Vendimi më i bukur

Analizë Opinion

Nga Skënder Minxhozi 

Ky është ndoshta vendimi më i bukur i ndërmarrë nga Edi Rama, qëkurse ka shpërthyer kriza e koronavirusit. Është një vendim i guximshëm, i vërtetë, me risk njerëzor, sakrificë dhe kosto. Sepse është i tillë, është edhe një akt i fortë e i sinqertë miqësie ndaj një populli që na është gjendur në çfarëdo rrethane në dekadat e fundit.

Vendimi për dërguar 30 mjekë shqiptarë në rajonin e Lombardisë, i bën nder Shqipërisë. I bën nder vendimmarrësve të saj, institucioneve dhe të gjithë shqiptarëve, në këto momente kur në Bergamo, Breshia, Milano e kudo tjetër në Veriun e Italisë, po përjetohet ferri i vërtetë. Ky veprim na rreshton përkrah atyre vendeve që kanë dërguar ndihma e personel në ndihmë të rajoneve italiane të prekura nga pandemia.

Pa qenë patetikë e hipokritë, meriton të kujtohet në këto momente shumë të vështira, se për ne shqiptarët bregu tjetër i Adriatikut ka qenë një strehë e vërtetë dhe e sinqertë në kohët tona të më të ashpra. Ka qenë një fqinj mikpritës që na ka hapur derën, na ka strehuar, na ka ushqyer e integruar, duke na pranuar siç jemi, me emrat, fenë dhe identitetin tonë etnik, fetar e kulturor.

Me respektin më të madh për të gjithë fqinjët që na rrethojnë, nëse hedhim një sy në pjesën e Evropës ku na ka rënë të jetojmë, ne shqiptarët nuk do të gjejmë miq e komshinj më të mirë se italianët. Është një aksiomë që s’ka nevojë për vërtetim. E ka vërtetuar jeta, historia, faktet.

Nuk është e lehtë të dërgosh mjekët e tu, bashkëqytetarët e tu, në një rajon të shkretuar nga epidemia dhe ku janë infektuar deri më sot 2629 mjekë e sanitarë dhe ku kanë vdekur 50 infeksionistë, penumologë, reanimatorë e pediatër. Pikërisht se nuk është e lehtë, pikërisht se është e vështirë, është kurajoze dhe e domethënëse.

30 mjekë janë një shifër simbolike në një dramë kaq të madhe sa ajo e Italisë së sotme. Por janë një gjest i një vendi që ende nuk e di sesi do të dalë nga tuneli i koronavirus, që nuk ka as mundësitë dhe as forcën ekonomike të vendeve të tjera. Kjo krizë po provon të jetë një sfidë e tmerrshme për jetët njerëzore, por edhe një shkatërrim i pritshëm ekonomik e financiar për vende si ky i yni.

Është mirë që qeveria ka ndërmarrë hapin për të treguar një gjest afrimiteti e miqësie edhe në këto kohë shumë të vështira për ne. Sepse ka të tjerë, siç janë më së pari italianët, që po përballen me situata shumë më të rënda e komplekse se vendet e tjera. Italia e meriton ndihmën tonë simbolike. Meriton shumë më tepër se kaq: mirënjohjen tonë kolektive si shqiptarë!/javanews.al

Share: