Nga Ben Andoni
Ajo që nuk parashikonte dot askush në Kosovë e në Shqipëri, sa i përket jetëgjatësisë së koalicionit mes LVV dhe LDK-së ishte vetëm një gjë: mënyrën sesi do të merreshin vesh nëaliazhin aspak të zakonshëm të një partie të spektrit të Majtë (Qendër por që lëvizte pak në skaj) dhe një e spektrit të Djathtë (në qendër). Por, ajo që e shtonte më shumë të panjohurën ishte paradoksi i saj. Nëse për emrat dhe mënyrën sesi do të ndaheshin postet, LVV dhe LDK harxhuan javë të tëra bisedimesh, dakordimin për ideologjinë e realizuan në vetëm pak orë!!!
Ndarja duket se nuk çuditi shumë ata që i ndjekin realitetet politike kosovare, përveç një fakti të pakuptueshëm: sesi të prodhosh konfliktin në periudhën e Covid-19?! Por edhe për këtë e merrje një përgjigje dhe e kuptojë në atë seancë maratonë të para pak ditëve, në argumentet e justifikuara të Gashit që prezantoi mocionin kundër qeverisë dhe në diskutimet e Albin Kurtit, ku në të fundit syresh ai iu drejtua imazhit të pabesueshëm të emisarit amerikan Grenell, sa i përket qëndrimeve për Kosovën. Pak minuta më vonë mocioni u votua dhe qeveria në ikje e Kurtit 1 filloi përshkrimin e realiteteve, për të cilat mori dhe kritikat, fillimisht nga administrata amerikane, përmes intervistës direkte në media të Grenell.
Se ku qëndron e vërteta, sesi do të jetë realiteti i marrëveshjes Serbi-Kosovë, duket se pakkush e di në Prishtinë. Kuptohet veç presidentit Hashim Thaçi. Por, ka një të vërtetë: tek e fundit ajo do të votohet para parlamentit të Kosovës. Dhe, cilido të jetë qëndrimi, të paktën përfaqësuesit e shtetit të pavarur kosovar do të dinë t’ia japin verdiktin. E këtë besim e shton edhe institucioni, që i mungon Shqipërisë dhe që shërben si garantues i saj. Gjykata Kushtetuese në Kosovë e ka treguar veten. Ajo ka rrëzuar Asosacionin e Komunave, ajo i ka vënë barrikadë dy presidentëve në Kosovë dhe ajo duket se është gati të marrë përsipër çdo ankesë të grupimeve që do mbetin të pakënaqur nga vendimet e shumicës së parlamentit të Kosovës.
Kjo është e vetmja garanci në Kosovë, pasi LVV dhe LDK treguan se nuk përkojnë me këtë kohë, që ta drejtojnë vendin. Dhe, të mendosh, kur nuk u bënë bashkë dhe të ishin të sinqerta para kohës jo normale të Covid-19, si dy forca normale politike të përgjegjshme, si do mund të ishin në kohë normale! Sot, që e prishën këtë mundësi, të vjen ndërmend se thjesht, pak më shumë përgjegjshmëri, do u duhej këtyre forcave, ashtu si me të drejtë do t’u duhet të përballin realisht mendimin e votuesve, nëse Kosova do të detyrohet të shkojë sërish në zgjedhje. (Javanews)