Prej kohësh në gjirin e mërgatave shqiptare të vendeve të ndryshme ishte hedhur mendimi për një qendër drejtuese të lëvizjes kombëtare në diasporë. Kolonitë e grupimet politike shqiptare që vepronin në shtete të ndryshme kishin pretendimet e tyre. Ky problem u trajtua edhe në shtypin italo-shqiptar të periudhës së Rilindjes. Diku vlerësohej e diku injorohej roli nismëtar i Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip, themeluar në Stamboll më 12 tetor 1879. Në mediat e kohës propagandohin përparësitë e një kolonie shqiptare ndaj tjetrës. Në shumë koloni bëheshin mbledhje, kongrese e tubime me thirrjen për një qëndër të përbashkët organizimi të lëvizjes kombëtare shqiptare. Persona e qarqe të caktuara ishin të ndjeshëm ndaj çdo përpjekje të kësaj natyre. Kur ushtria turke kishte ndërmarrë një kryqëzatë të egër në Shqipëri, gjeneral Ricioti, biri i të mirënjohurit gjeneral Gjuzepe Garibaldi, deklaronte se ishte gati me l0.000 vetëdashës italo-shqiptarë për t‘u hedhur në Shqipëri kundër ushtrive osmane; (Sipas korrespondentit të “Gollos Rosij”, nr. 84, f. 3, l889, në Romë, M. Përvuhin) qarqe të caktuara të diasporës shqiptare reaguan, duke e parë atë si ndërhyrje italiane. Fletorja e Nikolla Naços shkonte në ekstremin tjetër me mendimin se e Riçioti kërkon të shuajë “farën Albano-romene”. (Gazeta “Shqiptari”/Albanezul/, Bukuresht l5 shkurt l899, f.2-3) Po ashtu edhe fletorja “Liri e Shqipërisë”. (Gazeta “Liri e Shqipwrisw”, Sofje, nr. 6)
Qëkur filluan botimet shqiptare në Stamboll, në Bukuresht, në Bullgari, etj., qarqet e politikës italiane dhe ato italo-shqiptare u vunë në lëvizje. Ata, për një kohë të gjatë punuan për ta përqëndruar lëvizjen kombëtare për çështjen e Shqipërisë në Romë apo në Napoli. Në atë kohë disa komitete e shoqata italo- shqiptare u riorganizuan, duke synuar grupimin e shoqërive e të komiteteve për të krijuar një qendër të përbashkët. Në Kongresin IV të shqiptarëve në Napoli, që u mblodh në maj të vitit l903, u vendos “të themelohet një Ligë shqipe për ne Itali” dhe “Një ligë e përgjithshme shqiptare”.
Rreth temës: “Të vihen në bashkim shqiptarët që ndodhen ne vende te huaj”…”të kenë lidhje me shqiptarët e atdheut”, më 23 mars l904, u zhvillua një këshillë italo-arbëresh në Romë. Marrin pjese edhe adv. GenarioLusi i “Nuova albania”, Dott. Agostino Ribeko, kryetar i Komitetit Shqiptar te Spezanos. Cav. Francesko Muzaka, president i shoqatës shqiptare të Sicilisë, D’Alueta, etj. U fol miratua thirrja “Shqipëria e shqiptarëvet”, që u botua, përveçse në „La Nazione Albanese”, edhe në fletoret e tjera arbëreshe të kohës, duke u shndërruar në lajtmotiv ideo-politik atdhetar në të gjitha tubimet e komiteteve e të shoqërive si dhe në kongreset italo-shqiptare. Revista “Leka” e Shkodrës këtë thirrje do ta shoqëronte me komentin, ku thuhej: “Politika “Shqipnia e shqiptarëve” shoqërohet me idenë: “të njihet kombësia shqiptare, e lirë dhe e pavarme, mbrenda kufijve që të drejtat e saj shekullore e arsyet e shejta etnike i caktojne”, “Për lirinë e tanësinë e tokës arbnore”.(Gazeta”Leka”,l937, numër përkujtimuer 8-l2 ,bl. I).
Zhvillimi i ngjarjeve në Shqipëri e jashtë saj,interesimi i
Austrisë sidomos ndikoi Romën zyrtare dhe në komitetet e shoqëritë italo-shqiptare; në formulimin e paraqitjen e kërkesave për një Shqipëri të lirë e të pavarur, por me kufij, sipas interesave të caktuara.
Marrë nga libri “Historia e shtypit shqiptar”, Prof. Hamit Boriçi dhe Mark Marku