Një shpjegim bazuar në raportet e shkencëtarëve në redaksitë e mediave gjermane dhe zvicerane.
Si quhet virusi?
Organizata Botërore e Shëndetësisë deri më tani flet për virusin «2019-nCoV». Virusi i përket familjes së Koronës, ngjashëm me Middle East Respiratory Syndrome (Mers) apo Severe Acute Respiratory Syndrome (Sars).
Kur është zbuluar virusi?
Sipas Institutit Robert Koch, autoritetit më të lartë gjerman për sëmundje infektive, virusi Korona për herë të parë është identifikuar në vitet ’60. Virusi mund të infektojë njerëzit, por edhe zogjtë dhe gjitarët.
Çfarë sëmundje shkakton virusi Korona?
Korona shkakton disa sëmundje, nga ftohja e zakonshme deri te sëmundjet e rrezikshme dhe potencialisht vdekjeprurëse si Sars dhe Mers.
Cilat grupmosha janë më të rrezikuara?
Rreziku më i madh nga virusi Korona u kanoset të moshuarve. Sipas raporteve të deritanishme Korona ka shkaktuar vdekjen e pacientit vetëm nëse ai ka qenë më parë i sëmurë. Deri më tani kanë vdekur 56 persona, të gjithë mbi moshën 60-vjeçare.
Si bartet virusi?
Në fillim virusi me gjasë u bart nga kafshët te njerëzit. Ndërkohë dihet se Korona mund të bartet nga njeriu te njeriu. Sipas studimeve çdo i infektuar mund të infektojë mesatarisht dy deri tre persona të tjerë. Shkencëtarët nga Imperial College në Londër dhe nga Universiteti Lancaster thonë se numri i infektimeve varet nga efekti i kundërmasave. Për të frenuar një sëmundje, duhet që në të ardhmen të pengohen 60 për qind e infektimeve të reja.
Cilat janë simptomat e të prekurve nga virusi?
Sipas Institutit Robert Koch virusi i Koronës shkakton simptome të sëmundjes së kanaleve të frymëmarrjes. Shenjat e para janë ftohja me kollë dhe një ndjenjë e lodhjes së madhe dhe plogështisë. Pjesët e epërme të kanaleve të frymëmarrjes pothuaj nuk janë të prekura. Rrjedhimisht pacientëve nuk u rrjedhin hundët.
Si trajtohen të sëmurët?
Në mbarë botën po kërkohet një ilaç i efektshëm apo një vaksinim kundër Koronës. Deri më tani, sipas Institutit Robert Koch, nuk ka terapi specifike.
A ekziston një test për virusin e ri Korona?
Po. Menjëherë pas dekodimit të sekuencës së ADN-në së virusit, laboratorët kanë zhvilluar një test me të cilin konstatohet nëse pacienti është i infektuar apo jo.
Sa zgjat inkubacioni i virusit?
Koha e inkubacionit e virusit Korona zgjat zakonisht 10 ditë. Periudha më e shkurtër zgjati një ditë, më e gjata 14 ditë, tha drejtori i komisionit nacional kinez të shëndetësisë.
Në cilat vende janë regjistruar të infektuar?
Përveç Kinës raste të të infektuarve janë regjistruar në Francë, SHBA dhe në vendet aziatike si Tajlandë, Tajvan, Hongkong, Japoni, Kore Jugore. Në spitalin e qytetit të Zürichut Triemli janë futur në karantinë dy persona, por nuk është ende e qartë nëse ata dy janë të infektuar me Korona.
(Süddeutsche Zeitung, Tages Anzeiger)