“Gjella e Shën Mërisë Virgjër” – Jul Variboba

Kulturë Libri Reportazh / Profil

Jul Variboba u lind në Mbuzat të Kalabrisë. Shkollimet i bëri në Kolegjin e Benedeto Ulanos dhe në Romë. Shërbeu si prift në vendin e lindjes, por meqë ra në konflikt me bashkëvendasit, për arsye të katolicizimit të arbëreshëve ose për çështje morale u transferua në Romë, ku punoi si sekretar i një urdhëri fetar. Shkroi vjersha panegjirike në italisht dhe në shqip. Kryevepra e tij mbetet vepra Gjella e shën Mërisë Virgjër (1762). Ai mbetet poeti me biografi më të trazuar në historinë e letërsisë shqipe të traditës. Për të tregohen shumë anegdota. Anekdoteske është itinerati i udhëtimit të tij biologjik, ashtu si është anekdoteske jeta e tij në tërësi. Edhe për vdekjen e tij tregohen anekdota.

Vepra është e shkruar në formë të përmbledhjeve letrare me tendencë të ngritet në pseudoepos kushtuar jetës dhe shenjtërisë së shën Mërisë dhe Birit të saj shën Bambinit. Vjershat janë të shkruara mjaft lirshëm dhe janë të mbushura me  18 shumë elemente të jetës së vendlindjes. Ndahet në 32 këngë madhësish të ndryshme të vargjesh me strukturë të ndryshme metrike. Ka gjithsej 4717 vargje. Këngët shoqërohen me tituj të veçantë, siç ka qenë dukuri në letërsinë e fundit të shekullit të 18-të, e cila karakterizohet si letërsi e shkallës së lartë të Barokut, që
gradualisht po kalonte në Iluminizëm dhe në Rokoko. Prandaj në vjershat e tij ndihen elemente të trija këtyre sistemeve stilore. Këngët funksionojnë si krijime të veçanta, edhe pse midis tyre kanë lidhje logjike dhe në përgjithësi i kushtohen shën Mërisë, Krishtit dhe shenjëtorëve të tjerë.
Në këtë kontekst ajo është kritikuar shumë për fragmentarizëm dhe për mungesë të unitetit tematik epik. Kështu, mendohet se më tepër është përmbledhje vjershash të pavarura, por të bashkuara në një tërësi poetike. Titujt e këngëve janë simbolikë: “Kalimera e Nataleve”, “Bën ca kuçe e bën nino”, “Kënga e të zgjuarit”, që janë vazhdimësi e njësisë së parë tematike – të lindjes së krishterimit dhe në to përshkruhet foshnjëria e Krishtit.

 

 

Fragment nga vepra “Gjella e shën Mërisë Virgjër”:

 

Oj jet’ e ëmbël, o Shën Mëri,
vjershin e ri ea na mbiso;
si do shurbier, si ti t’pëlkier,
ti bashk’ mene nga e këndo.

Na ning dimi ti të vandonjim,
ti të nderonjim si meriton;
se je fanmirë se na do mirë,
këta ti thomi, këjo baston.

Cili njeri sa i lart’ je,
sa gracje ke, mund nimëronjë?
Vet’ Zoti inë ti di vandinë,
jatër gjuhë s’di ti këndonjë.

Nd’atë dikret çi fjet karta,
vetëm sa lart ti qeve vënë;
neve të tjerët të bjerrt’, të mjerët,
gjarpri mëkatat na pat ngrënë.

E bër’ aposta për Tënzonë,
shkele Dimonë, i re pir mort;
ti vetëm qeve porsa u leve,
ndi trut’ ia ngjoke, ia ngjoke fort.

Jot ëm’ Shin Ana me Shin Xhakinë
fimilë s’kinë e, pjot me lot,
e shertëruan, e agjëruan,
ashtu ti bjetin ka Inzot.

Me vute e meshë e raciuna,
me divuciuna e me hjidhi,
të kunçipirti, të parturti
Shin Ana e mirë ndi pjakëri.

Kur ti u leve, e qiell e dhe
bëri hare ndir gjith’ kundat;
haret’ i solle kur ti dolle,
dolle si dielli e pamëkat.

Tri vjet u mbille ndi nji kuvend
bëre kutiend ti Tënëzon’;
i dhe nji lule, nji trëndafile,
i dhe të virgjrit çi lulëzon.

Andaj Zotinë tij t’u prejar,
t’u namurar e mir’ të dish:
e të bekoi, të shëjtëroi,
e shpirti kurmin t’e bëri kish’.

Nj’ëmgjëll aposta të suall mbashatën,
të suall uratën ndi kit modh’;
– O e lumja grua, Ti si e thua?
Ti Zoti in’ për ëm’ të zgjodh.

Ti rispëndove: – U’jam e virgjër
Si nji e virgjër mund jetë ëmë?
Këjo mbashatë ning ësht’ uratë;
pir nji të virgjër ësht’ më se nëmë.

Ëngjëlli foli: – Jo, se Zotin’
tek vete hin, ning e danon
virgjinitatet e puritatet;
tek më e nget, më e ngjaron.

Si pasikiri tek dielli hin,
ai ning e nxin, e dritëson.
Mos kij pahur, mos kij timur:
vet’ Shpirti shëjt’ vjen e të mbjon.

……….

Fragment nga kënga e parë e veprës me të njëjtin titull të shkrimtarit arbëresh Jul Variboba (Giulio Variboba). Kjo këngë ka gjithsej 524 vargje, kurse e tërë vepra ka gjithsej 4717 vargje të shpërndarë në 32 këngë. Botuar në vitin 1762, në Romë.

Share: