Nga Dritan Hila
Jemi në javën e tretë të karantinës dhe mesa duket vetëm tani qeveria po kujtohet ta marrë seriozisht. Ka filluar shtrëngon masat e qarkullimit dhe të daljes se personave. Është pak vonë. Jo vetëm Shqiperia që po imiton Italinë por edhe modeli që po ndjekim, ai kinez, nuk ka lidhje me Evropën per dy arsye thelbësore.
Së pari, Kina vërtet izoloi një rajon sa Italia, por pjesa tjetër që ishte tridhjetë herë më e madhe i qëndroi si mbështetje ekonomike dhe sanitare pjesës së izoluar.
Se dyti, karantina kineze qe me dorë të fortë. Mbyllje në shtëpi dhe kush kapej në rrugë përfundonte në kampe karantinimi. Ushtria dhe policia përdori grushtin e hekurt dhe qytetet ngjanin të zbrazëta.
Asnjë nga këto kushte nuk është modeli që po zbaton Evropa dhe ne përfshirë. Qoftë Italia dhe qoftë ne, nuk kemi një prapavijë ekonomike që të mbështesë karantinimin total. Asnjë prej nesh nuk ka një territor të paprekur që të vazhdojë jetën normale ekonomike dhe të mbështesë të karantinuarit. Aktualisht vendet pas javës së katërt kur mbarojnë edhe paratë e muajit, duhet të mendojnë si do mbajnë frymën gjallë banorët e ngujuar dhe si do furnizohen ata. Problemet në Itali, ndonëse sporadike, kanë filluar. Akoma më e mprehtë bëhet kjo çështje për Shqiperinë që në një pjesë të madhe të mbijetesës së saj varet nga importet italiane.
Edhe standartet e karantinimit lënë për të dëshiruar. Oraret janë vendosur pa një studim paraprak duke ndryshuar çdo 3-4 ditë. Koha e lirë për qarkullim është konceptuar si kohë që mund të dalësh lirshëm. Kështu kanë humbur tre javë të çmuara dhe bashkë me to kuleta e shqiptarëve është tretur. Po vjen java e katërt dhe pas saj duhet të bëhen plane të hollësishme dhe kapilare sesi do mbështeten familjet në nevojë, si do tatohet biznesi dhe si do vazhdojë jeta ekonomike 3 muajt e ardhshëm. Por mesa duket askush nuk po e merr ende seriozisht situatën. Ende nuk ka një plan të tillë. Qeveria mendon vërtet se do ti mjaftojë karantinimi dhe mbajtja me gajret e miletit për dy tre javët që vijnë. E ka gabim. Do vazhdojë minimalisht tre muaj. Ashtu sikurse e ka pasur gabim për masat që duhet të merrte dhe vetëm tani po planifikon ngritjen e një spitali të ri për karantinën. Mesa duket edhe aty ka pasur “intelektualë” që besonin tek vetitë çudibërëse të rakisë dhe hudhrës. Por tani është koha që nuk duhet të vonohet.
Nuk është problemi i opozitës. Opozita vetë i ka mbushur poturet dhe është strukur në vilat që kanë në fshat. Gjithashtu duket qartaz se është e vonuar mendërisht. Basha flet sikur ka thesarin e BE nën bythë; plaku nga gjiri i Lalzit vazhdon e shikon filma mbi revolucionet dhe ju sulet përfaqësuesve të perëndimit pikërisht tani që shqiptarët do ta kenë të pamundur të mbijetojnë edhe fizikisht pa paratë e perëndimit; ndërsa Presidenti që e mbanim për trim na bëri tamponin për dy të teshtitura.
Problemi është i rrugës. Kur fillon e këndon stomaku, rruga i nxjerr vetë liderët e saj. Dhe kësaj duhet ti trembet qeveria dhe të marrë masat si të përballojë situatën që po vjen. Nuk ka kohë./dritare.net