Jolanda LILA
Studiuesi, që i ka kushtuar një rëndësi tëveçantë vëzhgimit të dimensionit trepërmasor të kohës: të shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes, duket si i ka ngërthyer së bashku këto përmasa në veprën e vet shkencore, duke e matur çdo tik-tak me ritmin e punës së pandalur. Në 40 vjet punë, ai numëron 40 libra të botuar në fushën e studimeve letrare, gjuhësore, antropologjike, folkloristike, historike, kodikografike etj. dhe është skenarist i mbi dhjetë filmave dokumentarë, mes të cilëve edhe i dokumentarit Beratinus, fitues i çmimit Madona e Argjendtë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit. Ka drejtuar, po ashtu, disa projekte shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare dhe ka recensuar e redaktuar dhjetëra libra e punime shkencore të autorëve të ndryshëm shqiptarë.
Në çdo 16 prill, datë që shënjon ditën e tij të lindjes, ai sjell dhuratë për lexuesit një libër të ri, si një lloj bilanci me vetveten, për të dëshmuar se ai e ka kapërthyer kohën. Përngjan sikur nuk e ndien as ngadalësinë sfilitësh e as shpejtësinë tinëzare të saj, sepse ai ka ritmin e vet të brendshëm. Kërkimi shkencor, analizimi dhe procesi i të shkruarit është zemra e jetës së tij.
Puna sistematike, shënimet e shumta dhe dashuria e kureshtja për dijen, e bëjnë atë të punojë në dy-tri linja studimore. Kurorëzimi i çdo viti me një libër nuk nënkupton se puna hartuese ka zgjatur po aq, por se njëri prej projekteve të tij studimore është finalizuar. Libri që i ka kushtuar më tepër kohë, prej gati 30 vjetësh është kolana me 5 vëllime mbi antropologjinë.
Në librat e tij spikat vëzhgimi i mprehtë, njohja e thellë, hulumtimi i imtësishëm, por edhe modestia përpunën e vet, duke mos i përcjellë si ekskluzivitete studimet e veta, edhe pse në shumë raste janë të tilla. Në këtë kuadër, vlen të përmendin hulumtimet e tij nëpër arkiva, brenda dhe jashtë vendit, për studime e dëshmi mbi trashëgiminë arkivistike shqiptare, kodikët filologjikë dhe kronografikë.
I rrethuar nga librat në tavolinën e tij të punës në katin e dytë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ai vijon të punojë për librat e tij të ardhshëm, por edhe për mbarëvajtjen e punës në institucionin më të lartë të shkencës në Shqipëri, ku ai mban edhe pozicionin “Sekretar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”.
I qeshur dhe komunikues me këdo, pa barriera pompoziteti e krenarie (mbase të përligjura në rastin e tij), ai karakterizohet nga thjeshtësia dhe modestia. Ka një prirje të theksuar për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesave të shumta nga kolegët dhe studentët, pasi dëshiron t’u gjendet pranë të gjithëve. Shënimet e tij të pafundme nëpër skeda renditen me një kaligrafi tepër të bukur dhe me një rregullsi shkronjash, të ngjashme me rregullsinë dhe natyrën sistematike që e karakterizon gjithë punën e tij.
Braktisja e gazetarisë për punën shkencore
Profesor Shaban Sinani lindi me 16 prill të vitit 1958 në Peshkopi. Në vitin 1983 i përfundoi studimet në degën e gjuhë-letërsisë në Universitetin e Tiranës dhe fill pas studimeve universitare emërohet gazetar në gazetën “Zëri i popullit”. Serioziteti dhe stili i tij i të shkruarit ranë në sy të drejtuesve. Ai mund të kishte një karrierë të shkëlqyer në gazetari, por e braktisi atë për një rrugë më të mundimshme, por edhe më frytdhënëse, si ajo studimeve. Pavarësisht këmbënguljes së kolegëve dhe mjedisit motivues që gjeti në gazetë, sërish dëshira e tij më e madhe ishte të merrej me studime shkencore.
Nga viti 1985-1992 ai punoi si ndihmës i Kryetarit të Shtetit për çështjet kulturore, ndërsa nga viti 1992 nisi punën si punonjës shkencor në Institutin e Kulturës Popullore dhe për anjë çast nuk u nda më nga puna kërkimore shkencore. Përvojat e mëtejshme si Drejtor i Përgjithshëm i Arkivave dhe puna në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë ndikuan në zgjerimin e spektrit të tij studimor.
Falë punës së tij, sot ne njohim anë të panjohura të autorëve të tillë, si: Ismail Kadare, Jeronim De Rada, Martin Camaj, Dritëro Agolli etj. Në veprat e tij, edhe kur bëhet fjalë për studime monografike, vihet re se autori i zgjeron kufijtë e objektit studimor, duke sjellë edhe të dhëna historiko-kulturore, të cilat e paraqesin të plotë dhe në trajtë gati enciklopedike trajtimin e dukurisë. Disa nga librat më të rëndësishëm të akademikut Shaban Sinani janë: “Hieronimi në botën arbëreshe”, “Camaj i paskajuar”, “Mitologji në eposin e kreshnikëve”, “Tradita gojore si etnotekst”, “Studime për etno-folkoristikën krahasimtare”, “Për letërsinë shqipe të shekullit të 20-të”, ”Kodikët e Shqipërisë në kujtesën e botës”, “Hebrenjtë në Shqipëri”, “Antropologji etnojuridike”, “Antropologji e religjionit”, “Kosova në syrin e ciklonit”, “Kosova në gjeopolitikë”, “Ndajfoljet përemërore në gjuhën shqipe”etj. Këto janë vetëm disa nga titujt e librave të tij, të cilët tregojnë larminë dhe interesimet e gjera studimore, që konturojnë profilin e akademikut Shaban Sinani. Nga studimet letrare tek ato folklorike e etnologjike, nga vështrimet historiko-politike tek analizat e detajuara gjuhësore, nga dokumentet më të hershme deri tek tekstet bashkëkohore, të gjitha përbëjnë një kontribut të vyer për fondin e letërsisë dhe të historiografisë shqiptare.