Si u kthyem sërish të bindur në “Panoptikon”!

Analizë Opinion

Nga Ben Andoni

Panoptikon” është një koncept i sjellë nga Jeremy Bentham dhe shpjegohet te “Panoptikon” ose “Shtëpia e mbikëqyrjes”. Filozofi dhe sociologu Zygmunt Bauman, në trajtesën e tij “Liria”, sjellë në shqip në kolanën e filozofisë dhe shkencave politike e analizon në disa drejtime sa i përket aspektit të lirisë.  Pikërisht, asaj që na mungon sot, kuptohet e diktuar nga kushte, që janë krejtësisht jashtë nesh dhe jo të themi, të sjella nga rendi politik-social i shtetit tonë. Për ta thjeshtësuar: struktura e “Panoptikonit” të Benthamit është kjo: Një kullë qendrore e rrethuar me qela, që vëzhgohen lehtësisht nga rojtari. Në qela qëndrojnë të burgosur, punëtorë, ose deri edhe fëmijë, në varësi të qëllimit të përdorimit të ndërtesës. Kulla projekton dritë në mënyrë që rojtari të jetë në gjendje t’i shohë të gjithë në qela. Por, këta të fundit nuk janë në gjendje ta shohin rojen, ndaj për këtë arsye u mbetet të supozojnë se janë gjithmonë nën vëzhgim.

 

Ajo ngërthen idenë e një principi të ri ndërtimi të zbatueshëm për çdolloj institucioni ku duhen mbajtur nën mbikëqyrje personat me çfarëdolloj karakteristikash, veçanërisht për institucionet e vuajtjes së dënimit, burgjet, shtëpitë industriale, punishtet, strehët varfërore, fabrikat, çmendinat, karantinat, spitalet, si edhe shkollat: me një plan administrimi që i përshtatet këtij principi”, shpjegohet në literaturën e cituar nga Bauman, përkthyer mjeshtërisht nga Bashkim Shehu dhe Edlira Hoxholli.

Bauman e vlerëson jashtëzakonisht paraardhësin e shquar por mendon se “Panoptikon” zhbiron në të vërtetë kundërshtinë mes lirisë dhe mungesës së lirisë. Gjithsesi, kjo kishte pak rëndësi për Bentham, në kohën kur jetonte, ndaj vepra e tij çoi në krijimin e konceptit të utilitarizmit. Ai, vetë, do vlerësohet si një avokat kryesor i ndarjes së kishës dhe shtetit, lirisë së shprehjes dhe të drejtave ligjore individuale, koncepte që në shekullin XIX ishin krejt të panjohura ndër shqiptarë dhe më gjerë.

Ironia e kohëve nuk mbaron këtu. Ai ua besoi ose e la me testament që trupi i tij t’u takonte hulumtimit të studiuesve, që sot e kanë zbatuar dëshirën e tij duke e vendosur në një sarkofag xhami, veshur me kostumin e kohës, nga ku një ëebcam i instaluar, regjistron reagimin e njerëzve që nuk ia shkulin sytë, njeriut që donte të na mbikëqyrte institucionalisht. Ironia, pra, të sotmit (kushdo qofshin ata), sërish me ndihmën e tij, testojnë, algoritme mbikëqyrjeje.

Shkëputemi pak ose vendosemi në kohë. Asokohe në territorin që përfshinte Shqipëria mund të kishte ndonjë tek-tuk që kishte dëgjuar për Bentham. Mbase ndonjë konsull i huaj, ku ta dish udhëtarët e huaj, që vinin në vendin ende të paeksploruar në mes të Evropës. Të paktën për sa mund të abstragojmë. Ndërkohë individi shqiptar ishte nën mbikëqyrjen e ashpër të strukturave sociale të një perandorie, që ende sundonte forcërisht në Lindje. Nuk kishe nevojë të mbikëqyreshe, sepse mungonte koncepti bazë i lirisë ose interpretimi, që asokohe ndërlidhej thjesht me të drejtën civile për t’iu bindur autoriteteve administrative osmane. Por mbase kishte një lloj ngjashmërie: Ndërsa në konceptin e Bentham, “Panoptikon” ishte ngrehina që konceptohej nën autoritetin e një roje që mund të vëzhgonte banorët, kurse këta të fundit nuk arrinin ta shihnin. Individi shqiptar e besonte se çdo shqiptar ishte nën mbikëqyrjen e Allahut, të madh, vullnetin e të cilit e zbatonte Sulltani i madhërishëm, kurse të krishterët në Zotin, të cilit nuk mund t’i fshiheshin.

Thomas McMullan bën një provokim duke e parë si një metaforë, duke shkruar te “The Guardian” se: ’Panoptikoni’ rierdhi si koncept në gjysmën e fundit të shekullit XX si një mënyrë për të gjurmuar tendencat e mbikëqyrjes së shoqërive autoritare. A është akoma një mënyrë e dobishme për të menduar se jemi nën mbikëqyrje, kur jemi në kohën e strukturave të tëra të ndërvarura, varësisht kjo prej përdorimit apo jo të internetit?!

Filozofi francez Michel Foucault, i përkthyer në shqip, e rigjallëroi interesin për “Panoptikon” në librin e tij të botuar në vitin 1975 “Disiplina dhe Ndëshkimi”. Foucault e përdori “Panoptikonin” si një mënyrë për të ilustruar varësinë e shoqërive. Në shumë mënyra, shkruan McMullan, duke e cituar në të njëjtin vend, Kulla e Rojës në zemër të “Panoptikonit” është një pararendëse e kamerave të fiksuara në ndërtesat tona, subjekte me sy njerëzorë të fshehur.

Paralelet e sotme midis “Panoptikonit” dhe këtyre subjekteve mund të jenë të dukshme, por çfarë ndodh kur futesh në botën e mbikëqyrjes dixhitale dhe kapjes së të dhënave? A jemi akoma “objekt informacioni” ndërsa mundohemi t’i ikim burgosjes nga ekranet tona prej smartphone-ve, që nuk i ndajmë nga duart?

Koha e Covid-19, por edhe koha e madhe para saj, po na mësojnë se jemi të kontrolluar, të ndëshkueshëm dhe kudo të shumë-ndjekur. Jemi të diktuar nga roja qendrore, që mund të jetë një politikan (objektivisht), i cili dikton çdo gjë dhe ndodh si ketë herë që ne duhet t’i bindemi për të mirën tonë; mund të jetë frika e një virusi (subjektivisht), që na dikton jetën, e të cilin nuk e shohim, veçse ai na kontrollon ngado; mund të jetë autoriteti shtetëror apo i punëdhënësit që do të kthehet shpejt pas 2-3 javësh, etj., pra, krejt struktura e një Panoptikoni, në një mbikëqyrje asimetrike: “Dikushi na sheh dhe vendos për ne, por ne nuk e shohim”. Ashtu si po ndodh tashmë me një lloj krahasimi të patakt mbase me Covid-19:  e ndiejmë se jemi nën mbikëqyrje, por jemi krejtësisht të ndërvarur nga ideja se nuk e identifikojmë dot varësinë. Që vërtetë është pa pronësi fizike, si në kuptimin e internetit dhe me pushtim fizik nga ana e virusit, por se dhe pa një kuptim të qartë të ekspozimit tonë, neve jemi krejtësisht të zotëruar. Mbase, kjo mund ta rregullojë disi artikulimin në kohën tonë e zyrtarëve, që Covid-19 i vendosi në funksionet e rojes.

Bentham duket se e mendoi këtë kohë dhe nuk donte që “Panoptikoni” të vitalizohej si një mjet për shtypjen, ndaj mendoj krijimin e një anti-Panoptikoni, kur një zyrtar ulet në një dhomë të ekspozuar dhe rrethohet nga anëtarët e publikut që e dëgjojnë dhe bëjnë pyetje. Njeriut, që na vëzhgon të gjithëve, i duhet thjesht të jetë i hapur. Këtë po bëjnë në kohën tonë shumë qeveri të huaja, që lidhen me BE-në. Veçse transparenca edhe në këtë rast nuk na ndih, pasi realisht njerëzit më të rrezikshëm në shoqëri mbeten sërish njerëzit të cilat na drejtojnë. Kohët kanë ndryshuar, por dëshira që dikush t’i shoh qytetarët e vet të vëzhguar, pa u kontrolluar, nuk ka ikur. Këtë po e shikojmë fatkeqësisht edhe në këto ditë, kur koncepti i “Panoptikonit po na e sjell sërish varësinë (mbase e justifikuar), por si gjithnjë me kumtin nga sipër-poshtë.

Nuk dihet se çfarë mund të bënte Bentham, tashmë i ngulur në sarkofagun të tij, por “Panoptikonin”, por ne shqiptarët po e ndjejmë sikur të jetë krijuar bash për shoqërinë e sotme, ku ne mendojmë në mënyrë fiktive se jemi aq… të lirë, sepse në botë, dje, sot dhe nesër, nuk mund t’i ikësh dot “Panoptikonit”. (Homo Albanicus)

Share: