Nga Skënder Minxhozi
Ilir Meta ka bërë një konstatim të drejtë në orët e fundit. Ka vërejtur se tek ne, përkundër Maqedonisë së Veriut, ka më shumë tension politik në ajër, megjithëse në vendin fqinj do të ketë votime së afërmi, kurse këtu tek ne nuk jemi në stinë elektorale. “Edhe pse zgjedhjet parlamentare të parakohshme në Maqedoninë e Veriut do mbahen vetëm pas pak ditësh, një atmosferë sigurie dhe demokracie mbizotëron falë pjekurisë të lidershipit politik në tërësi, por edhe funksionimit normal të institucioneve. Ndërsa fatkeqësisht te ne edhe pse nuk ka as datë zgjedhjesh ende në horizont kemi një tension artificial sikur zgjedhjet do jenë nesër. Ndërkohë që edhe pandemia është në rritje së bashku edhe me defiçitin dhe borxhin publik. Verbëria për mbajtjen apo marrjen me çdo çmim të pushtetit na ka bërë që të dukemi me fqinjin tonë lindor sikur u përkasim dy kontinenteve të largëta”, shprehet ai.
Së pari, kreu i shtetit është për t’u përgëzuar që po bie më në fund dakord me kalendarin kushtetues të zgjedhjeve. Me fjalë të tjera, duhet ta falenderojmë që s’po del të shpallë apo të anullojë ndonjë palë zgjedhje sipas dëshirës. Kush kujton vitin e shkuar, e ka fort të
qartë sesi Meta i hodhi benzinë zjarrit të tensionit politik, duke u bërë publikisht palë me protestat e dhunshme të opozitës, e madje duke i nxitur ato me fjalë dhe veprime. Disa prej të cilave haptazi antikushtetuese. Rreshtimi i presidencës, qoftë edhe verbalisht, në anën e normalitetit, është për t’u duartrokitur.
Së dyti, shqiptarët nuk kanë sesi të bëjnë sot një bilanc të diferencuar të kontributeve, fajeve e përgjegjësive të politikanëve shqiptarë, pasi ata ju janë shfaqur këto 30 vjet me të gjitha kostumet e imagjinueshme të garderobës politike. Fjala vjen, një person si Ilir Meta, që në dekadën e shkuar fliste pak, kishte një fjalor të ngushtë dhe jepte shumë pak indikacione, bënte pak batuta dhe ishte korrekt ndaj të tretëve, sot po themelon klubin e fansave të Celtikut! I njëjti person që në 2 mars premtonte të digjte parlamentin, duke u ulur në gjunjë në mes të bulevardit, sot, kur ka prerë kokën e Dvoranit dhe ka marrë kreun e KLSH, shfaqet si një president i butë, larg deklaratave inflamatore të pak javëve më parë kur shembej Teatri. Meta është një ndër protagonistët kryesorë të farsës demokratike që kemi ndërtuar këto 30 vite. Ai është, bashkë me Berishën, janë dyshja kryesore që projektoi në Shqipërinë e viteve ’90-2000, modelin e një shteti të bazuar mbi kulturën e urrejtjes politike, mungesën e bashkëpunimit, rrënimin e drejtësisë dhe politizimin e skajshëm të të gjitha institucioneve të shtetit.
Kryetari i shtetit shqiptar bën shumë mirë që habitet me qetësinë maqedone në kohë fushate, por si t’ja bëjmë që ne shtetasit që ai përfaqëson, nuk harrojmë dot fjala vjen, se ai e ka akuzuar publikisht kryeministrin e vendit, se me veprimet e tij, mbron interesat e lobit proserb në Uashington! Ose, për shembull, kur e quante partinë në pushtet, një organizatë mafioze antikushtetuese që është në grahmat e fundit!
Së treti, e kjo e tejkalon habinë e presidentit me qetësinë e fqinjëve, është një fakt i pamohueshëm që ne kemi një nevojë urgjente për të modifikuar kodin e sjelljes, komunikimit dhe bashkëjetesës politike e sociale në këtë vend. Prej kohësh që s’mbahen mend, shqiptarët janë ushqyer me tensionin politik që buron nga aulat e politikës, “banaqet” e mediave dhe fjalori flakëvënës i krerëve të vendit e partive politike. Ka ardhur momenti që një kulturë tjetër, kryekëput e ndryshme nga kjo e sotmja, të instalohet në këtë truall të helmatisur gjuha prej nepërke e politikës shqiptare.
Në këtë sens, pa asnjë grimë shpotie e sarkazme, Meta kishte dhe ka detyrën kushtetuese të përbashkimit të njerëzve, të paqëtimit të tensioneve dhe uljes në tryezë të palëve. Por për këtë duhet një parakusht fare i vogël: s’duhet të jesh vetë palë!