Basha këmbëngul për rritjen e numrit të testeve: Mënyra më e suksesshme për të identifikuar të prekurit me COVID-19

Aktualitet Kryesore Politikë Sociale

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kërkon që qeveria të jetë sa më transparente në menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit. Nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale, kryedemokrati shkruan se qeveria Rama në të njëjtën kohë duhet të rrisë edhe numrin e testimeve.

“Transparenca dhe informacioni mbi gjendjen reale të infektimeve janë jetike për të ofruar garanci dhe siguri për stafet mjekësore dhe për të gjithë qytetarët. Testimi është mënyra më e suksesshme që po aplikohet sot për të identifikuar të prekurit nga COVID-19 dhe për të shkëputur zinxhirin e transmetimit. Prandaj sa nuk është vonë i bëj thirrje qeverisë të shtojë urgjentisht numrin e testimeve dhe të bëjë publike gjithë kapacitetet tona laboratorike. Çdo vonesë jo vetëm fsheh të vërtetën por do të na kushtojë shumë shtrenjtë!”, shprehet Basha.

Më tej ai thekson se “sa  më pak testime, aq më pak persona të identifikuar, aq më shumë të infektuar, aq më gjatë do të vazhdojë karantina dhe më shumë do të thellohet kriza ekonomike. Koha për të vepruar është TANI! Çdo ditë e humbur kushton jetë!”.

Share: