kreu i OBSH Tedros Adhanom Ghebreyesus, fazën e daljes graduale të shteteve nga karantina. Bota u mbyll shumë shpejt në shtëpi, por do të dalë prej aty gradualisht dhe me shumë kujdes. Ky është refreni që dëgjon këto orë nga Azia, në Amerikë, në Evropë e më tej.

Paradoksalisht qindra milionë njerëz janë ndjerë më të sigurt të mbyllur, megjithë një mijë problemet që ajo solli me vete, sesa me sfidën e hapjes, të daljes nga shtëpitë. Qëndrimi në shtëpi është relativisht i thjeshtë. Papunësia masive, rrënimi i pritshëm ekonomik dhe stresi e ankthi që ka shkaktuar kjo vetëburgosje planetare, është megjithatë më pa komplikacione dhe më e zbatueshme, sesa ajo që do të ndodhë në momentin kur vendet të fillojnë të planifikojnë daljen nga karantina.

Të premten SHBA njoftuan një plan me tre faza, për rihapjen e shoqërisë, duke ruajtur masat e forta të distancimit social, duke rritur numrin e testimeve dhe liruar gradualisht karantinën në shtetet që kanë më pak raste me Covid 19. Të njëjtën gjë po bën edhe Bashkimi Evropian, duke shtrirë hapat e çlirimit social nga mesi i prillit të këtij viti, kur do hapen me rradhë bibliotekat, ndërmarrjet industriale, hotelet, restorantet, kampionatet sportive, e deri në marsin e vitit të ardhshëm, kur do të hiqen barrierat kufitare mes vendeve anëtare. Italia e plagosur rëndë nga Coronavirus do të jetë edhe më konservatore në rihapjen e saj, duke insistuar tek distancimi fizik dhe kontrolli kapilar i territorit me testime të vazhdueshme.

Po Shqipëria? Ku e gjejmë veten ne në këtë mozaik plot të panjohura dhe rreziqe? Duket se ne do të jemi edhe më konservatorë se shtetet perëndimore. Ashtu siç kemi qenë deri tani, e kjo për arsye tërësisht të kuptueshme, të cilat lidhen me fuqinë e infeksionit, që shtriu përtokë sisteme shëndetësore pafundësisht më të përgatitura se ky i yni.

Obsesioni i qeverisë për ta mbajtur larg spitaleve dyndjen e pacientëve me koronavirus, është në fakt një qasje e përbotshme. “Nëse keni temperaturë, mos merrni në telefon ‘999’. Drejtojuni internetit dhe aty lexoni se çfarë sëmundjeje i përkasin simptomat tuaja”, kështu këshillonte kryeministri Johnson në nje nga konferencat e para të shtypit, atëhere kur nuk kishte rënë ende vetë viktimë e Covid 19.

Mënyra sesi qeveria shqiptare dhe institucionet e saj të specializuara, e kanë menaxhuar deri tani emergjencën koronavirus, ju jep të drejtë atyre që kanë tagrin e firmën për daljen nga kriza. Ata që kishin parashikuar një teoremë vdekjesh e përmbytjeje të sistemit tonë shëndetësor me të sëmurë të pashpresë, deri këtu kanë dështuar. Megjithë teoritë e komplotit që shpik politika e dy asprave, duke kërkuar e gjetur “varrëmihës dixhitalë” që varrosin viktima që s’dihet ku dhe kur paskan vdekur, për fat të mirë ne nuk po na shtyp nën vete mali i kufomave si në Bergamo dhe as po na fusin në krizë mijërat e të sëmurëve si në Spanjë.

Koronavirus në Shqipëri ka bërë deri tani dëme të pranueshme. Po vdesim më shumë nga stresi i mbylljes brenda, mërzia apo ankthi i pasigurisë së nesërme ekonomike, sesa nga kosa e virusit që fshiu dhjetra mijëra nga Azia në Amerikë. Koronavirus nuk është kthyer dot në një fabul politike reale në Shqipëri. Shumë më mirë kështu!

Sfida e daljes nga karantina është ndërkohë komplekse dhe afatgjatë. Askush nuk e pranon sot, që të shkëmbejë një numër “x” të vdekurish më tepër, me përshpejtimin e hapjes së shkollave, ndërmarrjeve të biznesit dhe njësive tregëtare. Orët e fundit një personazh i diskutueshëm publik në SHBA, Doktor Oz, propozonte që të hapeshin shkollat, pasi sipas tij, vdekshmëria totale në vend do të rritej “vetëm 2-3%”. Pra disa mijëra të vdekur më tepër.

Ky është një ekuilibër i rrezikshëm dhe i brishtë mes vdekjes dhe parave, me të cilin ka flirtuar gjatë edhe Suedia, por që nuk e ka shuar për asnjë moment debatin e nxehtë politik e social që shoqëron këtë temë. Edhe në SHBA, aty ku republikanët kanë predikuar gjatë kundër karantinës, mbyllja në shtëpi fitoi qartë mbi mbajtjen hapur të shtetit.

Raporti mes sasisë së risqeve dhe përfitimeve të dhënies fund të karantinës, do të jetë një dilemë hamletiane për pjesën dërrmuese të mbi 200 shteteve e territoreve, ku koronavirusi ka mbjellë panik, të sëmurë dhe të vdekur. Edhe ne si shqiptarë do të duhet ta peshojmë shumë me kujdes këtë moment, i cili, siç thonë ekspertët e sektorit, duhet shoqëruar me shumë lloje testesh, kontrollesh e dore të hekurt në territor, me qëllim moskthimin e pandemisë.

Do të marr vendimin më të rëndësishëm të jetës time, thoshte dy ditë më parë Presidenti Trump, në lidhje me hapjen e SHBA. Një deklaratë serioze, e një njeriu që s’ka qenë gjithmonë serioz ndaj krizës aktuale. E megjithatë dikur do të duhet të dalim nga shtëpitë, pasi mbyllja brenda duhet të mbetet përjashtimi, e jo rregulli. Në majë të gishtave, të planifikojmë sesi do t’i afrohemi sërish jetës tonë normale./javanews.al

Share: