Historiani i njohur britanik Niall Ferguson mbi koronavirusin dhe fajin e udhëheqjes kineze: “Për aq kohë sa një e pesta e njerëzimit i nënshtrohet vullnetit të një organizate të papërgjegjshme, të korruptuar dhe të etur për pushtet me një histori të krimeve kundër popullit të vet, as pjesa tjetër e njerëzimit nuk do të jetë e sigurt”. Apeli i Ferguson ndaj botës perëndimore është ky: mos i besoni hipokrizisë dhe rrenave kineze.
Nga Enver Robelli
Historiani Niall Ferguson ka botuar një ese të shkurtër, por të ashpër në gazetën “Sunday Times” mbi rolin e Kinës në përhapjen e koronavirusit. Pasi ka arritur të pengojë pak a shumë përhapjen e virusit, Kina po paraqitet si “superfuqi humanitare” që po i ndihmon madje edhe Amerikës. Kjo propagandë synon të harrohet fakti se virusi e ka burimin në Kinë.
“Kush është i kurthuar në obsesionin tonë të sotëm mbi përfshirjen kulturore dhe ndjeshmërinë, me gjasë nuk e pëlqen faktin se Donald Trumpi flet për ‘virusin kinez’. Por Trump e quan kështu jo pa të drejtë – po ashtu siç kanë pasur njerëzit arsye të fortë në vitin 1968 që flamën A (H3N2) ta quajnë ‘grip i Honkongut’, sepse rasti i parë ishte regjistruar në Honkong”, shkruan Ferguson.
Propaganda kineze shkon më tutje. Një zëvendësdrejtor i Ministrisë së Jashtme të Kinës thur teorinë e komplotit duke thënë se virusi e ka origjinën në Amerikë. Më 12 mars ky zëvendësdrejtor shkroi në Twitter: “Mund të ketë qenë ushtria amerikane, e cila e solli epideminë në Vuhan”. Ai shpërndau një cicërimë ku thuhej se një ekip amerikan mund të ketë sjellë virusin, kur në tetor në Vuhan u mbajtën Lojërat Botërore Ushtarake.
Sipas historianit Niall Ferguson më e keqja është se disa njerëz në Perëndim, të hutuar nga simptoma errësuese e Trumpit, të korruptuar nga paraja kineze dhe – si në rastin e Italisë – të deziluzionuar nga reagimet jo aq altruiste të europianëve të tjerë, janë të gatshëm ta përpijnë këtë valë toksike të hipokrizisë dhe rrenave. “A ka pasur gjatë këtij viti gjë më të shkalluar se fushata e shkurtit e kryetarit të Firences me moton: ‘Përqafoje një kinez”?, pyet Fergoson.
Për t’u kthyer në realitet, Fergoson ia drejton gjashtë pyetje liderit kinez Shi Xhinpin.
Një: cila ka qenë arsyeja e vërtetë e shfaqjes së Sars-Cov-2 në Vuhan? A erdhi virusi nga lakuriqët që ofrohen për shitje në tregjet e Vuhanit, të cilat qeveria kineze nuk i ka mbyllur? Nëse virusi është shfaqur edhe për shkak të praktikave të pakujdesshme të degës në Vuhan të Qendrës Kineze për Kontroll dhe Parandalim të epidemive, atëherë kjo është edhe më keq.
Dy: Sa i madh ka qenë roli i qeverisë qendrore kineze në fshehjen e pasojave të virusit pasi u bë e ditur se në Vuhan infektimi kalon nga njeriu në njeri? Ndërkohë e dimë se mes 12 dhjetorit dhe fundit të dhjetorit kishte 104 raste të sëmundjes së re me katër të vdekur. Pse Kina më 31 dhjetor zyrtarisht thoshte se “nuk ka dëshmi të qarta” se korona bartet nga njeriu në njeri? Dhe pse kjo direktivë nuk u ndryshua deri më 20 janar?
Tre: Pse më 23 janar Kina e ndaloi lëvizjen e njerëzve nga krahina Hubei (ku gjendet Vuhani) në pjesë të tjera të Kinës, por nuk e ndaloi udhëtimin e njerëzve nga kjo krahinë anekënd botës? Gjatë gjithë janarit dhe deri në shkurt ka pasur fluturime direkte nga Vuhani në Londër, Paris, Romë, New York dhe San Francisco. Tani që Covid-19 është përhapur në mbarë botën, Kina nuk ka humbur kohë dhe i ka ndaluar fluturimet nga bota e jashtme në Kinë. Qasja e Kinës ka qenë dukshëm më ndryshe kur “sëmundjen e eksportuat te ne”, akuzon Ferguson.
Katër: Çka e shtyri zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme kineze të përhapë teori konspiracioni në rrjetet sociale dhe përse nuk është dëbuar ai nga puna? Madje edhe ambasadori kinez në SHBA e mohoi këtë lajm të rrejshëm.
Pesë: Ku janë biznesmeni Ren Zhiqiang dhe mjeku nga Vuhani, Ai Fen, të cilët, me sa duket, janë zhdukur pasi kanë kritikuar mënyrën se si qeveria po menaxhon Covid-19?
Dhe pyetja e fundit, e gjashta: “Sa njerëz të popullit tuaj kanë vdekur me të vërtetë nga kjo sëmundje?”
Gjasat që Shi Xhinpin të përgjigjet në pyetjet e historianit britanik janë, natyrisht, të vogla, por kjo nuk është me rëndësi. Me rëndësi është që Fergoson hap një debat që në Perëndim është tabuizuar dukshëm. Kur në fillim të shkurtit revista gjermane “Der Spiegel” në ballinë nxori këtë titull: “Koronavirusi: Made in China. Si po bëhet globalizimi rrezik vdekjeprurës”, redaktorët e kësaj reviste u kritikuan pothuaj për racizëm.
Ferguson shkruan: “Nuk pres përgjigje të sinqerta në këto pyetje – po aq pak kemi pritur përgjigje të ndershme nga Partia Komuniste sovjetike pas Çernobilit. Por besoj se ne s’duhet të pushojmë së pyeturi, qoftë edhe për të injektuar veten kundër një virusi tjetër, i cili aktualisht po vjen nga Kina – se si përhapet dezinformata, këtë Shi Xhinpin e ka mësuar nga shoku i tij rus, Vladimir Putin”.
Kina, sipas Niall Ferguson, ka një problem të ngjashëm siç e kishte Rusia më 1991 – “problemin e një partie”. “Për aq kohë sa një e pesta e njerëzimit i nënshtrohet vullnetit të një organizate të papërgjegjshme, të korruptuar dhe të etur për pushtet me një histori të krimeve kundër popullit të vet, as pjesa tjetër e njerëzimit nuk do të jetë e sigurt”, mendon Ferguson.